OBSH: Mungesa e aktivitetit rrit vdekshmërinë dhe obezitetin

OBSH: Mungesa e aktivitetit rrit vdekshmërinë dhe obezitetin
Koha sedentare që fëmijët nga 2 deri ne 4 vjeç kalojnë para televizorëve, kompjuterëve apo telefonave celularë, nuk duhet të jetë më shumë se një orë në ditë, ndërsa të vegjlit nën moshën 1-vjeçare nuk duhet të ekspozohen aspak ndaj ekraneve elektronike. Në rekomandimin e parë të këtij lloji, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se fëmijët nën 5 vjeç duhet të përfshihen në aktivitete fizike e të flenë mjaftueshëm në mënyrë që të parandalojnë obezitetin e sëmundje të tjera më vonë gjatë jetës.

Fëmijët nga 1 deri në 4 vjeç duhet të shpenzojnë të paktën 3 orë në ditë me aktivitete fizike, ndërsa foshnjat duhet të angazhohen në lojëra të ndryshme në dysheme.  “Për fëmijët nga 2 deri në 4 vjeç koha para ekraneve nuk duhet  të jetë mbi 60 minuta në ditë, sa më pak aq më mirë. Sa i përket aktivitetit, sugjerohet 180 minuta përgjatë ditës. Ndërsa për fëmijët nga 5 deri 19 vjeç rekomandohet të kryejnë 60 minuta aktivitet nga i moderuar në të fortë. Këtu përfshihet vrap, hedhje e aktivitete të tjera”, thuhet në rekomandim.

OBSH pohon se të qenit jo aktiv është një prej rreziqeve kryesore qe ndikon tek vdekshmëria dhe rritja globale e obezitetit. Në një raport të publikuar dy vite më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se numri i fëmijëve obezë dhe adoleshentëve në mbarë botën kishte shkuar në 120 milionë gjatë 40 viteve të fundit. Mbipesha mund të çojë në sëmundje të tilla si diabeti, hipertensioni dhe disa forma të kancerit.