Rama: Dhunuesit e policisë, një arsye pse duhen braktisur protestat e opozitës

Rama: Dhunuesit e policisë, një arsye pse duhen braktisur protestat e opozitës
REAGIMI/ Kryeministri ka vlerësuar veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës

Kryeministri Edi Rama ka lartësuar dje veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së fundit të opozitës. Sipas tij, strukturat e policisë treguan nivel të lartë dhe aftësi të lartë profesionale, duke mos toleruar aktet e dhunshme në protestë. “Policia e Shtetit dha një tjetër shembull kuptimplotë dinjiteti në krye të detyrës. Ndërsa dhunuesit e saj një tjetër arsye për t’u braktisur nga çdo qytetar i denjë i kësaj republike”, ka qenë shënimi i Ramës, lidhur me një rast të tillë.

Ndërkaq, në një reagim të mëparshëm të tij gjatë ditës së djeshme, po rreth protestës së opozitës, ai ka publikuar edhe një foto të punës që po bëhej tek Kryeministria për pastrimin e mureve nga boja e hedhur gjatë protestës së opozitës. Teksa nuk ka lënë pas ironinë për opozitën, që me veprimet e saj, të cilat ai i quan “klithma”, del edhe më në pah sipas tij, fitorja e mazhorancës.

“Ata klith e ne fito”, shkruan kreu i qeverisë duke i drejtuar dhe një grusht simbolik opozitës. “Ata prish e ne ndreq, ata ndot e ne pastro, ata klith e ne fito”, përfundon ai.