Maturantët, degët ku do të garojnë për të shkuar në universitet

Maturantët, degët ku do të garojnë për të shkuar në universitet
Universiteti i Tiranës në garën e pranimeve të vitit të ri akademik, ekspertët e këtij universiteti bëjnë me dije se kandidatët e këtij viti do mund të konkurrojnë në 143 programe studimi, 35 prej të cilave i përkasin ciklit të parë, ndërsa pjesa tjetër nivelit të dytë “Master profesional”, si dhe “Master shkencor”. Kriteri bazë që duhet të përmbushë secili aplikues është mesatarja e gjimnazit e kërkuar nga qeveria. Ndërkohë që për përzgjedhjen e fituesve fakultetet kanë përcaktuar kritere të tjera specifike që kanë të bëjnë jo vetëm me mesataren e gjimnazit, por edhe të lëndëve preferenciale

Bashkë me kriteret e pranimit për fituesit që do të përzgjidhen për të vijuar për herë të parë studimet përgjatë vitit akademik 2019-2020, Universiteti i Tiranës ka detajuar edhe degët në të cilat maturantët dhe studentët mund të aplikojnë për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta, si në ciklin e parë “Bachelor”, ashtu edhe në nivelin e dytë “Master”. Sipas broshurës informuese të përgatitur për garën e pranimeve të vitit të ri akademik, ekspertët e këtij universiteti bëjnë me dije se kandidatët e këtij viti do mund të konkurrojnë në 143 programe studimi, 35 prej të cilave i përkasin ciklit të parë, ndërsa pjesa tjetër nivelit të dytë “Master profesional”, si dhe “Master shkencor”. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë listën e programeve të studimit për të gjashtë fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Tiranës, si dhe filialin e Sarandës.

Kushtet

Në përbërjen e tij Universiteti i Tiranës ka 6 fakultete përkatësisht: Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Fakultetin e Ekonomisë dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Për të hyrë në garë për vijimin e studimeve të larta kriteri bazë që duhet të përmbushë secili aplikues është mesatarja e gjimnazit e kërkuar nga qeveria. Ndërkohë që për përzgjedhjen e fituesve fakultetet kanë përcaktuar kritere të tjera specifike që kanë të bëjnë jo vetëm me mesataren e gjimnazit, por edhe të lëndëve preferenciale.

Aktualisht fakultetet janë duke vlerësuar kapacitetet e mundshme pritëse për të propozuar më pas edhe kuotat e pranimit për secilin cikël studimesh. Sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin e arsimit të lartë, programet e ciklit të parë të studimit, referuar organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike.

Programet

Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm  përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa, programet e studimit “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike, si dhe programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e drejtësisë, mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës. Këshilli i Ministrave përcakton fusha të tjera, në të cilat mund të ofrohen programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë. Ndërsa programet “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer. “Në Universitetin e Tiranës studiojnë rreth 25.000 studentë në të tre ciklet e studimit. Universiteti i Tiranës është partner i programit “Erasmus +” të Bashkimit Evropian. Në kuadër të këtij programi, çdo vit, rreth 100 studentë nga Universiteti i Tiranës kryejnë një periudhë mobiliteti 6- mujore (një semestër) në një universitet evropian. Po ashtu, Me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr.84 datë 27.10.2018, Universiteti i Tiranës u akreditua për një periudhë 4-vjeçare deri në datë 26.10.2022”, vënë në dukje ekspertët e këtij institucioni të arsimit të lartë publik.

 

1)PROGRAMET E STUDIMIT NË FAKULTETIN E SHKENCAVE TË NATYRËS

Programe të ciklit të parë të studimeve Bachelor në:

Teknologji Informacioni dhe Komunikimi

Bioteknologji

Fizikë

Biologji

Kimi

Kimi Industriale e Mjedisore

Kimi dhe Teknologji Ushqimore

Informatikë

Matematikë

Inxhinieri Matematike dhe Informatikë

Cikli i dytë Master profesional

Bioteknologji Mjedisore

Informatikë Biznesi

Inxhinieri Matematike dhe Informatike

Teknologji Informacioni

2) PROGRAMET E STUDIMIT NË FAKULTETIN E EKONOMISË

Programe të ciklit të parë të studimeve Bachelor në

Financë

Ekonomiks

Informatikë Ekonomike

Administrim Biznesi

3) PROGRAMET E STUDIMIT NË FAKULTETIN E HISTORISË DHE FILOLOGJISË

Programe të ciklit të parë të studimeve Bachelor në:

Histori

Gjuhë Letërsi

Gjeografi

4) PROGRAMET E STUDIMIT NË FAKULTETIN E DREJTËSISË

 

Studime të integruara në fushën e drejtësisë

5) FAKULTETI I GJUHËVE TË HUAJA

Programe të ciklit të parë të studimeve Bachelor në:

Gjuhë Angleze me profile: gjuhë angleze, përkthim dhe interpretim, studime britanike dhe amerikane.

Gjuhë Frënge me profile: gjuhë dhe komunikim, gjuhë letërsi dhe qytetërim frëng, përkthim dhe interpretim.

Gjuhë Gjermane me profile: gjuhë dhe komunikim, gjuhë letërsi dhe qytetërim gjermanishtfolës, përkthim dhe interpretim.

Gjuhë Italiane me profile: gjuhë dhe komunikim, gjuhë, letërsi dhe qytetërim italiane, përkthim dhe interpretim.

Gjuhë Turke me profile: gjuhë, letërsi dhe qytetërim turk, përkthim dhe interpretim.

Gjuhë Ruse me profile: gjuhë, letërsi dhe qytetërim rus, përkthim dhe interpretim.

Gjuhë Spanjolle me profile: gjuhë, letërsi dhe qytetërim hispanik.

Gjuhë Greke me profile: gjuhë, letërsi dhe qytetërim grek, përkthim dhe interpretim.

 

6) PROGRAMET E STUDIMIT TEK FAKULTETI I SHKENCAVE SOCIALE

Programe të ciklit të parë të studimeve Bachelor në:

Punë Sociale

Psikologji

Shkenca Politike

Administrim dhe Politikë Sociale

Filozofi

Sociologji

7) Filiali Sarandë

Programe të ciklit të parë të studimeve Bachelor në

Administrim Biznes

Gjuhë Angleze