Fakulteti i Drejtësisë, si ndryshon formula për pranimin e studentëve të rinj

Fakulteti i Drejtësisë, si ndryshon formula për pranimin e studentëve të rinj
Ndryshe nga kriteret e aplikuara një vit më parë, për fituesit e 2019-s, kriter vlerësimi më vete do të jetë edhe mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore, teksa janë shtuar edhe lëndët preferenciale të përcaktuara si prioritet nga ky institucion i arsimit të lartë

Ndryshojnë kriteret e përzgjedhjes së fituesve të rinj në radhët e maturantëve që do të garojnë për një të drejtë studimi në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 2019-2020. Drejtuesit e këtij fakulteti kanë përcaktuar tashmë kriteret që do të zbatohen në shpalljen e fituesve që do të vijojnë studimet e nivelit të parë “Bachelor” në programin e studimit të këtij fakulteti. Ndryshe nga kriteret e aplikuara një vit më parë, për fituesit e 2019-s, kriter vlerësimi më vete do të jetë edhe mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore, teksa janë shtuar edhe lëndët preferenciale të përcaktuara si prioritet nga ky institucion i arsimit të lartë.

Kriteret e reja

“Kriteret për pranimet në ciklin e parë të studimeve dhe një program të integruar të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë për vitin akademik 2019-2020, janë: mesatarja e shkollës së mesme, mesatarja e të gjitha provimeve të maturës, si dhe mesatarja e lëndëve formuese”, bëjnë me dije autoritetet e këtij fakulteti. Për secilin kriter është përcaktuar edhe ndikimi që do ketë në përzgjedhjen e fituesve. Sipas vendimit të marrë, maturanti do të sigurojë 40 për qind të pikëve nga vlerësimi i mesatares së gjimnazit, 20 për qind të pikëve nga mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe 40 përqindëshi i mbetur i takon mesatares së lëndëve formuese të përcaktuara si prioritet. Për garën e këtij viti, lista e lëndëve formuese është shtuar, ku në këtë grup është përfshirë edhe lënda e letërsisë, e cila tashmë listohet si lëndë më vete. Në grupin e lëndëve formuese përfshihen lënda e Gjuhës shqipe, gjuhës së huaj, letërsisë, qytetarisë, historisë, si dhe ekonomisë. Secila prej këtyre lëndëve ka ndikim të ndryshëm në pikët që fiton maturanti. Konkretisht, dy lëndët më të preferuara nga ky fakultet janë gjuha e huaj e parë, si dhe gjuha shqipe, të cilat vlerësohen me 10 për qind të ndikimit në rezultatin final. Ndrysa katër lëndët e tjera vlerësohen me 5 për qind të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve. Mesatarja e këtyre lëndëve llogaritet nga të gjitha vlerësimet që maturanti ka marrë po në këto lëndë të zhvilluara përgjatë tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë këtu edhe notën e provimit të Maturës Shtetërore nëse maturanti e ka përzgjedhur për ta dhënë si lëndë me zgjedhje. Gjatë ditëve në vijim do të shpallen edhe kuotat e mundshme të pranimit për të gjitha ciklet e studimit në këtë fakultet.

Koeficientet e shkollave të mesme

Më tepër shanse për të qenë fitues në këtë program kanë maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, shkolla e të cilëve vlerësohet me koeficientin 1.2. Ndërsa të gjitha shkollat e mesme me karakter profesional, si dhe gjimnazi me kohë të shkurtuar, vlerësohen nga ky fakultet me koeficientin 1.  Referuar kushteve të përcaktuara më herët nga dikasteri i Arsimit, provimet e maturës i jep çdo kandidat që përfundon gjatë 2019-s vitin e fundit të shkollës së mesme, si dhe kandidatët që kanë mbaruar gjimnazin gjatë viteve të shkuara dhe që rikthehen sërish në garë për të vijuar konkurrimin për studimet e larta në një nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend përgjatë vitit të ri akademik.

Provimet

Maturantët e këtij viti, si dhe ata të viteve të shkuara mund të hyjnë në provime, vetëm nëse kanë plotësuar në afatet e përcaktuara formularin A1 dhe A1Z. Lëndët e provimeve për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato artistike, teksa është detajuar edhe lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale.

 

Kushtet për fituesit në Fakultetin e Drejtësisë

Nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme 40% të vlerësimit.

Nota mesatare e të gjithë provimeve të maturës shtetërore 20% të vlerësimit.

Lëndët formuese:

-Gjuhë Shqipe (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit MSH) 10%.

-Gjuhë e huaj, e parë (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit MSH) 10%.

-Letërsi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit MSH) 5%.

-Qytetari (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e MSH nëse e ka dhënë) 5%.

-Histori (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e MSH nëse e ka dhënë) 5%.

-Ekonomi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e MSH nëse e ka dhënë) 5%.

 

Koeficienti i shkollës së mesme

Të gjitha shkollat e mesme gjimnaze (përjashtuar gjimnazin me kohë të shkurtuar)

e kanë koeficientin 1.2.

Të gjitha shkollat e mesme me karakter profesional e kanë koeficientin 1.0.

Organizimi i programeve të studimit në fushën e drejtësisë

Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë realizohen me 300 kredite, për një kohëzgjatje prej jo më pak se 5 vite akademike.

Personat që kanë kryer studimet e integruara në drejtësi, ose në një program të ciklit të dytë të studimeve, të barasvlershëm me to, mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore dhe vendore, pasi të kenë kryer provimin e shtetit në drejtësi.

Provimi i shtetit organizohet nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe Ministria e Drejtësisë, sipas rregullave dhe procedurave, të parashikuara në legjislacionin në fuqi.