PROTESTA/ Avokati i Popullit: Episodet e dhunës, në një shkallë të menaxhueshme

PROTESTA/ Avokati i Popullit: Episodet e dhunës, në një shkallë të menaxhueshme
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka vëzhguar me vëmendje edhe protestën e mbrëmjes së shtunë ashtu si edhe çdo protestë tjetër të mëparshme javët e fundit. Mandati i Avokatit të Popullit shtrihet mbi veprimtarinë e autoriteteve shtetërore e konkretisht të forcave të rendit për të verifikuar zbatimin me rigorozitet prej tyre të legjislacionit në fuqi e për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ekipe monitoruese të Avokatit të Popullit kanë qenë në terren prej orës 18.00 deri në përfundim të protestës për të parë dhe dokumentuar nga afër çdo zhvillim.

Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë paqësore dhe se episodet e dhunës apo të kundërshtimit të forcave të policisë nga ana e protestuesve kanë qenë në një shkallë të menaxhueshme. Por pavarësisht sa më sipër Avokati i Popullit nuk pajtohet me veprime të dhunshme të çfarëdo shkalle apo natyre të drejtuara ndaj individit, institucioneve shtetërore apo pronës private.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin që sjelljet e jashtëligjshme apo të dënueshme të individëve apo grupimeve të vogla e të veçuara, vazhdojnë të përdoren si pretekst nga ana e institucioneve tona ligjzbatuese për të kufizuar të drejtën për tubim, edhe për qytetarët e tjerë të papërfshirë në shkelje ligjore.

Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon të mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij.

Për këtë arsye, mbetet në gjykimin subjektiv të opinionit dhe pjesëmarrësve në protesta, të vlerësojnë se përdorimi i gazit lotsjellës jo vetëm që vazhdon të jetë në shpërpjesëtim me shkallën e rrezikshmërisë që paraqet turma e protestuesve, por ai është shndërruar tashmë në një instrument të preferuar për pengimin e vetë së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor.

Përdorimi në masë i gazit lotsjellës përveçse është konstatuar nga grupet në terren është raportuar me shqetësim edhe nga një numër gazetarësh dhe përfaqësuesish të pavarur të medias, si kufizues për ushtrimin e detyrës së tyre në raportimin e protestës.

Ekipet e gazetarëve kanë raportuar se Policia e Shtetit në vazhdimësi ka vazhduar të përdorë metoda të ndryshme për t’i dekurajuar apo shmangur ata nga pasqyrimi i ngjarjeve. Në të paktën një rast është raportuar se ekipet e përfaqësuesve të medias janë goditur edhe me ujë të pompuar apo mjete të tjera të rezervuara për përdorim në raste kur grupime të dhunshme protestuesish kërcënojnë sigurinë publike.

Trajtimi i medias dhe gazetarëve si një kërcënim i sigurisë publike, konsiderohet nga Avokati i Popullit si një nga sinjalet më shqetësuese për një situatë ku liria e shtypit është vënë në dyshim.

Përfaqësues të Avokatit të Popullit gjithashtu kanë mbledhur të dhëna në lidhje me një numër ndalimesh dhe shoqërimesh të pjesëmarrësve në protestë pas përfundimit të saj. Ka informacione se disa nga shoqërimet e qytetarëve janë kryer pa ndonjë arsye të posaçme duke krijuar një psikozë se pjesëmarrja në tubime është e kundërligjshme.

Avokati i Popullit, në linjë me qëndrimet dhe interpretimet që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i bën Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konstaton se mbajtja e të dënuarve (e aq më pak e të shoqëruarve) të lidhur me pranga në kushte spitalore përbën një rast te trajtimit denigrues e çnjerëzor në kuptim të kësaj konvente dhe do të kërkojë marrjen e masave energjike dhe të menjëhershme për nxjerrjen e përgjegjësisë për këtë rast pas rekomandimeve të mëparshme për raste të tjera të ngjashme e të bëra publike.

Avokati i Popullit mbetet i dedikuar që të raportojë me paanësi dhe rigorozitet profesional mbi marrëdhënien mes së drejtës së qytetarëve për të protestuar në tubime paqësore dhe menaxhimit nga ana e institucioneve tona shtetërore të ruajtjes së rendit publik pa e cënuar këtë të drejtë”.