FMN: Parashikimi mbi ekonominë, sivjet do të jetë më i dobët sesa vjet

FMN: Parashikimi mbi ekonominë, sivjet do të jetë më i dobët sesa vjet
Që ekonomia e sivjetshme në Shqipëri po njeh një ecuri më të ulët sesa gjatë vitit të kaluar, këtë përveç biznesit gjerman, e ka pohuar dje edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kështu, në raportin e fundit të “Pasqyrës Ekonomike Globale”, institucioni i njohur ndërkombëtar financiar bën me dije se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2019 do të jetë vetëm 3.7%, nga 4.2% që ajo ishte gjatë vitit të kaluar.

E duke folur kështu për një rënie të ritmit të saj ndër vite.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, rritjen më të madhe në 2019-n pritet që ta ketë Kosova, me 4.2%, më pas renditet Serbia me 3.5%, Bosnja me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3% dhe Mali i Zi me 2.8%.

Ndërkaq, në afat të mesëm, FMN-ja nuk është shumë optimiste për zgjerimin ekonomik të vendeve të rajonit.

Ekonomia shqiptare nuk pritet të rritet më shumë se 4% deri në vitin 2024, së bashku me atë të Kosovës, ndërsa për shtetet e tjera, shifra do të variojë midis 2.9 dhe 3.8%.