JAVA E 30-të/ Tirana i kërkon një nder Partizanit

JAVA E 30-të/ Tirana i kërkon një nder Partizanit
E rrallë për rivalët historikë, por e zakonshme për Luftëtarin që i ka shpresat te të Kuqtë

Kastrioti do të luajë në Krujë këtë fundjavë kartat e fundit të mbijetesës. Përballë do të ketë Partizanin, prej të cilit Luftëtari pret ndonjë nder, pse jo edhe rivali historik i të kuqve, Tirana.

Ndeshjet e javës së 30-të në Kategorinë Superiore nuk do të luhen të dielën, për shkak të festës së Pashkëve, por një ditë më parë dhe për të shmangur ndonjë kompromis ato do të luhen në një orar. Të kuqtë e Skënder Gegës, me plot 12 pikë diferencë karshi vendit të dytë, kanë luksin të luajnë pa presion me Kastriotin, por a do të shuajë Partizani shpresat e krutanëve për mbijetesë?

Tirana pret në “Selman Stërmasi” Kukësin e vendit të dytë, me shpresë për të marrë pikët maksimale, pasi në të kundërt, një fitore e Kastriotit mund ta afrojë sërish pranë rrezikut. Luftëtari nga ana tjetër përballet në Vlorë me Flamurtarin.

Ndaj fqinjëve vlonjatë të cilët shpresojnë që të ruajnë vendin e tretë për një vend në Europa League, Luftëtari kërkon të shmangë medoemos humbjen, për të larguar një herë e mirë ethet “e rënies” nga kategoria. Teuta pas disa rezultateve zhgënjyese merr në tavolinë tre pikë, në përballjen me Kamzën e përjashtuar, dhe për t’u rikthyer e treta shpreson që Luftëtari t’i bëj një surprizë të bukur Flamurtarit.

Gjithsesi, bardheblutë dhe gjirokastritët, do të diskutojnë mes tyre një vend për në finalen e Kupës së Shqipërisë, çka mund realizojë mrekullinë për njërën nga këto dy ekipe, në rast se i shpëtojnë rënies. Tirana fitoi Kupën e Shqipërisë për herë të fundit dy vite më parë, kur njëkohësisht ra edhe nga kategoria.

Nga kjo eksperiencë Presidenti Refik Halili ka kërkuar që skuadra më kryesorja, para trofeut të kupës, të sigurojë mbijetesën. Skuadra më me shumë trofe në Shqipëri, që drejtohet nga Ardian Mema besohet se ka më tepër potencial, për të realizuar mrekullinë: mbijetesën dhe pse jo finalen me trofeun e Kupës së Shqipërisë.

 

Kategoria Superiore

Java e 30-të/20 prill

Kastrioti - Partizani

Laçi - Skënderbeu

Tirana - Kukësi

Flamurtari - Luftëtari

Kamza - Teuta

 

Klasifikimi

Partizani          60

Kukësi             48

Flamurtari        47

Teuta               43

Skënderbeu     43

Laçi                 41

Luftëtari          37

Tirana              36

Kastrioti          30

Kamza             17