DOSJA ’97/ Sulmi ndaj Përmetit, urrejtja ndaj Jugut që nisi si aventurë e përfundoi si masakër

DOSJA ’97/ Sulmi ndaj Përmetit, urrejtja ndaj Jugut që nisi si aventurë e përfundoi si masakër
HISTORI/ Nënkolonel Hekuran Rrapaj analizon të gjitha dëmet që i solli kriza e vitit 1997 ushtrisë shqiptare: “Bashkë me pranverën, në Përmetin e njerëzve të mrekullueshëm, hyri edhe masakra shtetërore. Mënyra e organizimit të luftës në Përmet, me të vërtetë nuk kishte precedentë. Nga çdo pikëpamje që ta shohësh, ajo është një spektakël që nuk e ka shokun në analet e historisë së  konflikteve shqiptare”

“Për herë të parë në historinë e tij, Përmeti ka parë këtë përqendrim të madh forcash dhe mjetesh luftarake. Ndërkaq, për herë të parë do të binte në kontakt me kulturat e dobëta banale dhe veprimet rrugaçërore”. Kështu i cilëson në analizën e tij të radhës për “Albanian Free Press” ngjarjet e marsit në qytetin e vogël jugor, nënkolonel Hekuran Rrapaj. “Qyteti i Përmetit u mbush me dy ushtri, të organizuara dhe të drejtuara nga shteti, të përqendruara në dy kampe përballë  njëra-tjetrës. Lumi i ndante në mes: Forcat vullnetare të veriut dhe të SHIK-ut, si dhe Forcat e Armatosura të ushtrisë”, shton ai. Duke pohuar më tej sesi demonstruesit e Jugut duhet të falënderojnë ushtrinë, e cila që në fillim i mori në mbrojtje në Përmet. Në të kundërt, sipas tij, lufta do të zgjaste pambarim duke hapur në të njëjtën kohë atë konflikt gjakmarrjeje që dëshiruan disa, midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë...

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Përmeti ishte zgjedhur baza nga do të niseshin formacione të shumta ushtarake për mësymjen kundër të të ashtuquajturve “rebelët e kuq” të Jugut. Bashkë me pranverën, në Përmetin e njerëzve të mrekullueshëm, hyri edhe masakra shtetërore.

Pse u zgjodh pikërisht Përmeti? Ndoshta më tepër për karakterin e veçantë të përmetarëve, sesa për terrenin e përshtatshëm. Përmeti ishte i vetmi qytet në Jugun e Shqipërisë që ndodhej nën kontrollin e rreptë të regjimit. Shteti kishte informacionin e sigurt për karakterin e njohur të qytetarit përmetar. Si njerëz të edukuar, të urtë dhe mikpritës, ata nuk do të rezistonin ndaj makinës shtypëse ushtarake dhe përqendrimit të forcave atje. Për herë të parë në historinë e tij, Përmeti ka parë këtë përqendrim të madh forcash dhe mjetesh luftarake. Ndërkaq, për herë të parë do të binte në kontakt me kulturat e dobëta banale dhe veprimet rrugaçërore. Mënyra e organizimit të luftës në Përmet, me të vërtetë nuk kishte precedentë. Nga çdo pikëpamje që ta shohësh, ajo është një spektakël që nuk e ka shokun në analet e historisë së  konflikteve shqiptare.

Që në agimet e para të pranverës dhe deri në mbrëmjen e 8 marsit 1997, qytetin historik të Përmetit e mbuluan forcat e shumta të mercenarëve, specialet e SHIK-ut, Brigada Komando, Brigada e Këmbësorisë së Shijakut, Burrelit, Brigada Tankiste Zall-Herr, Brigada e Artilerisë së Divizionit Këmbësorisë Tiranë, një brigadë e quajtur “rezerviste” e të grumbulluar kryesisht nga rrethinat veriore të Shqipërisë.

Qyteti i Përmetit u mbush me dy ushtri, të organizuara dhe të drejtuara nga shteti, të përqendruara në dy kampe përballë  njëra-tjetrës. Lumi i ndante në mes: Forcat vullnetare të Veriut dhe të SHIK-ut, si edhe Forcat e Armatosura të ushtrisë. Pas udhëtimit të gjatë e të stërmundimshëm, përpara syve të njëra- tjetrës, asnjëra nuk mund të hynte në “betejë”. Kjo gjendje vërtetonte faktin se edhe “fitorja” e cilësdo forcë, do të ishte e padobishme. Zhvillimi i ngjarjeve të planifikuara do të qëndronte aq larg për t’u zbatuar, sa edhe më parë se të përqendroheshin forcat.

Kjo llojshmëri forcash të çorientuara, ky agresivitet i njerëzve që as vetë nuk e dinin përse kishin ardhur deri këtu, krijoi konfliktin më serioz jo vetëm për popullin e Përmetit, por edhe midis formacioneve të ushtrisë dhe SHIK-ut.

Si duhet të shpjegohet kjo? Si njëra palë e forcave, edhe pala tjetër kishin në përbërjen e tyre pothuajse të njëjtën bërthamë: ata ishin vetëm forca vullnetare. Bërthama e rregullt e Forcave të Armatosura në këto momente ose ishte shkrirë komplet, ose ishte bërë tepër e dobët për të realizuar veprimet që kërkonin zbatimin e urdhrave të dhëna. Ajo përbëhej nga një masë e caktuar rekrutësh të pastërvitur, të mashtruar rreth asaj ç’ka do të kryenin. Ishte vetëm uniforma që i dallonte, ose që i bënte ushtarë. Stërvitja as që nuk ishte menduar të bëhej. Dëshira e oficerëve të forcave të ushtrisë së rregullt, por edhe ai numër i pakët i oficerëve vullnetarë nuk ishte për stërvitjen dhe drejtimin e këtyre lloj operacionesh.

Për organizimin e mirëfilltë ushtarak nuk mund të flitej, madje as për forcat e ushtrisë së rregullt. Absurdi qëndronte në faktin se edhe ushtarët aktiv ishin ushtarë të rinj. Ishte absurde të hidhje rekrutët e pastërvitur në një aventurë të tillë, përballë njerëzve e familjeve të tyre që përjetonin të njëjtin fat.

Kështu, forcat ushtarake shtetërore të grumbulluara në Përmet mbetën tepër të befasuara, duke refuzuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme. Disponues për zbatimin e urdhrave ishin disa prej kolonelëve dhe ushtarakëve të ardhur atje, por që mbetën të vetmuar. Për një moment të mendojmë se dëshira e personelit komandues dhe drejtues ekzistonte për stërvitje dhe manovrat e mëtejshme dhe se kjo vështirësi mund të kapërcehej. Por si do të qëndronte puna me shpejtësinë e përgatitjes së kontigjenteve të mbledhura e të grumbulluara me urgjencë para pak ditësh në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”? Ky kontigjent kishte në përbërjen e vet diferenca moshe nga më të ndryshmet. Brezi i ri kishte rreth 10 vjet që nuk stërvitej ushtarakisht, gjë që i mungoi këtij kontigjenti rezervist. Për stërvitje me rezervistët as që ishte menduar ndonjëherë. Ishte kësisoj një efektiv i përbërë nga vullnetarë dhe rezervistë të papërgatitur. Ndryshonte uniforma, emërtimi dhe deri diku urrejtja ndaj Jugut për aventurë. Ndërsa për kontigjentet e tjera mbështetës dhe special, puna qëndronte dhe më keq. Këto lloj shërbimesh kërkonin një kohë më të gjatë përgatitje, stërvitje më të kujdesshme sesa për këmbësorin e thjeshtë. Kjo edhe për vetë kuadrin drejtues.

Për një moment, të mendojmë se të gjitha këto vështirësi kapërceheshin dhe pjesa më e madhe e grupimeve gjendeshin në kushte të mira përgatitje. A mund të lëviznin ata edhe në këtë rast? Efektivave atje u mungonte ushqimi i thjeshtë, u mungonte morali. Ushtaraku mbi karroceritë e mbushura me pluhur, rrugës hante copën e bukës me gjalpë e djathë, ndërkohë që fëmijët dhe familjet e tyre i kishin lënë në kushte jo më të mira. Furnizimi i saj duhej të plotësohej, por depot e ushtrisë kishin vite që pjesë-pjesë ishin grabitur, sikundër ishin vjedhur dhe lekët e tenderave për ushqim dhe për veshmbathje. Organizimi i kësaj pike më elementare të shërbimit logjistik ishte një zero.

Forcat e tjera ishin më në gjendje, më të përkëdhelura nga shteti. Kishin marrë shumë më tepër lekë, por jo mbështetje logjistike. Ndryshimi qëndroi në atë që ishin më të guximshëm në shkatërrimin dhe vjedhjen e dyqaneve, lokaleve  dhe furrave të bukës. Kështu që as që mund të parashikohej sesa do te zgjaste kjo gjendje e amullt në të dy kampet e grumbulluara, njëra tek pishat e bukura në hyrje të qytetit dhe tjetra tek reparti special i forcave komando, derisa materiali mendor i cilësisë së lartë i ushtarakëve dhe i vullnetarëve  të mos ishte bërë i vlefshëm për vënien në lëvizje të asaj makine gjigande të armatosur, për të ulur armët dhe për t’u gjunjëzuar në emër të një çështjeje të madhe. Këtu ishte fundi i vendosmërisë për konfliktin e hapur që bënë kuadrot dhe efektivat e Forcave të Armatosura kundër drejtuesve të vet. Këtu mbeti fundi i çorganizimit të plotë i  komandim-drejtimit në ushtri.

Në “vijën” përballë këtij fronti dhe grupimi të madh forcash dhe mjetesh qëndronte përsëri populli vullnetar i armatosur, po me armët e ushtrisë. Këtyre kontigjenteve nuk mund t’u dihej me saktësi numri, përgatitja, mjetet, armatimi, teknika, mbështetja logjistike. Ishin të vendosur në kërkesat e tyre legjitime,  por edhe kurajua për t’u ndeshur nuk mund të dihej me saktësi.

Kështu që grupimet e forcave ushtarake të makinës shtetërore dhe populli i armatosur i Tepelenës, i Gjirokastrës, i Labërisë, dhe i krejt Jugut, të frikësuar nga njëri-tjetri, duke iu trembur fitores, pothuajse aq sa edhe disfatës, qëndruan përballë njëra me tjetrën, duke u orvatur të krijonin diçka. Nuk mund të vepronin, nuk mund të ishte ndryshe, kur shihej edhe nga ushtari më i thjeshtë mbretërimi i padijes dhe i mungesës së përvojës. Paniku nuk ishte i papritur. Tërheqja në çastin vendimtar të hyrjes së luftës civile, e cila pushtoi  fillimisht tërë ushtrinë, nuk mund të na habiste. Një gjë e tillë u bë mëse normale, duke penguar luftën civile.

Nëse forcat e mercenarëve të vepronin, unë mendoj se mbi kokat e tyre do të binte grushti i madh i historisë, ose do të ishin të detyruar të tërhiqeshin me disfatën e turpit, sepse forcat e Jugut së bashku me ato të ushtrisë do të hidheshin në veprime, deri në një gjakderdhje të pashmangshme. Masa aktive e efektivave, oficerët dhe ushtarët e thjeshtë që u ndodhën në Përmet, e kundërshtuan të ndërgjegjshëm këtë aventurë luftënxitëse. Ky çelës i bllokimit të veprimeve e justifikoi plotësisht zbatimin e urdhrave të eprorëve për përqendrimin e forcave në Përmet, por që atje dhe vetëm atje, në momentin kulmor të historisë kërkohej që çelësi mos të funksiononte më. Ishte momenti kur gjithçka ishte shembur. Lufta civile ishte në start. Dikush i pari të merrte guximin dhe gjithçka shembej...

Gjithsesi, demonstruesit e Jugut duhet që ta falënderojnë ushtrinë, e cila që në fillim i mori në mbrojtje në Përmet. Në të kundërt, lufta do të zgjaste pambarim duke hapur në të njëjtën kohë atë konflikt gjakmarrjeje që dëshiruan disa, midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë. Jo rastësisht, për këtë ishte zgjedhur si “vendkomandë” Përmeti. Për zbatimin e planeve bën fjalë edhe vizita e ish-ministrit të Mbrojtjes në mesditën e 8 marsit 1997 në Përmet, i shoqëruar nga ish-drejtori i SHIK-ut dhe një eskortë ushtarakësh të armatosur. Takimet e para i filloi me më të besuarit e shtetit, drejtuesit e SHIK-ut, veçanërisht  me komandantin e forcave speciale nën-kolonel Mulosmanin. Më pas, me drejtuesit e forcave të ushtrisë. Hija e ardhjes së ish-ministri të Mbrojtjes në Përmet mbetet ogurzezë, por edhe tepër misterioze. “Në njërën  nga këto ditë vëmë re se Zhulali nuk vjen në zyrë. Meqë i kërkohej diçka pyetëm edhe në familje, por nuk dinin gjë se ku ndodhej. Asnjë nuk kishte dijeni gjatë gjithë ditës. U hap fjala në Shtab se ai do të ishte arratisur. Pastaj rastësisht marrim vesh se kishte marrë një helikopter dhe pa njoftuar paraprakisht asnjërin, kishte shkuar në Përmet”, pohon Adem Çobani, gjeneral-major, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Pra, ky veprim tregonte se shteti nuk tallej, prezenca e tij vulosi një nga ngjarjet më të shëmtuara.

Gjithë natën kuadrot e reparteve të ushtrisë diskutuan dhe vendosën rrugën e tërheqjes së efektivave drejt reparteve nga kishin ardhur. Dhe pas orës 10.20, në mëngjesin e datës 9 mars 1997, ushtria e la Përmetin e gjakosur, me 6 të vrarë e dhjetëra të tjerë të plagosur. Përmetin e trëndafilave e përgjaku krimi çnjerëzor i shtetit. Përmeti i historisë së lavdishme të shqiptarëve do të kthehej kësisoj në teatrin e luftimeve ku “gjeneralët” e yllëzuar brenda një dite do të privonin aftësitë e tyre në këtë ngjarje makabër. Plani i tyre do të vijonte: Përqendrimi dhe njëkohësisht tërheqja e forcave ushtarake të shtetit në Përmet sigurohej nëpërmjet dy rrugëve kryesore dhe të kontrolluara: Tiranë-Berat-Këlcyrë-Përmet edhe Tiranë-Elbasan-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet.

Mendohej se forcat ushtarake të shtetit mund të kalonin lehtësisht urën e Leklit për në drejtim kryesor të mësymjes Gjirokastër-Delvinë-Sarandë. Kapia e objektivave ne rajonin e Gjirokastrës do të realizohej në bashkëveprim me forcat ajrore, sidomos me helikopterët, të cilët do të fluturonin ulët mbi lartësitë e Dhëmbelit. Këtu do të hidhnin forca speciale dhe mbështetja logjistike drejt vatrave kyçe të “zjarrit rebel”. Kapja e objektivave të largët, Delvinës dhe Sarandës në këtë drejtim të mësymjes mendohej të realizohej në bashkëpunim me aviacionin luftarak dhe forcat e bazës detare të Sarandës. Kështu hyri në pranverën e zezë të vitit 1997, Përmeti i mrekullueshëm, i luleve, paqedashësi i 10 mijë banorëve.

 

Dy ushtritë

“Në Përmet, u bë edhe ndarja historike”

 Në Përmet bë edhe ndarja historike. U nda ushtria nga rruga e humnerës së përgatitur. Iniciativa kaloi tek mençuria, gjakftohtësia, tek masa e gjerë e efektivave që të drithëruar gjendeshin më afër tradhtisë. Shakatë pa kripë të ndonjë politikani  a ndonjë të padituri, sepse ushtria u tërhoq dhe nuk zbatoi urdhëratë e dhëna, mund të falen vetëm për një gjë: Turp për mburrjet e mëvonshme dhe për kujdesin që ata kanë treguar për ushtrinë shqiptare. Edhe pse u tentua disa herë që të merrej drejtimi në forcat e ushtrisë nga “gjeneralët” për “marshimin” drejt Jugut, ushtria u distancua nga kjo aventurë. Ajo përfundimisht në heshtje u pozicionua kundër shtetit. Ushtria parandaloi luftën e tmerrshme civile që pas shpine e planizuan liderët e saj. Ky ishte Përmeti i kontrastit të çuditshëm. Të egërsuar ballë për ballë, ushtarakët që kundërshtuan urdhrat dhe mercenarët që bënin terror. Në anën tjetër, ushtarakë, oficerë  dhe ushtarë të ushtrisë që rrinin në shtëpitë përmetare. “Mua m’u dha rasti të strehohem në shtëpinë e Robertit, një ish-oficer i njohur imi, Robert Ibrahimi. Nëna e tij na ushqente si fëmijët e saj. Natën e fundit, vajza e tij 6-vjeçare e miqësuar me ne më tha: ”Mos u mërzit o xhaxhi, se do ta takosh vajzën”, rrëfen Elmaz Punavia, kapiten dhe dëshmitar okular nga Burreli në Përmet.