Mbretëreshat e pasditeve shqiptare

Mbretëreshat e pasditeve shqiptare
Edhe në televizionet e huaja, emisioni i pasdites është një garë mes prezantueseve më të mira. Kjo e ka një arsye. Është orari kur përpara ekranit mblidhen ato, të mrekullueshmet, nënat e gjyshet, shtëpiaket me përparësen e gatimit, sepse janë duke bërë darkën, por që e kanë këtë orar si një çlodhje pas një dite të gjatë me punë e angazhime. Ndaj duhet thënë që edhe në televizionet shqiptare, emisionet e pasdites kanë një audiencë të jashtëzakonshme, madje përbëjnë një pjesë kyçe për televizionet për shikueshmëri dhe reklamë.

Menjëherë e nisim duke thënë se Rudina Magjistari u tregua shumë inteligjente që e kapi këtë detaj, sepse kjo gjë dhe suksesi i saj e mbajti në ekran kaq gjatë, pa ndërprerje. Aq sa salloni i pasdites në TV Klan mban emrin e saj e madje edhe kur u shkëput për lindjen e vajzës së saj të bukur, ekrani nuk e zëvendësoi me askënd. Rudina ka një stil veshjeje dhe paraqitjeje shumë linear. Ajo zgjedh përgjithësisht veshje pasditeje, funde e fustane deri në gju, ngjyra të ndezura e pse jo edhe lule e aksesorë. Veshje të lirshme përgjithësisht, që i përshtaten një moshe mesatare tek një zonjë. Grimi është pa eksperimente, po ashtu edhe flokët.

Pikërisht , tek risia dhe flladi rinor, Bieta Sulo, u tregua e mençur. Ajo guxoi dhe eksperimentoi. Madje e pamë edhe me atlete në emision. Jo rrallë me xhinse e këmisha asimetrike. Bieta e ktheu emisionin në një show shumë spontan e të lirshëm, ku edhe nëse ka shtirje ose parapërgatitje, ato nuk dallohen, duken improvizime. Edhe Bieta është hedhur ndonjëherë në anën e fustaneve mëndafsh me mëngë të gjera e të derdhura e në ngjyrat pastel, por urojmë që atë stilin e saj prej vajze universiteti, ta ruajë.

 

Një risi solli ndërrimi i prezantueseve në televizionin Vizion Plus. Pas shumë vitesh prezantuesja e mëparshme u largua dhe kolltuku i pasdites ju la një këngëtareje, Evi Reçi, e kjo ishte surprizë për spektatorët. Nga Evi, si një vajzë e re që është, e me një stil vetjak shumë interesant, pritej edhe një veshje e tillë në një sallon emisioni pasditeje por kjo nuk ndodhi. Evi i konturua me veshjen me fustane koktejl njëngjyrëshe, të derdhura e me bel, të bukura e me klas, por tashmë shumë të përhapura. Elegante por jo me atë flladin rinor që pritej.