Një jetë në stol, kush është 73-vjeçari Edy Reja?

Një jetë në stol, kush është 73-vjeçari Edy Reja?
Edoardo Reja, emri i përzgjedhur nga Federata Shqiptare e Futbollit për të drejtuar skuadrën kuqezi në kualifikueset për Europianin e vitit 2020, ka një eksperiencë gati 40-vjeçare si trajner. I lindur në një fshat të Gorica (Slloveni), me baba slloven dhe nënë italiane, Reja është folës i mirë i tre gjuhëve: Friulane (gjuhë që flitet në një zonë në verilindje të Italisë), Italiane dhe sllovenishte.

Si lojtar Reja e nisi karrierën me të rinjtë e SPAL 1907, kur ky ekip drejtohej nga Paolo Mazza, dhe luajti në mesfushë krah mikut të tij të vjetër, Fabio Capello, apo lojtarëve të tjerë të shquar italianë, si Louis Pasetti e Adriano Zanier. Në vitin 1965, Reja debuton me Kapelon në Seria A, te ekipi i parë i SPAL. Reja luajti më tej edhe me dy ekipe të tjera, Palermo e Alessandria, deri në vitin 1975, duke luajtur gjithsej 124 ndeshje në Seria A.

Si trajner Reja e nisi karrierën në vitin 1979, tek ekipi i Seria D, Molinella. Një vit më vonë drejtoi Monselice në Seria C2. Në 1989, drejtoi për herë të parë një ekip të Seria B, Pescara. Ai shënoi sukses edhe me skuadra të tjera të kësaj lige, si Cosenza, Lecce apo edhe Brescia, me të cilën fitoi titullin kampion. Me Breshian ai ndikoi në fillimet e karrierës së një prej futbollistëve më të shquar të Italisë, Andrea Pirlo. Reja më pas preferoi të drejtonte një skuadër tjetër të Seria B, Torinon. Në Seria A, si trajner ai debutoi fillimisht në sezonin 1998-99, me ekipin e Vicenza dhe drejtoi më tej edhe Genoa, Catania e Cagliari. Në janar 2005, Reja emërohet trajner i Napolit, duke zëvendësuar Gian Piero Ventura. Ai e ngjiti Napolin nga Seria C ku ra prej problemeve financiare, në Seria B, dhe më tej në Seria A. Pesë vjet drejtoi me sukses në stolin e Napolit. Shkarkohet në fund të sezonit pas një humbje me Lazio, në vitin 2009, duke u zëvendësuar nga një emër tjetër i njohur italian, Roberto Donadoni.

Megjithatë, Reja ndikoi me përzgjedhjen e disa lojtarëve te Napoli, të panjohur deri atëherë, por që arritën majat në karrierën e tyre të mëtejshme, si Ezequiel Lavezzi, Marek Hamshik, Ëalter Gargano, Salvatore Aronica, Christian Maggio.. Karriera e Edy Reja vijoi për një periudhë të shkurtër në Kroaci, e para jashtë Italisë, në drejtimin e Hajduk Split. Më tej ai rikthehet në Seria A, si trajner i Lazio. Tek kjo skuadër, ku pjesë e drejtimit të klubit ishte edhe Igli Tare, në sezonin 2010-11, Edy Reja afron lojtarë si Mauro Zarate, Cristian Ledesma e Stefano Mauri, ashtu sikurse zbulon edhe talentin e brazilianit, Hernanes. Por më 17 maj 2012 ai tërhiqet nga drejtimi i Lazio, pavarësisht se presidenti i klubit i kërkoi që të qëndronte.  Dhe pas përvojës së Vladimir Petkoviç, Reja rikthehet sërish te Lazio në janar 2014, për t’u larguar në fund të sezonit. Në mars 2015 Reja emërohet trajner i Atalanta, skuadra e fundit që ai drejtoi në karrierën e gjatë, deri në vitin 2016. Pas një jete të tërë si futbollist dhe trajner, pavarësisht moshës, nga eksperienca e gjatë, njohjet e ngushta që mban ende me emra si Fabio  Capello, apo ndikimi që patën shqiptarët që e njohin nga afër si Tare e Cana te Lazio, Hysaj te Napoli e Berisha te Atalanta, ndonëse për nga mosha ka pasur skepticizëm prej tifozëve dhe disa opinionistëve, FSHF vendosi t’ia besojë atij Kombëtaren shqiptare. Ashtu si me paraardhësit italianë të Eduardo Reja, Gianni de Biasi dhe Christian Panucci, Shqipëria do të jetë eksperienca e tij e parë në drejtim të një ekipi kombëtar futbolli.