“Katar 2022”, Shqipëria dhe “gjurmët” e saj në Nigeri  

“Katar 2022”, Shqipëria dhe “gjurmët” e saj në Nigeri  
Për të realizuar objektivin historik të kualifikimit në Botërorin e ardhshëm , projekti kuqezi parashikon edhe një revolucion në mentalitetin e deritanishëm të Kombëtares 

Gjatë një muaji trajneri i ri kuqezi, Edy Reja, duhet të marrë në konsideratë propozimin për të afruar në Kombëtaren shqiptare dy lojtarë të huaj, emrat e të cilëve do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara për t’u pajisur me nënshtetësi shqiptare. “Albanian Free Press” mësoi se përveç të rinjve të talentuar me origjinë shqiptare, në planet e së ardhmes për Shqipërinë janë edhe dy lojtarë që vijnë nga kontinente të largëta. Bëhet fjalë për mbrojtësin 23 vjeçar me origjinë shqiptare, Tomas Guidara, dhe sulmuesin e ri e të talentuar nigerian, Peter Olayinka. Talenti i këtij të fundit, ndonëse lindur dhe rritur në Nigeri, u zbulua në vendin tonë dhe pavarësisht largimit, fillimisht drejt Belgjikës e më Çekisë, ai ka pranuar ofertën për t’iu bashkuar Kombëtares sonë, çka ka bërë bujë edhe në vendlindjen e tij. Olayinka shihet lojtar i së ardhmes, madje vlera e kartonit të tij në treg kap një shifër më të lartë se vlera e çdo sulmuesi shqiptar. Vende si Franca, Holanda e Anglia, kanë pasur sukses me futbollistë të natyralizuar, ndaj edhe kjo ka bindur Shqipërinë që të kryejë një lëvizje të tillë, mbi projektin e saj ambicioz për kualifikimin historik në Botërorin “Katar 2022”. Gjithsesi, për të dy lojtarët, sikurse për afrime të tjera, kërkohet miratimi i Reja, në të kundërt, nëse Shqipëria nuk kualifikohet në Euro 2020, të ardhmen e tyre e vendos pasuesi i tij në stolin kuqezi.

Tomas Guidara

Shqipëria është gati të afrojë për herë të parë në historinë e saj lojtarë që vijnë nga kontinente të tjera, si Afrika, apo Amerika Latine, për shkak të origjinës, apo të rastësisë që i lidh ata me vendin tonë. Tomas Guidara, 23-vjeç, mbrojtës i Belgrano, i cili po shkëlqen në kampionatin e vendit të tij të lindjes, Argjentinë, ka tërhequr prej muajsh vëmendjen e stafit kuqezi, për shkak të origjinës. Vlera aktuale e tregut për Guidara është 1. 5 milion euro, që është edhe vlera e tij më e lartë në karrierë, ndërkoha që mosha është tepër premtuese. Mbrojtësi ka një origjinë të hershme shqiptare dhe është kontaktuar disa muaj më parë nga ish-trajneri i Kombëtares Christian Panucci, për të pranuar ofertën e kuqezinjve. Para se të vishej kuqezi, ai duhet të fitonte nënshtetësinë shqiptare, mirëpo me largimin e Panucci, për të ardhmen e tij vendos aktualisht trajner i sapoemëruar, Edy Reja.

Peter Olayinka

Peter Olayinka, 23-vjeç, spikati si talent në Shqipëri. Aktualisht sulmues i Slavia Pragë, ai ka një vlerë tregu prej 3.3 milionë euro. Olayinka erdhi që 17-vjeç në Shqipëri ku edhe u bë fillimisht pjesë e Bylis, për të kaluar më pas te Skënderbeu. Ai u shit gati tre sezone më parë për 1.1 milion euro në Belgjikë, për t’u transferuar këtë sezon në Çeki me Slavia Pragë. Emri i Olayinka, për cilësitë e tij, iu propozua fillimisht ish-trajnerit, Gianni de Biasi, kohë kur ai ende nuk kishte dhënë prova jashtë vendit tonë, ndaj edhe ky propozim u pa me skpeticizëm. Ndërkohë që në ato vite De Biasi e pati të vështirë të gjente hapësira për lojtarë si Milot Rashica, i cili në mungesë të vëmendjes së tij, u largua në shenjë pakënaqësie drejt Kosovës. Rashica po shkëlqen në Gjermani, me Verder Bremen. Sulmuesi i Kosovës është aktualisht një ndër lojtarët shqiptarë me vlerën më të lartë në treg, përveç se ka të ardhmen të sigurt, madje ai konsiderohet “pengu i madh” i Kombëtares shqiptare. Rashica ishte pjesë e Shqipërisë, por De Biasi nuk e përfshiu në Euro 2016, çka solli edhe largimin e tij.