Fëmijët e sotëm, të rrezikuar nga edukimi që bazohet mbi frikën dhe dhunën verbale e fizike

Fëmijët e sotëm, të rrezikuar nga edukimi që bazohet mbi frikën dhe dhunën verbale e fizike
Intervistë me specialisten në sektorin për mbrojtjen e fëmijëve në bashkinë Tiranë, Dorina Hoxha

Intervistoi: Albert Zholi

Si specialiste e mbrojtjes së fëmijëve në Bashkinë Tiranë, mund të na thoni cilat janë problemet e fëmijëve në përgjithësi?

Fëmijët janë pasqyrimi i dashurisë njerëzore, ata janë reflektimi i asaj çfarë familja dhe shoqëria i ofron. Fëmijët janë si filizat që kërkojnë vëmendjen dhe përkushtimin e duhur që ato të shkojnë kah rrezeve të diellit duke e përthyer dritën e fortë të saj tek brezat në vijim, me durim, pra është një cikël jete i pashmangshëm që kërkon kontributin dhe impenjimin sa moral po aq dhe ligjor të secilit prej nesh për të përmbushur një mision njerëzorë, të mbrosh të pambrojturit. Unë e prek situatën e fëmijëve në terren dhe jam pranë tyre çdo ditë për të evidentuar, raportuar, koordinuar dhe për t’i dhënë zgjidhje problematikave dhe shqetësimeve të tyre. Problematikat e fëmijëve në përgjithësi lidhen ngushtësisht me problematikat familjare të tyre. Familja, prindërit janë mbrojtja, mbështetja dhe modeli i fëmijës ndaj kur ky rend nuk funksionon siç duhet pasojat i vuan fëmija. Divorci është një ndër problematikat që shënjohet në tablonë e problemeve të fëmijëve. Mosmarrëveshjet e prindërve kur ata vendosin të ndahen, kalojnë drejtpërsëdrejti tek fëmijët duke i përdorur ata si ‘mjet’ për të shlyer inatet dhe zemërimin, duke i mohuar njërit apo tjetrit të drejtën e prezencës së tyre në jetën e fëmijës.

 

Po problemi më specifik?

Një problem i rëndësishëm që prek fëmijët qëndron tek fryma edukuese me të cilin ata rriten nga familjarët e tyre, e veçanërisht edukimi që bazohet mbi frikën, ashpërsia, keqtrajtimi, stigmatizimi, përjashtimi, dhuna, trajtimi i fëmijëve të diferencuar nga gjinia dhe sidomos heshtja dhe indiferenca e një të rrituri, përpara keqtrajtimit, apo dhunës së ushtruar ndaj një fëmije. Një nga problemet e fëmijëve është të mos i plotësosh nevojën e tyre për prezencën, mbështetjen dhe sigurinë e të rriturit. Fëmijët kanë nevojë për sigurinë e të rriturit pasi ato vetë nuk dinë dhe nuk mund të marrin vendime. Problemet ekonomike të familjeve ndikojnë edhe tek problemet e fëmijëve si për shembull duke mos i plotësuar nevojat bazë jetike të tyre apo duke i detyruar fëmijët të punojnë apo edhe të lypin.

 

Cila kategori e fëmijëve janë më problematikë?

Në shoqëri problematikat sociale rrjedhin zinxhir me njëra-tjetrën, kategoritë e fëmijëve të grupeve vulnerabël janë ndër kategoritë e fëmijëve më me problematika. Vëzhgimi në terren të bën të kuptosh që nuk ka fëmijë problematikë, ka njerëz të rritur dhe situata problematike, shkaqet e së cilës vijnë si pasojë e mungesës së arsimimit, mendësisë me të cilën rriten dhe më pas rrisin fëmijët e tyre.

 

Cila është puna që bëjnë specialistët e bashkisë për minimizimin e problemeve të fëmijëve?

Problemet dhe shqetësimet kanë lindur së bashku me njeriun dhe shoqërinë ndaj ato përgjatë kohërave marrin trajta të ndryshme. Të punosh për të minimizuar problemet e fëmijëve do të thotë të identifikosh, të referosh, të analizosh, të monitorosh, të vlerësosh, të menaxhosh raste, të ofrosh shërbime dhe të gjitha këto kërkojnë koordinimin e disa aktorëve dhe frymën bashkëpunuese e të qenit ekip dhe ky është ndër tiparet më të mira që pasqyron bashkia e Tiranës në çdo njësi administrative të saj. Mbrojtje e fëmijës është parandalimi dhe përgjigjja ndaj dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit të fëmijëve, përfshirë rrëmbimin, shfrytëzimin seksual, trafikimin, punën e fëmijëve dhe praktikat e dëmshme tradicionale, si gjymtimi i organeve gjenitale dhe martesa e fëmijëve.

 

Sa janë të lidhur sot fëmijët me librin dhe sa qëndron raporti libër-internet?

Fatkeqësisht bota po shkon gjithnjë e më shumë drejt virtualitetit dhe raporti i fëmijëve me librin po zbehet gjithnjë e më tepë, të paktën ky është konstatimi im nga eksperienca në kontakt të vazhdueshëm me nxënës dhe fëmijët e territorit të Vaqarrit. Të kultivuarit të një biblioteke familjare mbase është tipar që u mungon familjeve të ditëve tona. Një fakt konstatues që fëmijët nuk lexojnë e vëren përgjatë një bisede që mund të bësh me ta dhe fjalorit të varfër që ata përdorin për të formuluar një pyetje ose për të shprehur një mendim. Virtualiteti ka përfshirë me ritme të shpejta edhe brezin më të rritur, kështu që nuk është çudi që fëmijët të jenë përdorues të mirë të aparateve elektronikë dhe virtualitetit.