Guvernatori: Bankat janë të afta të përballojnë humbje apo goditje

Guvernatori: Bankat janë të afta të përballojnë humbje apo goditje
“Rezultati financiar i sistemit bankar gjatë vitit të kaluar ishte pozitiv. Kapitalizimi dhe likuiditeti i bankave rezultuan mbi kërkesat rregullatore. Teksa rreziku i kredisë vijon të përfaqësojë rrezikun kryesor të aktivitetit të sektorit bankar, por cilësia e kredisë është rritur në krahasim me një vit më parë”, tha kreu i bankës qendrore në vend

Bankat private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri kanë kapital të mjaftueshëm dhe janë në gjendje të përballojnë situata financiare humbjesh apo goditjesh. Ato kanë në të njëjtën kohë edhe aftësi të lartë për të përballuar rreziqet e mundshme.

I këtij mendimi është shprehur dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa ka përfshirë këtu edhe rastin e grabitjes së fundit të 10 milionë eurove në Rinas si transferta bankash.

“Ajo që na shqetëson me shumë ne është përsëritja e këtyre ngjarjeve, ndikimi negativ në imazh, ndikim negativ psikologjik. Dhe sigurisht, nëse ngjarje të tilla do përsëriteshin shumë shpesh edhe ndikimi financiar do bëhej shumë problematik e do të kishte një kosto jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë shqiptare”, ka deklaruar ai.

Më tej, kreu i bankës qendrore shtoi se rreziku kryesor me të cilat përballen bankat në Shqipëri është ai i  kredisë. Por ka sqaruar se ky tregues po njeh përmirësim dhe se nuk ka vend për frikë.

“Në fund të vitit 2018, raporti i kredive me probleme shënoi nivelin prej 11.1% ,nga 13.2% një vit më parë, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me nivelin prej 20%”, tha ai mes shifrash konkrete.

Nga ana tjetër, ai tha se për të ruajtur stabilitetin financiar, banka qendrore po synon të ngrejë sistemet e paralajmërimit të hershëm për rreziqet, që mund t’i paraqiten një banke private. Dhe kjo, me qëllimin e uljes së pasojave financiare të këtyre rreziqeve. Për këtë sipas guvernatorit Sejko do të shërbejë ngritja e rezervave të duhura të kapitalit prej secilës prej bankave. Si edhe ulja e normës së rezervës së detyrueshme për depozitat në lekë dhe rritja e asaj për depozitat në valutë. “Gjithashtu, bankat do rrisin  transparencën mbi rreziqet për kreditë në valutë”, ka shtuar mes të tjerash shefi i BSH-së.

 

 

Mbiçmimi i kursit të këmbimit, ndikim në çmimet e konsumit

“Mbiçmimi i kursit të këmbimit ka qenë gjatë vitit të kaluar, një faktor frenues për arritjen e objektivit të inflacionit”. Kjo ka qenë një tjetër deklaratë, e cila u bë dje nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. E thënë më thjesht, vlerësimi i madh që pësoi vjet leku, përballë euros në tregun e këmbimit valutor ndikoi në luhatjen e çmimeve të konsumit në vend. Madje, Sejko pranoi edhe faktin se kursi i këmbimit ishte subjekt i disa goditjeve në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Goditje këto që sipas tij, u shoqëruan madje edhe me ndryshimin e sjelljes së disa operatorëve ekonomikë. “Ata iniciuan një spirale të shpejtë forcimi të kursit në tremujorin e dytë, që u shoqërua me çrregullim të funksionimit të tregut të brendshëm valutor. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se ritmi i shpejtë i forcimit të kursit rrezikonte përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm”, vlerësoi gjithashtu kreu i bankës qendrore.

 

 

Qëndrimi: “Destabiliteti politik i shton rreziqet në ekonominë e vendit”

Ekonomia e vendit pati një ecuri pozitive gjatë vitit 2018, por destabiliteti politik ka rritur rreziqet brenda saj. Kjo u pohua dje nga Guvernatori Gent Sejko gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Ekonomisë për zhvillimet ekonomik gjatë vitit 2018. Sipas tij, analizat e Bankës së Shqipërisë,  një situatë destabilizimi do të ndikonte në investimet e huaja direkte, por edhe tek konsumi, pasi ai është i ndjeshëm. “Por praktikisht, nga vrojtimet e BSH-së nuk kemi një perceptim thellësisht negativ. Situata politike është destabilizuar në shumë vende të Eurozonës”, deklaroi ai. Duke përfunduar se ende nuk ka të dhëna sasiore për ndikimin që mund të ketë destabiliteti politik në vend.