FARSA CEREMONIALE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

FARSA CEREMONIALE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

E vërteta që Tirana njeh është se vërshimi më i madh popullor në shesh, pas përmbysjes së diktaturës dhe lëvizjes studentore mbetet, në numër dhe atmosferë, manifestimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Tiranës kur Shqipëria u anëtarësua në NATO. Ndoshta të yshtur nga politika shumë prej nesh e kanë harruar por unë e ca të tjerë jo. Të mësuar siç jemi që sheshet mbyten në njerëz vetëm në protesta ose, siç po ndodh së fundmi, në organizime administratash që duartrokasin liderin në fjalimin e tij të ulur në karrige të baraslarguara si në një pikturë kineze, është normale që atë manifestim gëzimi e hareje ku njerëzit dolën në shesh vetëm e vetëm për të shprehur ngazëllimin e tyre për një arritje shqiptare, e kemi harruar shpejt. Njerëzit ishin aq shumë sa që për herë të parë e të fundit në jetë kam parë se si në një tubim mund të mungojë edhe ajri e jo më të kesh vend ku të hedhësh hapat. Shqiptarët kishin vite që dëgjonin edhe palën tjetër të shprehte mosbesim e të predikonte shumëçka nëpër takime diplomatike kundër hyrjes së Shqipërisë së vogël e të varfër në NATO, “NATO nuk na jep bukë” thoshte një prej tyre në konferencë për shtyp. Por përsëri shqiptarët besuan, besuan shumë, u ndjenë më të fortë paskëtaj, më të sigurt, më të mbrojtur, e mbi të gjitha, më dinjitozë. Pas disa dekadash të treguar me gisht si një vend rural e me njerëz të pagdhendur, pas disa dekadash të shënuar si vasalë të një diktatori të egër, të përulur, të gjunjëzuar nga fati dhe varfëria, pasi u përfolën në çdo edicion lajmesh si hajdutë, përdhunues, mafiozë, trafikantë droge e me çdo epitet tjetër të keq të mundshëm, më në fund, shqiptarët e panë veten të barabartë me qytetarë të botës së lirë e të madhe, për herë të parë në historinë e tyre moderne. Duke e parë nga larg duket ca e thjeshtë të bindësh shumë kancelari botërore se je një vend i aftë për të ruajtur kufijtë e tu, se je një vend i aftë për të rekrutuar e përgatitur ushtri moderne, se je një vend i aftë për të menaxhuar kriza, se je një vend i aftë për të pikasur e luftuar terrorizmin. Por si mund të ishte e lehtë të arrihej në këtë fitore historike të vendit kur kishte me qindra mendime e paragjykime të ngulitura fort në mendjen e të huajve që na vëzhgonin prej vitesh?

Duke qenë se e quaj veten me fat të madh që në pjesën më të madhe të asaj “beteje” për dinjitet të vendit tonë, isha prezente, është e kuptueshme se sa pështirosje ndjeva kur në këtë 10 vjetor pashë të shtireshin si krenarë e të lumtur për ushtrinë tonë në NATO ata që kisha parë në ato vite të klithnin kundër çdo iniciative, çdo reforme, çdo hapi që duhej bërë në atë drejtim.

Kam qenë pjesë e politikës ca kohë dhe e kuptoj se konjukturat e saj janë shpesh të pashpjegueshme, të diktuara nga koha, nga kushtet, nga jashtë e nga brenda rajonit. Por jemi në muaj kur bëhet thirrje për besim e nuk e kuptoj dot se si mund të kesh besim në politikëbërës që shtiren në mënyrë kaq të paskrupullt. Çfarë ndodhi vallë që këta të pispillosurit me kostum, deri dje e urrenin këtë NATO-n që sot e përkujtojnë e tani e dashkan me kaq patos? Si u rikthyen antimitingjet e turpshme opozitare të prillit 2009 në ceremoni festive e parada qeverisësish? E mbi të gjitha, kaq dritëshkurtër është kjo masë populli që i beson verbërisht një farse si kjo? 10 vjet Shqipëri në NATO por edhe 10 vjet Shqipëri në shurdhëri e verbëri të plotë për të parë se kush ja do të mirën këtij vendi e kush ka luftuar vërtetë për dinjitetin e tij.