Politekniku shpall kuotat, 1930 studentë të rinj këtë vit

Politekniku shpall kuotat, 1930 studentë të rinj këtë vit
Krahas kritereve se si do të përzgjidhen fituesit e rinj, drejtuesit e Universitetit Politeknik të Tiranës  kanë miratuar edhe kuotat e pranimit për të gjitha degët e të 6 fakulteteve që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë. Ndër programet më të kërkuara veçanërisht nga maturantët rezultojnë të jenë: Inxhinieria Informatike, Inxhinieria Elektronike, Arkitektura, Inxhinieria e Ndërtimit, Inxhinieria e Telekomunikacionit

Sonila Isaku

Edhe këtë vit akademik në universitetin Politeknik do të pranohen 1930 studentë. Rektori i këtij universiteti thotë se nuk do të ketë ulje të kuotave, pasi pranimet janë bërë gjithnjë sipas kërkesave të tregut të punës dhe jo vetëm bazuar në kapacitetet e auditoreve.

Kuotat

Krahas kritereve se si do të përzgjidhen fituesit e rinj, drejtuesit e Universitetit Politeknik të Tiranës  kanë miratuar edhe kuotat e pranimit për të gjitha degët e të 6 fakulteteve që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë. Ndër programet më të kërkuara veçanërisht nga maturantët rezultojnë të jenë: Inxhinieria Informatike, Inxhinieria Elektronike, Arkitektura, Inxhinieria e Ndërtimit, Inxhinieria e Telekomunikacionit, etj.

Përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020 në programet e nivelit “bachelor” të këtij universiteti do të pranohen rreth 1930 fitues të rinj, ku rreth 1500 do të shpallen në radhët e maturantëve që garojnë brenda vendit, ndërsa pjesa e mbetur e kuotave shpërndahen për studimet në programet e dyta, për transferimet, kuota për jetimët dhe studentët e tjerë me aftësi të kufizuara, kuota për të huajt, si dhe për kandidatët nga trojet. “Nga diskutimet e zhvilluara në Rektorat me të gjitha fakultetet, pak a shumë do të jenë të njëjtat kuota që kanë qenë edhe gjatë vitit të kaluar” pohon rektori i UPT, Andrea Maliqari. Ai shpjegon se kuotat e pranimit nuk bazohen vetëm tek kapacitetet pritëse, numri i pedagogëve, por edhe tek kërkesa që ka tregu për këto lloj degësh. “Ne organizojmë edhe panairin me kompanitë private për të testuar jo vetëm tregun por edhe kërkesat që kanë vetë kompanitë që operojnë në Shqipëri në fushën politeknike, por edhe praktika të tjera që na bëjnë të jemi më të orientuar për numrin e kandidatëve nga fushat përkatëse në secilin nga programet e studimit që ofrojmë” pohon Maliqari.

Në ciklin e studimeve “bachelor”, për këtë vit garohet për1930 kuota në total, për maturantët që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme në vendin tonë, si dhe kandidatët e viteve të shkuara që rikthehen në garë për vijimin e studimeve të larta në këtë institucion.

Degët e kërkuara

Por cilat janë degët që preferohen më shumë nga të rinjtë dhe që studentët mund të gjejnë punë menjëherë pas përfundimit të studimeve. “Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit është më i kërkuara dhe ne marrim kandidatët më të mirë që vijnë nga shkollat e mesme. Fusha të tjera janë ato të inxhinierisë, siç është Arkitektura ndërtimi. Po kështu ka edhe një rritje të kërkesës sa i takon degëve të siç janë inxhinieria Mekanike, inxhinieria Elektrike” thekson Maliqari.

Kriteret për “Bachelor”

Sa i takon studimeve të ciklit të parë, autoritetet e këtij universiteti bëjnë me dije se përgjatë vitit të ri akademik, maturantët do mund të garojnë për të fituar të drejtën e studimit në 21 degë të shpërndara në 6 fakultetet përkatëse. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike mund të konkurohet për Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Materiale, Tekstil dhe Modë, si dhe Inxhinieri Ekonomike. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike maturantët mund të konkurojnë për degët: Inxhinieri Elektrike-profili Automatizim i Industrisë, Energjetikë, si dhe Inxhinieri Mekatronike. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit ofron studime në Inxhinieri Elektronike, Telekomunikacion, si dhe Inxhinieri Informatike. Në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit garohet për Inxhinieri Ndërtimi, Hidroteknikë, Inxhinieri Mjedis, si dhe Gjeodezi. Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës ofron studime në tre degë të këtij profili.

Në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave garohet për degët: Gjeoinformatikë, Gjeoburime, Inxhinieri Gjeomjedisi, si dhe Shkenca Toke. Po ashtu mund të garohet edhe për dy degët e studimit të Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike.  Për të gjitha këto degë, mesatarja e shkollës së mesme nga nota 6 e më lart është kushti bazë që çdo maturant duhet të përmbushë për të qenë pjesë e garës për studimet e larta. Shpallja e fituesve do të bëhet duke ju referuar në masën 70 për qind notës mesatare të shkollës së mesme, si  dhe në masën 30 për qind mesatareve aritmetike të tre lëndëve të përcaktuara si preferenciale për degët e këtij universiteti. Tre lëndët preferenciale të këtij universiteti janë matematika me 50 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve, fizika me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve, si dhe kimia me 10 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar edhe formulën konkrete që do të zbatohet për shpalljen e fituesve të rinj që do të pranohen në të gjitha programet e studimit të këtij universiteti.

Formula për shpalljen e fituesve të rinj në “Bachelor” është:

Formula është: [0.7*Mes(VKM) + 0.3(0.5*Mes(Matematike) + 0.4*Mes(Fizike) + 0.1*Mes (Kimi))] * Koeficientin e shkollës * 1000.