Leksion 20-vjeçarësh në Torino: Ja sesi luhet futbolli!

Leksion 20-vjeçarësh në Torino: Ja sesi luhet futbolli!
Skema e përdorur ndaj Juves, me 12 pasime të sakta në 20 sekonda nga portieri Andre Onana deri te sulmuesi Dusan Tadic, në zonën kundërshtare, “tronditëse” për skemat e përdorura deri tani 

Trajnerë, futbollistë dhe tifozë anembanë botës ishin dëshmitarë se disa lojtarë të rinj të Ajaksit të Amsterdamit nuk ishte rastësi që larguan kampionët në fuqi të Europës, Real Madrid nga Champions League. Këta të rinj, emrat e të cilëve pakkush i dinte, sapo eliminuan nga Champions League Cristiano Ronaldo me shokë, që konsideroheshin favoritët kryesorë të këtij sezoni.

Jo të gjithë e dinë sesa i veçantë është Ajaks, nga historia që ka si klub futbolli. Dhe e tërë filozofia e Barcelonës mbetet e lidhur ngushtë me atë Ajaks, falë legjendarit Johan Krujf. Disa muaj më parë talenti Frenkie de Jong nënshkroi e do t’i bashkohet Barcelonës për 85 milionë euro. Medoemos janë surprizuar të rinjtë e lindur pas ’90, sepse nuk e kanë parë dot ekipin, që ngriti trofeun e Champions League, për herë të katërt e të fundit në histori, dhe pas 25 vite pritjeje, ndoshta janë gati të ngrenë trofeun e radhës.

“Mënyra sesi duhet të luhet futbolli!”. Ishte kjo fjalia përmbledhëse e paraqitjes më të fundit të Ajaksit, lojtarët e të cilëve për shumë specialistë po luajnë një stil të ri të “Futbollit Total”. Kjo skuadër duket se po sjell një revolucion dhe ngjason me atë të fillimit viteve ’70, kohë kur Krujfi me shokë e fituan tre herë radhazi Champions, duke dhuruar futbollin më të bukur që ishte parë deri në atë kohë. Me 12 pasime të sakta në 20 sekonda nga portieri Andre Onana deri te sulmuesi Dusan Tadic, ku të gjithë lojtarët e prekën topin, Ajaksi zbriti në portën e Juves me një aksion ideal për gol. Gjiganti holandez prodhoi një tjetër ndeshje të madhe dhe paraqitje të jashtëzakonshme në Champions, duke eliminuar Cristiano Ronaldo me Juven të mprehur për trofeun. Edhe me arritjen në gjysmëfinale, Ajaksi e ka shkruar historinë.  Por historia tregon se kjo skuadër nuk ndalet me kaq. Në gjysmëfinale pritet të diskutojë finalen me Barçën, dy ekipet britanike, që do të diskutohen mes City e Totenhem e nga ana tjetër Liverpool dukshëm favorit, pas fitores 2-0 kundër Porto.