INTERVISTA/Alketa Selimaj: Udhëtimi im nga Vlora drejt Parlamentit belg!

INTERVISTA/Alketa Selimaj: Udhëtimi im nga Vlora drejt Parlamentit belg!
Intervista/ Flet për “Albanian Free Press”, Alketa Selimaj, vajza nga Vlora e cila emigroi në moshën 12-vjeçare drejt Brukselit. Pas shkollimit dhe karrierës politike ajo sot është kandidate për deputete para zgjedhjeve të 26 majit, në Parlamentin e Mbretërisë së Belgjikës!

Komuniteti shqiptar në Belgjikë dhe me gjerë shpresojnë që Alketa të fitojë edhe për ta, por a ka ajo ndërmend të rikthehet në vendlindje? “E mendoj shumë shpesh! Me eksperiencën e fituar këtu, nëse do të kthehesha, do të angazhohesha për të drejtat e grave, demokratizimin dhe sigurisht arsimin”

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Aranit Muraçi

Alketa Selimaj, një shqiptare nga Vlora, 31-vjeçe, është përzgjedhur kandidate për deputete federale në partinë belge CDH, për zgjedhjet e 26 majit në Belgjikë. Alketa njihet nga komuniteti i gjerë shqiptar që jeton në Belgjikë për angazhimet e saj si aktiviste, ndërsa partia e saj veçohet për mbështetjen politike karshi emigrantëve, sidomos atyre shqiptarë. “Komuniteti është shumë i rëndësishëm dhe i integruar. Si shumica e tyre dhe unë jam shumë  e lidhur me Shqipërinë”, thotë në një intervistë për “Albanian Free Press”, Alketa Selimaj, e cila flet mbi udhëtimin nga Vlora drejt Brukselit, angazhimet politike dhe eksperiencën e saj të re para zgjedhjeve.

Alketa, për të shuar kuriozitetin e publikut shqiptar, pas arsimimit a mund të na flisni fillimisht rreth udhëtimin tuaj në Bruksel dhe më tej si nisi karriera juaj politike atje?

Si shumë shqiptarë të tjerë, jam larguar me familjen nga Vlora në moshën 12 vjeçare. Kam studiuar drejtësi dhe studimet europiane. Në gusht të vitit 2012 fillova punë si këshilltare politike për Presidenten e Parlamentit frankofon të Brukselit. Aktualisht punoj me ish-Kryeministren dhe ministren e Brendshme  të Belgjikës. Plus punës sime si këshilltare jam e angazhuar me Partinë, në të cilën jam sekretare ndërkombëtare për të rinjtë. Në rastin e zgjedhjeve lokale në Bruksel,  tetorin që kaloi, isha kandidate ku edhe u zgjodha këshilltare sociale në komunë.

Jeni përzgjedhur si kandidate për deputete federale në partinë belge CDH, për zgjedhjet e 26 majit në Belgjikë. E prisnit, apo ishte surprizë kjo përzgjedhje, për faktin se konkurrenca presupozohet të jetë më e ashpër në një vend me demokraci shumë të zhvilluar? 

Konkurrenca është gjithmonë e ashpër. Partia vendosi t’iu japë shansin të rinjve të motivuar që duan të sjellin ide të reja. Siç ju thashë, jam e angazhuar prej vitesh dhe pata besimin dhe mbështetjen e udhëheqjes së partisë, të cilët më çuan në një vend shumë të lart dhe jam më e reja e listës.

 Në Belgjikë ka edhe një komunitet të gjerë shqiptarësh. Sa e lidhur jeni ju me atë, dhe sa ju kanë ndihmuar shqiptarët në këtë rrugëtim?  

Po, komuniteti është shumë i rëndësishëm dhe shumë i integruar. Si shumica e tyre dhe unë jam shumë  e lidhur me Shqipërinë. Njihem nga shqiptarët në Belgjikë dhe nga Ambasada për angazhimet e mia si aktiviste jo vetëm për mirëqenien e tyre në Belgjikë, por edhe duke lobuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Jam një nga themelueset e shoqatës së parë për femrat shqiptare në Bruksel “Albelges” si dhe anëtare e disa shoqatave të tjera si “Konitza” dhe “Albalife”.  Duke ditur se kam vite në politikë, shumë prej  tyre kur ju thashë që isha kandidate ju dukej si totalisht normale, një  vazhdim koherent dhe një hap tjetër mbi angazhimet e mia. Shpresoj të kem mbështetjen e tyre.

Po politikanët apo komuniteti belg a ju paragjykojnë ndopak si shqiptare, apo është e kundërta?

Jo, është e kundërta. Për ata jam një shembull e integrimit në shoqërinë e tyre. Të paktën flas për partinë time. Nuk e kam ndjerë veten të paragjykuar edhe pse e di që ky fenomen ekziston ende fatkeqësisht.

Çdo shqiptar do të dëshironte që të shihte një shqiptare në Parlamentin e “kryeqytetit politik” të Europës.  Çfarë mesazhi apo premtimi keni për ta, duke besuar se kjo dëshirë do të realizohet dhe ju do të jeni deputete?   

Si prej vitesh do të vazhdoj të  punoj për mirëqenien e tyre duke i mbështetur dhe duke i përfaqësuar në Parlamentin federal denjësisht. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është gjithashtu një nga prioritet e mija dhe do të  vazhdoj të loboj për këtë.

Për çfarë synimesh keni vendosur të angazhoheni në politikë? Është shumë herët ndoshta, por për një të ardhme më të largët a e keni menduar ndonjëherë rikthimin e mundshëm në Shqipëri?

E angazhuar në shoqata të ndryshme, doja të kaloja në një hap tjetër si politika ku ka ndoshta më shumë hapësirë veprimi  për të arritur që të mbrosh bindjet e tua. Të them të drejtën, e mendoj shumë shpesh ! Me eksperiencën e fituar këtu, nëse do të kthehesha, do të angazhohesha për të drejtat e grave, demokratizimin dhe  sigurisht arsimin.

Jemi nga Vlora dhe besoj e keni ndjekur edhe politikën në Shqipëri. Çfarë përshtypjesh iu ka lënë klasa politike mbi nivelin dhe vizionin që ka ajo, për zhvillimin e vendit tonë?     

Ndër vite Shqipëria ka ndryshuar, por klasa politike është po e njëjta. Në një moment duhet ndryshim. Unë jam mësuar me politikën në Belgjikë, ku ka shume negociata dhe konsensus. Në Shqipëri është një sistem “biparti”  dhe shumë politike agresive ku ka më shumë luftë egosh personale sesa luftë idesh dhe këtë të gjithë e paguan, si gjithmonë, populli.

Shqipëria shpreson për çeljen e negociatave me BE-në në muajin qershor si dhe për anëtarësimin sa më të shpejtë në Europën e Bashkuar. Shqiptarët duhet të jenë optimistë, apo duhet të bëjnë më tepër?

Siç e përmenda më lart, jam e bindur që e ardhmja e vendit tonë është në Europë. Por duhet të bëjmë më tepër, shumë më tepër. Unë jam në një parti ku arsimi është “kalë beteje” dhe kur shikoj gjendjen e Shqipërisë, në këtë aspekt apo edhe me mënyrën e trajtimit ndaj studenteve, kur mendoj për integrimin e saj në BE, kjo më lë një shije të hidhur.

Jeni një politikane e re në karrierë dhe si e tillë i kuptoni më mirë të rinjtë. Nga Tirana në Bruksel, nga përvoja juaj, cili është dallimi mes tyre?

Të rinjtë kanë të njëjtat kërkesa, si arsimimi, punësimi, strehimi. Në Shqipëri ata hasin më shumë vështirësi. Të rinjtë europianë nuk kanë frikë që të ngrihen për të drejtat e tyre. Në Belgjikë ka disa muaj, që të rinjtë nga mosha 14 vjeç dalin dhe protestojnë për klimën. Në Shqipëri, të gjithë flasin për politikë por, kur vjen puna, nuk ka angazhim konkret ose vullnet. Prandaj më bëhet shumë qejfi, që për herë të parë pas shumë vitesh më në fund studentët u ngritën para disa muajsh! Kur jemi bashkë dhe të organizuar zëri dëgjohet më shumë.

Duke mbetur te fokusi për të rinjtë, pak muaj më parë studentët në Shqipëri organizuan disa protesta masive. A i keni ndjekur protestat e tyre dhe çfarë i sugjeroni politikës dhe shtetit shqiptar për t’i ndihmuar?  

Qeveria duhet t’iu plotësojë kërkesat studentëve, që janë bazike. Në Belgjikë kompetencat janë të ndara ndërmjet rajoneve, komuniteteve dhe federalit. Arsimi që është kompetencë e komunitet është më shumë se 3/4 e buxhetit, kurse në Shqipëri është rreth 3%!!!

Cili është raporti juaj aktual mes Belgjikës dhe Shqipërisë? Sa herë ktheni në vendlindje dhe në muajt e verës, pas një fushate të lodhshme, besoj se disa ditë do të dëshiroje t’iu gjenin në bregdetin e mrekullueshëm të Vlorës, për pak çlodhjeje, apo jo?

Jetoj midis të dy shteteve (qesh) ! Jam e dashuruar pas Shqipërisë dhe më merr shumë malli për familjen, miqtë, apo edhe për një kafe buzë detit, në Vlorë. Kthehem shumë shpesh edhe thjesht për një fundjavë.

Pushimet e verës me siguri dot t’i kaloni në Shqipëri, këtë vit mbase edhe si deputete?

Po sigurisht i kam rezervuar pushimet e verës dhe si gjithmonë në bregdetin tonë!