Kolla tek fëmijët, si duhet të trajtohet

Kolla tek fëmijët, si duhet të trajtohet
Kolla është një veprim kritik, refleksiv dhe mbrojtës për të nxitur pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes. Materiali që kollitet (që nxirret ose që tentohet të nxirret nëpërmjet kollitjes) mund të jetë pasojë e një infeksioni (për shembull të bronkeve, sinuseve, mushkërive), por edhe një objekt i ngecur aksidentalisht në rrugët e frymëmarrjes (mbeturina ushqimore, ose ndonjë lodër e vogël). Një kollë mund të jetë edhe si rezultat i funksionit të dëmtuar të mushkërive, apo keqformimeve të lindura (kongenitale). Pothuajse të gjithë fëmijët do të kolliten herë pas herë gjatë moshës së tyre fëminore.

Megjithatë, kujdes duhet të bëhet në rastet e kollitjes së përsëritur, dhe në rastet kur keni vështirësi të frymëmarrjes të shoqëruar me kollë, kollitje me sputum (me gëlbazë), kollitje me gjak , situata të cilat kërkojnë një vlerësim të plotë dhe në kohën e duhur nga ana e mjekut. Shumica e specialistëve karakterizojnë simptomën e kollës si: “akute”, kur ajo zgjat më pak se katër javë dhe si: “kronike” kur ajo zgjat më shumë se katër javë.

Shkaqet

Shkaku numër një do të ishte ajo që njihet rëndom si “ftohje e zakonshme”, që vjen si rezultat i infeksioneve të rrugëve të sipërme respiratore. Në këto raste kemi më së shumti inflamim (infektim) të mukozës së këtyre rrugëve (si sinuset, faringu, apo laringu) dhe prodhim të sekrecioneve, të cilat bien nga pas në zonën e grykës.

Këto sekrecione fëmijët mund t’i gëlltitin gjatë natës, por edhe mund të provokohet një kollë (e fortësisë së mesme) si rezultat i ngacmimit reflektiv të qendrës së kollës. Kollitja në këtë rast shërben si akt reflektor për pastrimin e këtyre sekrecioneve. Ndonjëherë kollitja mund të shoqërohet edhe me të vjella.

Irritimi dhe edema (enjtja) e zonës ku ndodhen kordat, e si rezultat i një infeksioni viral mund të shkaktojë një kollë karakteristike si “fërshëllimë,”. Infeksionet e sinuseve (sinuzitet), në përgjithësi janë ndërlikime të ftohjes së zakonshme. Ato shoqërohen me kullime sekrecionesh të trasha në ngjyrë të verdhë, ose të gjelbër në zonën e grykës dhe mund të shkaktohen si nga bakteret, ashtu edhe nga viruset.

Po ashtu, shkaktarë të kollës janë edhe infeksionet e rrugëve më të thella respiratore, si: bronkitet, pneumonitë, apo bronkopneumonitë.

Mjaft të shpeshta janë edhe rinitet alergjike që nxisin prodhimin e bollshëm të sekrecioneve në zonën e hundës, të cilat pastaj rrëshqasin në zonën e fytit duke ngacmuar zonët e kollës. Tek fëmijët e vegjël është mjaft e shpeshtë edhe kolla si rezultat i refluksit gastro-ezofageal (kthimi mbrapsht i

ushqimit ose i lëngjeve acide të stomakut në kavitetin e gojës) . Aciditeti stimulon ngacmimin reflektor të kollës.

Si shkaqe të rralla të shfaqjes së kollës në moshat fëminore mund të përmendim sëmundje të lindura, ose të fituara të zemrës, fibrozën cistike, keqformimet e lindura të rrugëve të frymëmarrjes, ose të enëve të gjakut rreth kësaj zone. Natyrisht që edhe këto shkaqe të rralla nuk duhen neglizhuar, por së pari duhet të jenë përjashtuar shkaqet e zakonshme, ose rutinë.

Trupat e huaj

Për moshat e vogla një faktor i lartë rreziku renditet dhe gëlltitja e trupave të huaj. Çdo objekt që nuk kalon në ezofag (vazhdimi i aparatit tretës pas hapësirës së gojës) ka rrezikun që të aspirohet (të thithet) nga trakea që i takon aparatit respirator(të frymëmarrjes). Në këtë rast shfaqet një kollë e fuqishme si refleks mbrojtës dhe përpjekje për ta nxjerrë jashtë trupin e huaj. Këto raste kërkojnë trajtim urgjent në spital për nxjerrjen jashtë të trupit të huaj

Kolla kronike

Studimet kanë vlerësuar se rreth 5 deri në 7 për qind e fëmijëve të moshës parashkollore dhe rreth 12 deri në 15 për qind e fëmijëve më të rritur mund të preken nga kolla kronike. Sipas statistikave, meshkujt janë më të predispozuar ndaj kollës akute, ndërsa femrat ndaj kollës kronike.

Shkaku më i shpeshtë i kollës kronike është irritimi i rrugëve të frymëmarrjes nga ndotja, tymi apo alergenët e ndryshme (substancat që janë shkaktare të alergjive të ndryshme). Disa fëmijë janë më të prirur të reagojnë ndaj faktorëve të tillë irritues sesa bashkëmoshatarët e tyre, mekanizëm ky i cili ende nuk është shumë i qartë.

Po ashtu edhe infeksione të rënda të rrugëve respiratore qofshin këto bakteriale, virale, apo mykotike mund të kenë pasojë kollën kronike, e cila ndodh si rezultat i komplikacioneve që mund të shkaktojnë këto gjendje.

Kolla mund të jetë kronike edhe si rezultat i një tiku nervor që zhvillojnë disa fëmijë. Ata kanë idenë sikur vazhdimisht kanë diçka në fyt dhe që kërkojnë ta nxjerrin jashtë nëpërmjet kollës. Por që të arrijmë në këtë përfundim duhet të kemi përjashtuar arsyet e mundshme objektive të kollës.

Sëmundja

Ashtu si edhe në shumicën e vlerësimeve mjekësore duhet marrë një anamnezë e hollësishme e historisë së sëmundjes dhe të kryhen ekzaminimet e duhura mjekësore. Çështjet që duhen vlerësuar gjatë marrjes së historisë së kollës së fëmijërisë përfshijnë së pari kohëzgjatjen dhe intensitetin e kollës (sa e fortë është kolla), karakteri i kollës ( për shembull, si fërshëllimë, si e lehur qeni, kollë e thatë apo e njomë, me gëlbazë, etj).

Gjithashtu kanë rëndësi faktorët që e nxisin, apo e shtojnë kollën (për shembull sforcot fizike të cilat prodhojnë vështirësi të frymëmarrjes dhe shtim të kollitjes, faktorë të ndryshëm alergjikë, si dhe situata të ndryshme emocionale).

Trajtimi

Në varësi të shkakut bëhet edhe trajtimi adekuat i kollës. Përsa i përket infeksioneve rutinore (ftohja e zakonshme) të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, ato i përgjigjen mjaft mirë regjimit të shtrati dhe përdorimit të lëngjeve të ngrohta. Natyrisht nëse situata komplikohet, atëherë mjeku përcakton mjekimin e duhur sipas simptomave të paraqitura nga pacienti. Studimet kanë treguar që deri në moshën gjashtë vjeçare duhen përdorur me shumë kujdes preparatet OTC (ato që mund të merren në farmaci pa recetën e mjekut), pasi është vëne re se në këto mosha janë vënë re në mënyrë të shprehur të efekteve të tyre anësore.

Prandaj është e këshillueshme që edhe ato të përdoren sipas porosisë së mjekut, në varësi të situatës individuale shëndetësore të fëmijës. Sa i përket infeksioneve bakteriale , natyrisht që vlen përdorimi i antibiotikëve në varësi të rezultateve të ekzaminimeve përkatëse.

Ndërsa tek infeksionet virale përdorimi i antibiotikëve nuk ka asnjë lloj vlere. Prandaj siç e kemi theksuar gjithmonë, nuk duhet shkuar direkt në farmaci për të zgjedhur ilaçet, por direkt te mjeku i familjes për të bërë vlerësimin e duhur të situatës shëndetësore.