DOSJA ’97 “Si u braktis ushtria nga lidershipi i saj gjatë masakrave të marsit?”

DOSJA ’97  “Si u braktis ushtria nga lidershipi i saj gjatë masakrave të marsit?”
HISTORI/ Nënkolonel Hekuran Rrapaj analizon të gjitha dëmet që i solli kriza e vitit 1997 ushtrisë shqiptare: Një armë në uzinat tona ushtarake kishte një kosto nga prodhimi deri në ambalazhim  afërsisht 120 dollarë. Kurse shitja e tyre u bë me vetëm 65 dollarë!

---

Një ushtri e lënë “në mëshirë të fatit” nga lidershipi isaj gjatë ngjarjeve të marsit 1997. Kështu e cilëson atë në analizën e tij të radhës për “Albanian Free Press”. “Në këto momente, largimi i komandantëve, shtabeve dhe kuadrove nga njësitë dhe repartet, mbetet fenomeni më i diskutueshëm. Për ditë dhe javë të tëra, repartet e ushtrisë u lanë në mëshirën e turmave të egërsuara, deri në shkatërrimin e gjithçkaje atje”, vlerëson ai. Duke hedhur më tej dritë edhe mbi tregtinë e armëve me ato që u grabitën nga repartet ushtarake. “34 milionë dollarë është shifra e kësaj tregtie, e cila ende është nën hetim. U tregtuan mbi 100 mijë armë dhe 250 milionë fishekë, me rreth 250 firma të hedhura nga ish-ministri i Mbrojtjes, duke i grabitur shtetit rreth 70 milionë dollarë”, pohon ai. Duke komentuar se kjo tregti ishte një nga humbjet më të mëdha të ushtrisë shqiptare…

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Periudha 9-15 mars 1997, shënon momentin kur sistemi i komandimit dhe i drejtimit në tërë hallkat vertikale të shtetit e lidershipi i saj shkatërruan përfundimisht ushtrinë. Ngjarjet që u pasuan pas largimit të trupave nga Përmeti nuk e justifikojnë më goditjen valë-valë që iu dha reparteve dhe njësive të zonave “jashtë” revoltës. Filloi shkatërrimi i divizioneve të ushtrisë, Kukës, Burrel, Shkodër, që u pasuan në Korçë, Elbasan, Durrës, Kavajë dhe sidomos në Tiranë. Në këto momente përfshihet dhe shkatërrimi kriminal i Forcave të Mbrojtjes Detare dhe veçanërisht bazës detare të Shëngjinit dhe distrikti detar i Durrësit. Papërgjegjësia e drejtuesve çoi largimin e anijeve për në brigjet e Italisë, në një moment që kjo zonë ishte jashtë çdo lloj kërcënimi. Në krye të grupeve që sulmuan repartet e ushtrisë gjatë kësaj periudhe u vendosën anëtarët e shtabeve të gjendjes së jashtëzakonshme, militantët e partisë pushtet, ish-punonjës të SHIK-ut, si dhe kontigjentet e kthyera të reparteve pjesëmarrëse në operacionet e jugut. Këto forca kishin marrë “porosinë e besës” që të mos i dorëzonin armët. Kjo pasi “Vlora do të vinte në Tiranë” dhe grupet e tjera të rretheve të jugut do t’u suleshin rretheve të tjera. Ky kontigjent i mobilizimit që vinte nga aksioni i “trimërive” të Jugut. kur erdhën në Tiranë filluan të hapnin zjarr e të mbillnin pasiguri gjithandej. Një kob i tillë trokiti në mjediset e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”. Më datë 12 mars 1997, në orën 13.15, u vërsulën forca të shumta nga drejtime të ndryshme. Filluan shkatërrimet dhe vjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me “mercenarët”e strehuar në Akademi, të cilët prej kohësh kishin bërë “rigonicionin” e gjendjes dhe të mjediseve. U shpërthyen depot, u rrëmbye armatimi dhe municioni. U sulmuan magazinat duke marrë ushqime, veshmbathje, materialet e zyrave e të kabineteve mësimore. Gjithçka u shkatërrua në dy ditë.

Por edhe baza logjistike e ushtrisë në Elbasan shkoi drejt shkatërrimit të dyshimtë të saj. Kështu, kjo valë tërbimi përfundon me njollën e zezë, më të turpshme historike që njollosi nderin dhe krenarinë e ushtrisë shqiptare, humbjen e

flamurit luftarak. Flamuri luftarak në histori ka qënë simboli i nderit, i trimërisë, lavdisë dhe unitetit luftarak të njësive dhe reparteve. Ai vlen të mbrohet dhe ruhet me sakrificën më ekstreme. Në këto momente, largimi i komandantëve, shtabeve dhe kuadrove nga njësitë dhe repartet, mbetet fenomeni më i diskutueshëm. Për ditë dhe javë të tëra repartet e ushtrisë u lanë në mëshirën e turmave të egërsuara, deri në shkatërrimin e gjithçkaje atje. Më datë 13 mars 1997, në Brigadën e Komunikimit në Tiranë u morën armët dhe municionet. Largimi i oficerëve të shtabit për dy ditë rresht duke e lënë repartin vetëm, bëri që gjithçka atje të vidhej e të shkatërrohej. “Ne e lëshuam repartin në “paqe”. Ne ikëm pasi zjarri pushoi, njerëzit u qetësuan, armët u morën. Më pas shkatërrimi i repartit, djegia e dokumenteve në zyrat e logjistikës nuk mund të mbetet rastësi”, pohon Neshet Shena, kapiten, dëshmitar në Brigadën e Komunikimit Tiranë. Dhe zinxhiri i këtyre vjedhjeve ka vazhduar gjatë. Pas ngjarjeve të marsit, në grupin e depove në ullishte të Elbasanit edhe pasi kishte mbaruar iventarizimi, vjedhjet vazhdonin përsëri. Të tilla raste u regjistruan dhe në Brigadën e Artilerisë në Babrru. Pjesa më e madhe e rezervave ushqimore që u evokuan para valës së shkatërrimeve nëpër shtëpitë e ushtarakëve dhe punonjësve të repartit, nuk u kthye më.

Ngjarjet në këtë etapë u përplasen dhe u përjetuan si furtunë edhe në divizionin verior të Kukësit. Shkatërrimi i kësaj njësie nisi kur munguan njerëzit, kur mungoi drejtimi. Psikoza e braktisjes së reparteve nga oficerët në shërbim u ravijëzua shpejt, sepse “mungoi” orientimi e ndërlidhja për komandim dhe drejtim nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Asnjë sqarim, asnjë udhëzim, asnjë instruktim konkret për situatën që evolonte. Thirrjet ogurzeza se “Jugu i ka marrë armët, përse mos t’i marrim edhe ne”, “bindja e pasigurisë se “shtetit nuk i ka mbetur më asgjë”, krijoi

instiktin e vetëmbrojtjes me slloganin “të armatosemi se po vjen Jugu”. Por edhe armatosja që vetë shteti u bëri shumë njerëzve të veçantë në këtë rajon, qe ndër shtysat e para që i çuan turmat e njerëzve përballë reparteve të ushtrisë.

“Divizioni i Shkodrës u shkatërrua brenda një nate duke të kujtuar legjendën e mureve të kalasë “Rozafa”, pohon Ndue Mjekaj. Kurse Gramoz Hysi, ish-komandant i Brigadës së tankeve në Melgushë shton se “nuk i shpëtoi shkatërrimit përfundimtar as Veriu. Këtu nuk kishte të ashtuquajtura “komitete të shpëtimit”. Kishte vetëm banda që terrorizonin, digjnin pjesë të qyteteve, shpërthenin depot e armatimit të ushtrisë. Në këtë valë shkatërrimtare u përfshi edhe qyteti i Bajram Currit së bashku me tërë repartet e nënrepartet e këtij rajoni, si dhe spitali ushtarak i tij”.

Ministria e Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes kishte mbetur bosh. Në këto momente turmat e njerëzve me makina, armë dhe maska u vërsulën nga të gjitha anët. Eksplozivi hidhej nga distanca nëpër qoshet e godinës. Thirrjet provokuese “largohuni se e keni të minuar godinën”, të shoqëruara me shashka tymuese nuk i trembi ata të paktë ushtarë dhe policë ushtarakë. Me moton “o sot, o kurrë” ata qëndruan burrërisht dy ditë rresht përballë këtij kërcënimi të zi. “Vetëm pas mesnate vinin oficerë të SHIU-t dhe të tjerë madhorë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ata merrnin dokumenta, kasaforta dhe iknin përsëri nëpër natë me automjete të maskuara. Ndjeheshin të tronditur dhe të rraskapitur. Këtë radhë kishin harruar edhe përshëndetjet e rastit. Ishin të heshtur, gati memecë. Askush nuk ndjehej se çfarë po bënin, ku shkonin. Askush nuk shqetësohej për çka do të mbetej prapa në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm po të hynin turmat. Për ta, rëndësia më e madhe ishin ato dosje, ato kasaforta që iknin nëpër terrin e natës për diku!?”, kujton Aqif Muça,

nënkolonel, dëshmimtar okular. Po ku ishte lidershipi i ushtrisë sonë? Dosjet e zeza, së bashku me ta u përpinë në errësirën e zezë të historisë. Çuditërisht, këta skifterë të errësirës që pas mesnate u zhdukën me dosjet në gji, ishin të parët që nxorën fletë-hyrjet për t’u futur dhe qëndruar qetësisht në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Paradoksi vijoi më tej, kur këta protoganistë të shkatërrimit të ushtrisë, morën pozat e moralizuesit ndaj asaj që ndodhi dhe zunë karriget e reja të hierarkisë ushtarake, këtë radhë me misioni për ta integruar në NATO, pikërisht atë që e dogjën me dorën e tyre.

Korrupsioni

Korrupsioni ka qënë sigurisht një tjetër goditje që shëmbi themelet e shtetit dhe të ushtrisë. Ky lubrifikant i kapitalizmit alla shqiptarçe, helmoi sikundër Shqipërinë, dhe tërë ushtrinë. Në këtë etapë evidentohet inaktiviteti i komandave dhe shtabeve për të marrë në dorë dhe normalizuar atë gjendje që kishte ngelur në ushtri. Eshtë momenti kur komandat dhe shtabet të tkurrura nga presioni i gjithanshëm vazhduan të bëheshin objekt i reprezaljeve nga jashtë dhe nga Brenda, duke shkatërruar e dëmtuar akoma më shumë. Korrupsion ishte e tërë veprimtaria ekonomike e Ministrisë së Mbrojtjes. Pas datës 13 mars 1997 situata mbeti pothuajse e njëjtë kudo. Vala e shkatërrimeve dhe e marrjes së dokumentave, u pasua me po atë vjedhje kolosale nga elemente të jashtëm, por më tepër nga brënda, nga vete “njëshi” i reparteve dhe shefat e tjerë rreth tij. Nuk është rastësi që dosjet e tenderave dhe kasafortat e logjistikës u zhdukën. Bashkë me këto kasaforta u dogjën edhe dosjet e tjera të dyshimta.

Tregtia e armëve

Shqipëria mbeti vendi më i lakmuar në tregëtinë e armëve që nga lufta në ish-Jugosllavi, Ruanda, Afganistan, etj. Shqipëria mbeti si autostradë e tregtisë nga mafia në rrugën e tyre të

trafikimeve, nga Lindja në Perëndim. Alarmi për këtë fakt ishte dhënë edhe nga segmente të veçanta në Ministrinë e Mbrojtjes. Një pjesë e mirë e armëve të grabitura ridhte në formë ilegale me vendet fqinjë, sidomos me Greqinë, Maqedoninë, Malin e Zi, duke mos përjashtuar edhe Kosovën.

Tregëtia e armëve tronditi politikën shqiptare. Për rreth pesë vjet rresht, nëpërmjet firmës shumë të përfolur “Meiko” Ministria e Mbrojtjes realizonte tregëtinë e armatimit dhe municionit. U tregtuan mbi 100 mijë armë dhe 250 milionë fishekë, me rreth 250 firma të hedhura nga ish-ministri i Mbrojtjes, duke i grabitur shtetit rreth 70 milionë dollarë. Por shqetësimi i këtij korrupsioni nuk qëndron thjesht tek tregtia e armëve dhe e municioneve. Ato u bënë në kundërshtim me logjikën më elementare ekonomike, duke mos u trajtuar si djersa e popullit dhe malli i ushtrisë. Një armë në uzinat tona ushtarake kishte një kosto nga prodhimi deri në ambalazhim afërsisht 120 dollarë. Kurse shitja e tyre u bë me vetëm 65 dollarë. Trampolinat e përdoruara për nxjerrjen e ngarkesave jashtë Shqipërisë kanë qënë aerodromet ushtarake, Rinasi, Gjadri dhe Kuçova. Kështu, vetëm nëpërmjet pistës së aerodromit të Kuçovës janë nxjerrë jashtë vendit rreth 69% të sasisë së armatimit të shitur. Gjithsesi, kjo tregti ishte një nga humbjet më të mëdha të ushtrisë shqiptare. 34 milionë dollarë është shifra e kësaj tregtie, e cila ende është nën hetim, së bashku me 5 milionë e 515 mijë dollarë, për kredi në mënyrë të paligjshme. Veprimet e mëvonshme për djegien e dokumentacioneve besohet të mbetet ndër shkaqet më kryesore për mbulimin e gjurmëve nga kjo tregti gjigande.

Shitblerjet u kthyen në një mjet fitimi, sidomos për drejtuesit në ministrinë e Mbrojtjes. Shitblerjet, që nga ato të cilat prokuroheshin nga Ministria e Mbrojtjes dhe deri tek bleriet nëpër reparte, ishte mjeti më i mirë i fitimit për ta. Ky mekanizëm korruptiv vazhdoi edhe pas vitit ‘97. Mjaft

titullarë e politikanë përgojohen nga shtypi dhe mjedisi i ushtarakëve për tendera me çmime fantastike, për artikujt, oriz, këpucë, karburant dhe për gjithçka.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak

Edhe kryerja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, mbeti një biznes fitimprurës në ushtri. Mjafton të përmendet fakti se në momentin e fillimit të ngjarjeve, ushtria shqiptare nuk kishte në fakt as një të tretën e numrit të përgjithshëm të planifikuar të ushtarëve. Ndërkohë, pjesa tjetër në forma të ndryshme kishte paguar shmangien nga shërbimi ushtarak. Për një leje apo shtyrje të shërbimit, tarifat e pagesave arritën 7.000 deri 10.000 lekë. Strehimi i ushtarakëve u mendua se u përmirësua nga përparësia që dha privatizimi i objekteve të dala e të lira nga ristrukturimi i ushtrisë. Teksa numri i ushtarakëve dhe i ish- ushtarakëve të pastrehë vazhdon të jetë tepër problematik edhe sot. Nga 4438 objekte të liruara nga ushtria janë autorizuar për shitje 2820, janë shitur 1003, janë miratuar për banesë 1236, ndërsa 85 objekte janë mbajtur për ruajtje. Privatizimi i objekteve të dala të lira nga ristrukturimi i ushtrisë, u zvarrit deri në ekstrem. Kjo çoi në pronësimin e paligjshëm, braktisjen dhe zhdukjen e një numri jo të vogël të tyre. Mjaft praktika privatizimi mbetën pezull, të pamiratuara nga ministrat e mbrojtjes me qëllime përfitimi. Sakaq, u abuzua në masë edhe me pronësinë mbi tokën në ushtri. Ushtria mbeti pa prona dhe e tillë është edhe sot. Mungesa e pronave në ushtri, mosevidentimi dhe marrja e tyre ligjërisht e në mënyrë institucionale i përgatiti asaj shkatërrimin.

Ky problem qëndron edhe për ndërmarrjet ushtarake, të cilat në këto periudha përjetuan inaktivitet dhe vështirësi të theksuara. Në vend të prodhimeve për ushtrinë ose për integrimin e tyre në shoqërinë civile, shumica e të cilave mbahet me porosi për të tretët, apo me qiratë e ambienteve. Ushtrise i duhet nje “inventor” në kuptimin klasik e të gjërë të këtij nocioni.