KU ISHIT JU? – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

KU ISHIT JU? – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Simbolet e një partie, shoqate, institucioni janë figurat me të cilat mësohemi ndër kohë, si një lojë e pamjeve me trurin, janë pikërisht simbolet që na mbeten në mendje e nëse përkrahim ndonjë kauzë, simbolet janë ato që na bëjnë dritë e na ndezin, nëse flasim për një organizim më madhor. Partia Demokratike e nisi me një simbol shumë të qartë jetën e saj politike. Vinte pas një diktature të gjatë dhe bëri historinë e demokratizimit të vendit, theu tabu’, çliroi shpirtra. Në krye të të gjithë kësaj, janë pikërisht simbolet e saja. U gjetën e u krijuan shumë të qarta. Ngjyrë e bardhë dhe bojëqielli. Ngjyra e kaltër, e cila ju vu përballë në sfidë së kuqes së vjetër të së majtës, herë edhe në rozë e më pas në mavi, përfaqëson në spektrin e ngjyrave simbolin e komunikimit dhe emblemën e idealizmit dhe ndershmërisë. Ngjyra e kaltër përqafoi bukur siglën në të bardhë, ngjyrën mbretëreshë personifikim i purifikimit, nisjes së re, paqes dhe lirisë.  Pra pastër, bukur, pa gabime, Partia Demokratike si parti e lirisë, paqes, idealizmit, ndershmërisë, si një nisje e re për shqiptarët dhe kombin. Pavarësisht uljeve dhe ngritjeve, askush dhe asgjë nuk kishte guxuar të prekte ose cenonte simbolet e saja, të cilat ishin një thirrje për mijëra, qindra mijëra militantë e dashamirës të saj në sheshe e fushata, takime e inaugurime. Kur Lulzim Basha erdhi në krye të saj, nuk besoj se ndokush mendoi se do të vihej dorë mbi simbolet por ndodhi. U bë ngadalë e ngadalë, tinëz, maskuar si një risi, si një thyerje e monotonisë shumëvjeçare, një frymë e re, një dorë disenjatori që e theu të kaltrën me ca portokalli e ndonjë vizë të bardhë. Erdhën zgjedhjet dhe ja ku flamujt nuk ishin kund këndej nga Tirana e as në tubimet zyrtare. Ndonjë takim rrethesh ose bastioni ngriti kokë e aty më në fund pamë simbolet e dashura, por kaltërsia e PD-së u fshi. Doli në skenë “republika e re”, pas “rilindjes” kjo “R” e dytë e politikës solli me vete edhe simbolet e saja kudo, në kapele, bluza, flamuj, banderola, afishe. Nën zë pjesa më e madhe mes nesh që ishim pjesë e aparatit burokrat të PD-së në terren  shprehu hapur pakënaqësinë e saj, u ndjemë të humbur, të ligështuar, lufta politike ishte bërë më e vështirë, firon e votave e kishim ndjerë të gjithë e kur edhe simbolin e PD-së nuk e pamë më, u thyem përfundimisht në moral. Forumet e rinisë jo rrallë u anashkaluan duke u zëvendësuar me studentë anonimë me bluza të bardha paguar nga “republika e re”, kapele e flamuj të bardhë, si flamuj dorëzimi, armëpushimi, quajeni si të doni. Nëse kemi sy, veshë e memorie, nuk mund ta mohojmë këtë, ne ishim aty të gjithë.

Prandaj m’u duk një absurditet i madhe që shumë njerëz që njoh, shprehën indinjatën e thellë deri në kërcënim për faktin që simboli i partisë së re të djathtë “Bindja Demokratike” ishte, sipas tyre, një kopjim. Reagimin me pathos në mbrojtje të simboleve të PD-së e kuptoj fare mirë, më ndizej gjaku dhe më ka folur jo pak gjuha hapur kundër simboleve të “republikës së re të rilindur”. Por ku ishit ju, që sot indinjoheni edhe me ca fjalë të rënda e të pista nga pas, në fushatë, kur shikonit me sytë tuaja se u ishin zhdukur simbolet që prinin po atë parti? Pse vallë nuk e zutë për fyti atë dobiç tru që ideoi një blasfemi të tillë? Si pranuat vallë aq lehtësisht që një historik i tërë i partisë tuaj të fshihej nga një plan që u duk hapur që do të dështonte siç ndodhi në realitet? Aq të zjarrtë sa jeni e për këtë ju admiroj, pse nuk u treguat edhe atëherë kur patë në takime e tubime të tjera simbole, një imitim i shëmtuar i të gjithë strategjisë së “rilindjes”? Sa herë mblidheshit nëpër kafe ju e thoshit këtë, me mllef madje. Por pse nuk i mbrojtët simbolet tuaja atëherë aq sa i mbroni sot? Ato simbole bardhë e blu, që sot i rimorën në duar, si një rrobë e vjetër e lënë në magazinë që t’i vijë prapë moda, u duhen tani, sepse duan të jenë ngrohtë, u erdhi përsëri koha militantëve të djersitur me flamuj në duar, u duhen njerëz tani, ca si ju që harroni shpejt e që mbani gjallë e në këmbë partinë por fatkeqësisht edhe ata që vendosën, për karrigen e tyre, të fshijnë çdo gjë të ndritur që ju bëtë e latë pas për historinë.