LOKOMOTIVA DHE VAGONËT E PD-së – ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

LOKOMOTIVA DHE VAGONËT E PD-së – ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Historia 80-vjeçare e sondazheve politike në botë na tregon se, në shumicën dërrmuese të rasteve, kuotat e udhëheqësve të partive janë më të larta se kuotat e partive përkatëse. Kjo gjë ishte e vërtetë për PD-në në qershorin e 2015-ës.

Para zgjedhjeve lokale të 2015-ës, zhvillova një sondazh, nga ekstrapolimi i të cilit më rezultoi se për Bashën (kryetarin zyrtar të PD-së), kishin opinion pozitiv rreth 750 mijë votues me banim në Shqipëri (34% e banorëve në moshë madhore). Ndërkohë, kandidatët për kryebashkiakë të përzgjedhur nga Basha morën 670 mijë vota në ato zgjedhje. Për krahasim, koalicioni i Berishës kishte pas marrë 680 mijë vota dy vjet më parë. Me pak fjalë, Basha iu përmbajt aksiomës 80-vjeçare të sondazheve: Ishte lokomotiva ajo që tërhoqi vagonët...

Le të zhvendosemi dy vjet në kohë. Dhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, zhvillova një sondazh, nga ekstrapolimi i të cilit më rezultoi se për Bashën (kryetarin e PD-së), kishin opinion pozitiv vetëm 350 mijë votues me banim në Shqipëri (17% e banorëve në moshë madhore).

Ndërkohë, kandidatët për deputetë të përzgjedhur nga Basha morën në zgjedhje 455 mijë vota. Me pak fjalë, Basha nuk iu përmbajt aksiomës 80-vjeçare të sondazheve: Në këtë rast ishin vagonët që shtynë lokomotivën…

Dhe vijmë në ditët e sotme. Javën e shkuar, kompania IPR marketing (zhvillon sondazhe për RAI-n sa herë ka zgjedhje në Itali) publikoi sondazhin e saj në një televizion në Tiranë.

Nga ekstrapolimi i atij sondazhi, rezulton se rreth 580 mijë votues me banim në Shqipëri janë gati të votojnë sot për PD-në, ndërkohë që vetëm 290 mijë (13.7% e banorëve në moshë madhore) kanë opinion pozitiv për Bashën, kryetarin zyrtar të PD-së. Me pak fjalë, Basha vazhdon të mos i përmbahet aksiomës 80-vjeçare të sondazheve: Edhe në këtë rast janë vagonët që shtyjnë lokomotivën.

Por cili nga vagonët mund të jetë më vendimtari në shtyrjen e trenit elektoral të PD-së. Hamendja është e lehtë për t’u bërë në këtë rast. Sidoqoftë, le të mos mbetemi në fushën e hamendjeve – le t’u referohemi sondazheve.

Nga ekstrapolimi i sondazheve të sipërcituara e të disa sondazheve të tjera, rezulton se, në katër vjetët e fundit, 620-635 mijë votues me banim në Shqipëri kanë opinion pozitiv për Berishën. Ndërkohë, siç u përmend më sipër, kuota aktuale e PD-së është 580 mijë dhe e Bashës vetëm 290 mijë.

Doni më për lokomotivën dhe kryevagonin lëvizës të PD-së?....

Shënim i autorit: Me përkufizim, sondazhet nuk janë instrumente precize – ato kanë një marzh të vogël gabimi statistikor. Sidoqoftë, sondazhet politike shërbejnë për të krijuar një tablo të përafërt të prirjeve elektorale.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press