KOMBI NUK SHKON NË LUFTË – OPINION NGA FRROK ÇUPI

KOMBI NUK SHKON NË LUFTË – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të paktën dy herë në këto tre dekada kombi ynë është rreshtuar për luftë, por nuk fitoi gjë. Në vitin 1997 humbi rreth 3 mijë jetë njerëzore dhe buxhetin e shtetit e çoi në zero; ndërsa herën e dytë- 1998, humbi ‘heroin e demokracisë’ dhe përdhosi altarët e shtetit, por prapë me humbje...

Ka rreth dy muaj që kombit po i bëhet thirrje ‘për luftë’, por tani nuk shkon më atje. Numri i njerëzve që një herë në javë dhe një herë në muaj ‘kruajnë brirët’ me muret e zyrave të shtetit, është shumë i natyrshëm: çdo komb i ka kaq të marrë, terroristë ose delinkuentë! Liderët politikë që bëjnë thirrje për ‘luftë’ e dinë paradigmën se më në fund lufta e bashkon kombin rreth liderëve, sado të mjerë të jenë liderët dhe sado idiote të jetë lufta. Ky ishte shansi i fundit i liderëve të opozitës për të mbledhur njerëz rreth vetes, duke shpallur luftë; por as këtë nuk e bënë dot.

Kombi nuk shkon në luftë.

1.

Sepse kombi nuk ka më kënaqësi për luftë. Ka një mundësi potenciale, siç e mendojnë edhe prijësit e opozitës, se kombi ka raste kur shkon në luftë për argëtim ose edhe për përfitim. Kjo epokë ka mbaruar; edhe pse nuk ka qenë kurrë ‘epokë’ për kombin tonë: Kurrë nuk pushtuam territore të kombeve të tjerë, kurrë nuk bëmë as u bëmë koloni; kurrë kombi nuk u argëtua me robinat e kombeve të tjerë dhe nuk mblodhëm arin e lirë të kombeve të tjerë. Prijësit luftë-nxitës të PD dhe LSI, në këtë rast, e kanë humbur shansin. Shtetet e Bashkuara i bëri thirrje përfaqësuesve të kombit tonë ‘refuzoni PD dhe LSI’; Amerika i priste rrugën luftës. Nëse do të ketë përfitime dhe kënaqësi nga lufta ku duan ta hedhin kombin, përfitojnë vetëm ‘floriri’ që nënkupton familjen presidenciale dhe familjen tjetër klanore PD. Atëherë, askush tjetër nuk është për luftë.

2.

Kombi nuk shkon në luftë pse kërcënojnë luftë- ndjellësit. Prej një kohe të gjatë, prijësit e dy klaneve politike luftënxitëse, po bëjnë thirrje: “Luftë!, vdekje!, helimim!, zi!, vrerë!, vaj në vesh! Varje!, djegie!...’, me qëllim që t’i tregojnë kombit se ‘nuk ka rrugë tjetër’. Fushata më e egër po zhvillohet brenda ‘klikës’ , domethënë brenda Partisë; njësoj siç ndodhi në luftën e parafundit, 1997. Atëherë u helmua Partia Demokratike, u shpallën tradhtarët, u thërritën shërbëtorët e shërbimeve të huaja brenda Partisë, dhe u lëshuan avionët për të helmuar popullin. Deputetët e rinj të opozitës sot po kërcënohen me vdekje. ‘Nëse shkoni në Kuvend, ta dini se do të vriteni!’, ka kërcënuar LSI deputetët e vet, sipas njërit nga deputetët. Por as në epokën e nazizmit, kërcënimi si ky nuk ‘piu ujë’. Gjermanit Volfgang Kuserovi, njësoj si sot Ralf Gjonit të LSI, i prenë kokën në moshën 20 vjeç vetëm pse nuk pranoi të shkonte në luftë.

3.

Kush përfiton nga lufta? Kombet nuk kanë përfituar kurrë; ndërsa kombi ynë ka humbur në të gjitha luftërat mes veti. Luftën e Dytë Botërore ku doli fitimtar mes koalicionit antinazist, e humbi menjëherë sapo nisi lufta brenda: Krijoji diktaturë. Luftën e vitit 1996, ku u vodhën tragjikisht votat, e humbi duke gjakosur e vrarë deputetë socialistë, themelues të PD, gazetarë, dëshmitarë të agjenturave të huaja, priftërinj... Edhe luftën e vitit ’97 e humbi tragjikisht; 6000 ushtarë të huaj mbërritën që të ruajnë paqen mes nesh, 3000 frymë njerëzore shkuan dhe prosperiteti u kthye njëmijë vjet pas... I vetmi që përfiton nga lufta është ‘lideri i humbur’. Në vitin ‘97 qeveria e PD e pa veten të humbur, dhe prandaj hapi depot ushtarake që njerëzit të vriteshin mes tyre. Tani ja ku jemi. A më thoni, vallë, kombi do që të shkojë në luftë si ajo?

4.

Vetëm liderët e humbur thonë ‘po, duam të shkojmë në luftë!”. PD dhe LSI, plus ca çerra të tjerë, janë të humbur, prandaj kërkojnë luftë. Në luftë do të digjen të tjerë, ndërsa këta do të përfitojnë. Çfarë përfitojnë? Ju mendoni se është fjala për 13 milionë euro që do të marrë Luli?... Jo, jo! Do të përfitojnë ‘gropën’. E dini cila është gropa? ‘Gropa’ është vendi ku janë mbytur kushedi sa viktima që ne ia kërkojmë ajrit, por i ka vrarë politika; gropa është plaçkitja pa fund që nga firmat piramidale, floriri, thesari, nafta, ‘Dritan Prifti’, rruga e Kombit, bulevardi Dëshmorët e Kombit... Nëse këto nuk varrosen, atëherë fati i liderëve ‘luftënxitës’ ndodhet në fije të perit. Haku i kombit po bie mbi ta para se kombi të shkojë në luftë për ta! Nëse kombi do të shkonte në luftë, atëherë krimi i madh kundër kombit do të groposej përjetë.

5.

Kombi tani është vënë në rolin e krijuesit të botës; ky duhet të drejtojë të shtrembëtën dhe të korrigjojë çmendurinë e liderëve. Kombi ka humbur përfaqësuesit, të cilët kanë dalë malit për luftë, dhe tani kombit i duhet të zgjidhë vetë të gjitha. Njësoj si në kohën e Aristotelit kur ‘kombit i duhej të rriste fëmijët, të punonte tokën, por edhe të merrte pushkën për të ruajtur kufirin’. Zgjedhja e parë e kombit tonë në këtë rast është: Të mos shkojë në luftë! Liderët e vet e turpëruan në sy të botës duke e vënë në tabelën: “popull kriminel dhe i luftës”. Tmerr. Këta të këtushmit kanë invaduar Europën duke kërkuar: “mos e pranoni kombin shqiptar në Europë’... Prandaj ky komb ndodhet në epokën e Aristotelit. Tani duhet të zgjedhë si Jezusi. Jezusi iu tha dishepujve: “Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që iu përndjekin... (Mateu 5:44,45).

Në këtë ‘luftë’ armiqtë i kemi tanët...

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press