“Pllakos” heshtja në Kukës, Gjici kërkon kupën me çdo kusht

“Pllakos” heshtja në Kukës, Gjici kërkon kupën me çdo kusht
Hidhet shorti i ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Kukësi do të përballet me Skënderbeun dhe Tirana me Luftëtarin, për finalen e madhe të këtij sezoni

Nga Aranit Muraçi

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, pas humbjes 2-1 me Flamurtarin, humbje që largoi verilindorët përfundimisht nga gara për titull, ka urdhëruar heshtje shtypi për ekipin e tij. “Albanian Free Press” mësoi se lojtarëve u është komunikuar objektivi që ka kjo skuadër: fitimi i Kupës së Shqipërisë, si dhe ruajtja e pozitave të vendit të dytë.

Safet Gjici është shpallur kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit, ndaj edhe kërkon që ta konkretizojë me një trofe, atë të kupës, fushatën e tij elektorale.

Më kryesorja Gjici ka investuar për të pasur një skuadër të suksesshme, ndaj edhe e ka cilësuar të pafalshme, nëse Kukësi dështon në përmbushjen e objektivit. Përveç drejtorit sportiv Nderim Nexhipi, lojtarëve u është komunikuar që të heshtin në media e të flasin në fushë, derisa objektivi të përmbushet. Dje është hedhur shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, duke vënë përballë Kukësit skuadrën më pak të motivuar për trofe, Skënderbeun.

Shorti

Është hedhur në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Goglat kanë vënë përballë njëra-tjetrës Kukësin me Skënderbeun dhe Luftëtarin me Tiranën.

Ndeshjet e para do të zhvillohen më 24 prill, ndërsa më 8 maj do të luhen ndeshjet e kthimit, kur do të mësohen edhe finalistët e këtij sezoni të Kupës së Shqipërisë.

Objektivi

Drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, shprehu edhe objektivin e skuadrës së tij. “Do të bëjmë maksimumin që ta mbyllim me trofe sezonin. Ndeshja e parë, me shumë mundësi do të luhet në Elbasan. Dihen cilësitë e Skënderbeut. janë dy ndeshje mjaft delikate dhe me rëndësi. Do të jetë e hapur beteja deri në fund”.

Kukësi shihet më i motivuar për finalen e madhe, pasi korçarët edhe në rast se fitojnë trofeun, nuk kanë të sigurt pjesëmarrjen në Kupat e Europës për shkak të dënimit të tyre 10-vjeçar, nga UEFA.

Gjithsesi, Skënderbeu është në pritje të vendimit të CAS, që me gjasa do të merret në fillim të sezonit tjetër, çka do të thotë se Kukësi ka një arsye më tepër për të shpresuar që të arrijë finalen dhe të mbyllë sezonin me një trofe.

 

Europa League

Arsyeja, se përse merr kupa merr rëndësi në Shqipëri!?

Kupa, përveç rëndësisë që merr si një nga dy trofetë e një sezoni, në Shqipëri ka rëndësi më të madhe në ndryshim nga ligat e rëndësishme evropiane, për fakti se skuadra fituese pret automatikisht një biletë në Europa League.

Kjo do të thotë se pjesëmarrja në një tur të Kupave të Europës, siguron mbi 200 mijë euro të ardhura në formë shpërblimi nga UEFA, si dhe kualifikimi i mundshëm në një tur tjetër, përgjysmon thuajse të gjitha shpenzimet e një sezoni për një ekip shqiptar.

Kjo është edhe arsyeja, se përse ekipet shqiptare, ndryshe nga ekipet elitare spanjolle si Real Madrid që ndodh të eliminohet nga skuadra amatore, pas titullit kampion synojnë ta fitojnë me çdo kusht këtë trofe.