Fanela kuqezi, Gjermania dhe Italia injorojnë Shqipërinë  

Fanela kuqezi, Gjermania dhe Italia injorojnë Shqipërinë  
Trajneri i Kombëtares U-19 dhe U-18, Nevil Dede tha se Edy Reja i ka kërkuar atij dhe Alban Bushit, informacion mbi gjendjen e lojtarëve të talentuar dhe me të ardhme të Shqipërisë. Ai shtoi se nga të ftuarit klubet gjermane dhe italiane refuzuan t’i përgjigjen kërkesës së tij për talentët shqiptarë

Nga Aranit Muraçi

Shqipëria U-18 luajti ndeshjen e parë miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut më 23 prill ku barazoi 2-2, në stadiumin “Sopoti” të Librazhdit. Sot luhet miqësorja e dytë radhazi, ora 13:00, ndaj të njëjtin kundërshtar, po në Librazhd.

Lidhur me të grumbulluarit, trajneri Nevil Dede, i cili drejton zyrtarisht Kombëtaren U-19, u shpreh se jo të gjithë i janë përgjigjur ftesës së tij: “Kemi bërë disa ftesa në Gjermani dhe Itali, por klubet e tyre nuk janë përgjigjur pozitivisht pasi janë ende në aktivitet. Pavarësisht këtyre fakteve, me grupin që kemi po mundohemi të krijojmë një bosht solid deri në fund të vitit 2019 ku do mund t’i shërbejnë ekipeve përfaqësuese me radhë.”

Për dy ndeshjet miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, në listën e shpallur nga Nevil Dede 50% e lojtarëve ishin përzgjedhur nga Shqipëria dhe 50 % e tyre vinin nga jashtë. Kjo falë edhe një strategjie që po ndjek FSHF, për t’u dhunë mundësinë të gjithëve, çdo shqiptari që ka talent, të provojë fatin e fanellës që ka ëndërr në jetë.

“Nga viti në vit shpresojmë të rritet cilësia në klube se ata janë faktori kryesor i rritjes së një lojtari. Një fëmijë mund të lind talent por varet sesa punohet dhe a zhvillohet sesi duhet lojtari”, nënvizoi Nevil Dede. T

rajneri Dede pranoi se Edy Reja, pasi firmosi kontratën me kuqezinjtë deri në fund të kualifikueseve Euro 2020, ka kërkuar të dhëna nga ai dhe trajneri i U-21, Alban Bushi, për lojtarët më cilësorë.

“Pas emërimit trajneri Edy Reja na takoi të gjithë ne trajnerët e moshave, për mua ishte shumë i vlefshëm, trajneri donte informacion të saktë për U-21 dhe U-19.”

Por çfarë ndjesia ka për një 18-vjeçar, kur vesh fanellën e Kombëtares? Portieri i U-18, Fatmir Çeka, jep këtë përgjigje: “Të veshësh fanellën e kombëtares është emocioni më i bukur në botë, nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë të tjera.

Ata që veshin këtë fanellë duhet të ndihen shumë krenar, pasi nuk prezantojnë veten por një komb të tërë.” Fatmir Çeka dhe të besuarit e Nevil Dedes do të provojnë sot në stadiumin e sapo-inaguruar të Librazhdit, që të fitojnë miqësoren e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut, dhe po ashtu të lënë gjurmë, për të mbetur pjesë e së ardhmes kuqezi.