FSHF/ Asambleja e Zakonshme, asnjë vendim “i jashtëzakonshëm”

FSHF/ Asambleja e Zakonshme, asnjë vendim “i jashtëzakonshëm”
Klubet gati unanimisht miratuan çdo propozim të FSHF-së. Armand Duka megjithatë lëshoi kritika ndaj tyre, për dhunën, trukimet, licencimet, si dhe për standardet e munguara në infrastrukturë

Nga Aranit Muraçi

Asambleja e Zakonshme e FSHF-së, e mbledhur dje, nuk solli asgjë të jashtëzakonshme. Anëtarët e saj, drejtues të klubeve, votuan unanimisht çdo propozim të FSHF-së, në një formë të ngjashme me votimin e deputetëve të çdo maxhorance për çdo projektligj që paraqet qeveria para tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Klubet e futbollit në Shqipëri kanë pasur vazhdimisht probleme me financat, detyrime në tatime, nuk plotësojnë kriteret e licencimit, apo stadiumet nuk përmbushin standardet, sikurse gjatë garës nuk respektohen rregullat për një organizim normal, çka i vë ato nën presion për të pranuar çdo verdikt të FSHF-së. Kështu, FSHF bëri disa propozime për të ndryshuar funksionimin e brendshëm të saj, mbi funksionimin e komisioneve të Disiplinës e të Etikës, si dhe për menaxhimin e të drejtës televizive, propozime që u miratuan unanimisht nga asambleja.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij në Asamblenë e Zakonshme, kritikoi klubet duke u shprehur se institucioni që ai drejton do të jetë strikt sa i përket kritereve të licencimit, sidomos për impiantet e futbollit. “Nuk i kemi shpëtuar dhunës apo fiksimit të rezultateve. Duhen hapa cilësorë, të lëmë mënjanë interesat e vogla dhe bashkëpunojmë me të gjithë aktorët. Është i nevojshëm të rishikohet sistemi i licencimit, pasi mbyllja e të dy syve, siç ka ndodhur deri tani, nuk do të ndodhë më kurrë. Nëse nuk do të ketë impiante të papërshtatshme për të luajtur, nuk do të tolerojmë më diçka të tillë. Dhuna dëmton rëndë produktin tonë, lufta ndaj këtij fenomeni kërkon bashkëpunim më të madh me të gjithë”, - theksoi Duka.

Klubet shqiptare që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Kupat e Europës, janë ndeshur me një fenomen të hidhur, atë të fiksimit të rezultateve, madje ka pasur edhe penalitete shembullore, si rasti i fundit i Skënderbeut. Dhuna është një tjetër shembull negativ, që shfaqet në fund të çdo sezoni, në fushat e blerta. Armand Duka theksoi se përpjekjet e FSHf-së për të ndalur këto fenomene, nuk kanë gjetur mbështetje ndërkohë që “Fiksimi i rezultateve të ndeshjeve nuk duhet të ekzistojë”, nënvizoi ai, sikurse shtoi se edhe, “tryeza me qeverinë na jep shpresë për përmirësimin e futbollit, pasi jemi të qartë se ku duam të arrijmë.”

Kombëtarja shqiptare nuk dha atë që të gjithë prisnin në Ligën e Kombeve, madje as në ndeshjet e para kualifikuese Euro 2020. Kjo ishte edhe arsyeja e shkarkimit të Christian Panucci. “Në Ligën e Kombeve, Shqipëria nuk mori rezultatet e pritshme, që çoi dhe në shkarkimin e trajnerit të kombëtares. Në nivel politik jemi përfaqësuar më mirë në vitin 2018. Janë rritur të ardhurat nga biletat, sponsorët dhe projektet,” – theksoi Duka, duke përmendur edhe investimet e fundit në infrastrukturë, si stadiumi i ri dhe selia e FSHF-së, që së shpejti do të jenë gati. “Në infrastrukturë, stadiumi kombëtar dhe shtëpia e futbollit janë dy investimet më të rëndësishme që do të jenë shumë shpejt gati.”

 

Vendimet e asamblesë

Asambleja e Zakonshme e FSHF-së përjashtoi disa anëtarë, që munguan në aktivitetet e organizuara nga FSHF. Të përjashtuarat janë Sukthi, Himara, Mamurrasi, Pojani, Poliçani, Bilisht Sporti, FC Fieri, KS Vlora dhe Olimpiku. Asambleja e Zakonshme miratoi buxhetin e FSHF-së për vitin 2019 dhe ndryshimet statusore, si dhe propozimet për ndryshimet në Kodin e Etikës dhe të Disiplinës.