PËRSHKALLËZOHET AKSIONI, SOT OPOZITA BLLOKON RRUGËT

PËRSHKALLËZOHET AKSIONI, SOT OPOZITA BLLOKON RRUGËT
Jo më protesta para godinës së Kuvendit, sa herë që atje do të zhvillohen seanca plenare, por nëpër rrugët kryesore të vendit. Kjo është “kthesa” e re që ka marrë strategjia e opozitës për zhvillimin e protestave në vazhdim, pas nënshkrimit të marrëveshjes me dhjetë pika për koalicionin opozitar para dy ditësh.

Kështu, për ditën e sotme, është bërë me dije paraprakisht, se ndryshe nga herët e tjera, opozita nuk do të protestojë më para Kuvendit, por ka përgatitur një protestë 1-orëshe në akset kryesore që lidhin jugun dhe veriun e vendit me Tiranën. Orari i zgjedhur është ora 18.00 e mbrëmjes, ndërsa akset e zgjedhura për bllokim janë pikërisht ato që lidhin dy skajet e vendit me kryeqytetin. Bëhet fjalë për rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, bllokimin e autostradës Plepa-Kavajë në Durrës, atë të karburantit në autostradën e Milotit, rrethrrotullimin e Sheqit në Fier dhe në fund, sheshin “Shqiponja” në Tiranë.

Një formë e re proteste kjo ndaj qeverisë “Rama”, e zgjedhur së fundmi për aksionin opozitar, ndërsa prej krerëve të opozitës kanë mbërritur sinjale se protestat do të vijojnë pa ndalim edhe në forma të reja, të përshkallëzuara deri në mosbindje civile.

Ndërkohë, në datën 11 maj, opozita e bashkuar ka njoftuar edhe zhvillimin e një proteste të madhe kombëtare në orën 18:30, para godinës së Kryeministrisë. Kjo do të jetë në fakt e katërta që zhvillohet aty, ndërsa nëntë të tjera janë zhvilluar deri më sot prej saj para selisë së Kuvendit, ndërsa mbaheshin seancat plenare të radhës prej deputetëve.

 

Akset kombëtare që do bllokohen:

1- Elbasan (Rreth rrotullimit Bradashesh).

2- Durrës, autostrada Plepa-Kavajë, (përballë Shtëpisë së Pushimit të Ushtrisë)

3. Milot (karburanti në Autostradë).

4- Fier (Rreth rrotullimi i Sheqit).

5- Tiranë (Rreth rrotullimi i Shqiponjës).

 

Motivet e protestës

Kreu i PD-së, Fier: Po dalim në rrugë nga varfëria e madhe

Kreu i Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi, ka komentuar dje motivet përse sipas tij, do të protestojnë sot fierakët, duke dalë në rrugë. Ai thotë se ata që do të mblidhen në rrethrrotullimin e Sheqit, janë prindër që dalin për fëmijët që po ikin jashtë shtetit. Apo prindër që s’kanë me çfarë t’i ushqejnë për shkak të mungesës së një vendi pune. Gjithashtu, për kreun e PD-së së Fierit protestojnë dhe fermerët që po u kalben prodhimet. Si edhe tregtarët, të cilët po detyrohen të mbyllin bizneset e tyre prej taksave të larta që u ka vendosur qeveria “Rama”.