Mehdi Zena: Përveç tallavasë, s’ekziston më këngë popullore e pastër!

Mehdi Zena: Përveç tallavasë, s’ekziston më këngë popullore e pastër!
(nga arkiva me ekselencat në art / Albanian Free Press)

Mehdi Zena është personaliteti më i vlerësuar i këngës së Elbasanit e ndër më të dashurit ndër interpretuesit e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme. Sot ai vjen me një eksperiencë të gjatë në skenë e mes njerëzve, me mbi 1000 këngë të interpretuara mjeshtërisht, me rreth tetë albume e qindra koncerte në skenat dhe ekranet shqiptare e në mbarë botën. Mehdi Zena, njeriu babaxhan që të gjithë e njohin në Elbasan, i dashuruar me këngën e qytetit të tij të zemrës, erdhi nga Gjakova, ku ndodhej për një koncert. Pavarësisht moshës, Mehdi Zena nuk rresht së interpretuari, kur e ftojnë. Gjakova, qyteti i dytë në shpirtin e tij, e mirëpret gjithmonë. Një ngjashëmri notash e traditash por edhe një afeksion njerëzor. Në këtë intervistë për Albanian Free Press, Mehdi Zena na tregon mbi jetën e tij, karrierën dhe koncertet por shpreh edhe shqetësimin mbi gjendjen e këngës popullore sot dhe të drejtën e autorit.

***

Ju njiheni prej më shumë se 4 dekada si këngëtarët më të njohur të trevës së Elbasanit. Si ka nisur karriera juaj?

Karriera ime është shumë  e hershme. Ajo i ka fillimet  që në vitet ‘56-’57, kohë në të cilën  unë kam qenë në shkollë fillore. Kemi marrë pjesë në konkurrim gjatë kohës së shkollës, pastaj siç ishte zakon, zhvilloheshin  konkurrimet midis ndërmarrëve. Unë bëja pjesë në ndërmarrjen e riparim- shërbimeve dhe aty ne kishim një grup shumë të mirë dhe çdo vit nderoheshim me çmimet më të mira. Po ne atë kohë, profesori dhe muzikanti i njohur, Alfons Balliçi, më përzgjodhi dhe me ftoi të beja pjesë në estradën profesioniste të Elbasanit. Ishte viti 1972 kur unë kam marrë pjesë fillimisht në festivalin e parë të këngës popullore qytetare.  Ky festival u përsërit për disa gabime ideologjike, u riorganizua mbas një viti i quajtur me emërtim tjetër, Festivali i këngës popullore qytetare. Në këtë festival unë kam kënduar një duet me të madhin, “Artistin e popullit”, Bik Ndoja. Më pas, ishte normale dhe e kuptueshme që erdhi suksesi dhe vlerësimi dhe karriera ime vazhdoi në estradën profesioniste në Teatri “Skampa”.

Sa ka ndikuar familja, prindërit tuaj, në pasionin për këngën popullore?

Per të gjitha arritjet në jetën time, arritje që më ndjekin edhe sot, nuk do të ndaloj asnjëherë së falënderuari familjen time, nuk më ka penguar në asnjë moment, përkundrazi, më ka mbështetur në çdo hap.

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë? Kishit emocion? Keni qënë shpesh në turne jashtë vendit?

Kam qenë një nga formuesit e ansamblit “Isuf Myzyri”. Pranë këtij ansambli un kam pasur një një karrierë shumë të gjatë, bashkë me aktivitetin në në estradën profesioniste. Me këtë ansambël ne kemi pasur mundësinë të shkojmë në turne  jo vetëm në gjithë Shqipërinë por edhe në shumë vende të botës si në ish Jugosllavi, në Greqi, Gjermani, Suedi, Amerikë, Turqi dhe shumë e shumë vende të tjera. Gjithashtu mbeten në kujtesën time Kosova e vitit 1981 kur ne kemi qenë vetëm 5 këngëtarë dhe me orkestrën e radio televizionit të Prishtinës zhvilluam disa koncerte. Në atë kohë filluan demonstratat por ne vazhduam incizimet në radio dhe filmimet në televizion si dhe koncertet në disa qytete të Kosovës. Me Kosovën si trevë, kemi pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira, sidomos me qytetin e Gjakovës, atë të Pejës dhe Prizrenit. Që nga ato vite unë kam shumë miq të mrekullueshëm atje, mes tyre do të veçoja Shkëlzen Jetishin, Zenel Dolin, Ismet Pejën, Edi Furrën dhe shumë të tjerë.

Cili është mendimi juaj për gjendjen e këngës popullore sot, asaj të Shqipërisë së mesme veçanërisht? A mendoni se bëhet mjaftueshëm nga institucionet për ruajtjen e folklorit?

Mendimi im për këngën popullore sot nuk është ai mendim që ka qenë përpara shumë vitesh sepse në atë kohë, pavarësisht nga sistemi monist, kishte shumë kujdes dhe ruheshin shumë bazat e folklorit, flas për pasterti foklori dhe sidomos kënga popullore kishte vëmendje të veçantë. Kurse sot është shumë ndryshe. Përveç tallavasë, nuk ekziston më këngë popullore e pastër. E them këtë sepse nuk ka asnjë lloj festivali popullor siç kishte në kohën më parë. Nuk ekziston më zinxhiri i talenteve, nuk punohet për të gjetur zërin dhe prirjet, sic bëheshin konkurrimet mes ndërmjarrjeve apo shkollave nga ku dilnin shumë talente. Njeri nga ato talente isha unë vetë. Unë i tërheq vëmendje Ministrisë së Kulturës për këtë gjë që është një gjë shumë alarmante. Nuk duhet lenë folklori, krenaria dhe identiteti i kombit vetëm me një festival në Gjirokastër një herë në 4 vjet.

Disqet me këngët tuaja dëgjohen por edhe tregtohen në tërë trevat shqiptare dhe në diasporë. A keni shqetësim që artistët shqiptarë, si ju nuk përfitojnë nga djersa e tyre?

Si kudo edhe në Shqipëri duhet të respektohet e drejta e autorit dhe nuk bëhet, Ne lëndohemi dhe dëmtohemi sepse ne kemi kontributin tonë, zërin, talentin dhe famën tonë dhe atë e menaxhojnë dhe shesin kioskaxhinjtë, ndaj shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht pasi artistët janë sot më të pambrojturit se asnjë kategori tjetër, ndërkohë që janë pasqyra më e vyer që kemi. Arti dhe muzika jonë është dinjiteti kombëtar. Artistët janë ata që më shumë se kushdo mban të ngritur lart emrin e mirë të Shqipërisë. Ndaj duhen respektuar dhe vlerësuar.

Keni ndonjë këngë të preferuar në repertorin tuaj?

Këngët e preferuara janë shumë por mua gjithmonë, nga të gjitha këngët që kam interpretuar, dhe ato janë rreth 1 mijë këngë, është “S’paske pas një pikë mëshire” e usta Isuf Myzyrit dhe “Kah dera të erdha” e Qamilit të vogël nga Gjakova.

Si ndiheni kur ju quajnë si trashëgimtarë të të madhit Isuf Myzyri?

Këngën nuk e kam vetëm me punë por në radhë të parë e kam  traditë të trashëguar nga babai im që ka qenë krahu i djathtë i usta Isuf Myzyrit. Për mua nuk ka kënaqësi më të madhe se kjo, por do të ishte akoma më e madhe nëse do ta gëzoja këtë trashëgimi nga babai im por ai fatkeqësisht ai u nda nga jeta në moshën 50 vjeçare.

Koha prej 44 vjetësh me këngën popullore më bën edhe sot që mos të ndahem nga Teatri “Skampa”, sot nuk ndahem dot prej miqve të mi, edhe kur nuk kam punë, kaloj ditët e mia duke ndenjur në kafen e teatrit me shokët e mi më të mirë.

Sa ruhet sot kënga e traditës së Elbasanit? A e keni mëkuar ju traditën tuaj tek brezat e rinj?

Sot për sot kënga popullore e trevës së Elbasanit, ajo e pastra fare, ruhet vetëm ne qytetin e Gjakovës dhe në Pejës në Kosovë.

Me djalin tim, Aliun, kam kënduar që kur ai ka qenë 10 vjeç dhe gjithmonë mendoja që diçka do të arrinte.  Por pavarësisht dëshirës time, nuk ndodhi ajo që un mendova sepse djali mori një drejtim tjetër, ai ndoqi shkollimin për muzikë për piano. Megjithatë përsëri është në fushën e muzikës.

Çfarë këshille do u jepnit këngëtarëve të rinj që duan të ndjekin gjurmët tuaja?

Këshilla ime është ajo që thashë edhe më lart, më shumë takime dhe festivale popullore sepse jo vetëm të moshuarit por dhe rinia i pëlqen shumë këngët popullore.

Të rinjve dhe të rejave u jap edhe një këshillë, që të më shfrytëzojnë, dëgjojnë, ndjekin, adhurojnë deri sa të jem gjallë, se pastaj çdo këngë do të ngeli vetëm vjershë.