DOSJA ’97/ Ligjet dhe masat e gabuara që çuan në shkatërrimin e ushtrisë shqiptare

DOSJA ’97/ Ligjet dhe masat e gabuara që çuan në shkatërrimin e ushtrisë shqiptare
HISTORI/ Nënkolonel Hekuran Rrapaj analizon të gjitha dëmet që i solli kriza e vitit 1997 ushtrisë shqiptare: “Nuk qe kompetencë e ministrit të Mbrojtjes të nxirrte repartet e ushtrisë për luftë. Madje, një gjë e tillë nuk është as në kompetencën e Komandantit të Përgjithshëm”

Situata politike e krijuar gjatë periudhës janar-mars 1997, nuk kishte asgjë të përbashkët me gjendjen e luftës, apo siç u përcaktua “gjendja e jashtëzakonshme”. Ajo ishte një gjendje krize politike e brendshme, që kërkonte zgjidhje me metoda dhe mjete politike e aspak implikimin e ushtrisë, siç edhe u bë në fakt. Ky është një pohim tjetër që bëhet në analizën e tij të radhës për “Albanian Free Press” mbi ngjarjet e marsit 1997, nga nënkolonel Hekuran Rrapaj. “Absurditeti arrin më tej: Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen jep urdhrin operacional, për “sulm mbi bazën e Sarandës”, plan ky i fiksuar më datë 06.03.1997. Ndërmerret kësisoj aventura për të urdhëruar ushtrinë për të vepruar jashtë misionit kushtetues të saj”, shton ai.

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Përdorimi i ushtrisë shqiptare për detyra jashtë kufijve ligjorë, e futi atë në rrugën pa krye, e cila shënoi edhe epilogun e dhimbshëm të shthurjes dhe shkatërrimit total të saj në mars të vitit 1997. Zbatimi i Vendimit të Këshillit të Mbrojtjes, i datës 25.05.1995 ku përcaktohet se “Elementë të veçantë të ushtrisë mund të përdoren për të ndihmuar” (forcat e rendit), u përdor në mënyrë abuzive dhe sa për fasadë, duke krijuar precedentë, që ndikuan negativisht në ngjarjet e mëvonshme. Dalja e  reparteve të ushtrisë për marrje në ruajtje të disa objekteve dhe institucioneve shtetërore dhe publike, në kushtet e gjendjes jo të shëndoshë që ishte ajo, krijoi kushte për t’u kthyer vetë në objekt goditje e dobësoi ndjeshëm shkallën e gatishmërisë luftarake dhe shërbimin e rojës në repart. Ky veprim krijoi gjendje amullie dhe çoroditje brenda radhëve të saj. Situata solli më tej precedentë të rrezikshëm, duke ngritur e ringritur mekanizma e organe të besuara për lidershipin në drejtimin e operacioneve, që kishin për objekt shtypjen e revoltave popullore.

Le të pranojmë se në mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë, si dhe në ndihmë të forcave të rendit u përdorën “këta elemente të veçantë” të ushtrisë. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, u urdhëruan të vihen në gatishmëri njësi dhe reparte të tëra të Forcave të Armatosura nën drejtimin e një shtabi të sajuar operacional. Roli i drejtorisë Operative në këtë moment u eliminua. Ky si një organizëm i specializuar për përgatitjen e të dhënave e për planifikimin e operacionit, nuk sugjeroi asgjë. Veprimet  konkrete treguan qëllimet që neglizhuan dhe vetëpërjashtuan Shtabin e Përgjithshëm nga detyrat operacionale.

“Në drejtorinë operative janë përpunuar urdhra për lëvizjen dhe dislokim trupash pas gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo i referohet urdhrit të Komandës Përgjithshme nr.27, datë 28.02.1997, i cili realisht nuk bënte fjalë për kushtet e ngjarjes së jashtëzakonshme. Në të nuk urdhërohej lëvizje e dislokim forcash. Në këtë urdhër, forcat e ushtrisë urdhëroheshin për t’u angazhuar në ndihmë të forcave të rendit “në rastet kur organet e ruajtjes së rendit nuk janë në gjendje të eliminojnë veprimtarinë e paligjshme që cenon rendin kushtetues dhe rendin publik”. Absurditeti arrin më tej: Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen jep urdhrin operacional, për “sulm mbi bazën e Sarandës”, plan ky i fiksuar më datë 06.03.1997. Ndërmerret kësisoj aventura për të urdhëruar ushtrinë për të vepruar jashtë misionit kushtetues të saj. Situata politike e krijuar gjatë periudhës janar-mars 1997, nuk kishte asgjë të përbashkët me gjendjen e luftës, apo siç u përcaktua “gjendja e jashtëzakonshme”. Ajo ishte një gjendje krize politike e brendshme, që kërkonte zgjidhje me metoda dhe mjete politike.

Me gjithë sugjerimet e bëra nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura  dhe nga baza e ushtrisë, për vështirësitë që i dilnin asaj, si dhe për rrjedhojat në rastin e ndonjë ndërhyrje në ngjarjet e Vlorës, ato asnjë moment nuk u morën parasysh nga udhëheqja e lartë shtetërore. Sipas ligjit, nuk qe kompetencë e ministrit të Mbrojtjes të nxirrte repartet e ushtrisë për luftë. Madje, një gjë e tillë nuk është as në kopetencën e Komandantit të Përgjithshëm.

“Asnjëherë ushtarakët nuk i vënë në lëvizje mjetet luftarake pa urdhër. Nga ana tjetër, vetëm Presidenti ka të drejtë në bazë të ligjit të urdhërojë në kushtet e jashtëzakonshme, për lëvizjen, dislokimin dhe përdorimin e Forcave të Armatosura”, pohon Adem Çobani, gjeneral major, ish-shefi Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Nuk ishte as edhe e rastit që si vendkomandë e kësaj lëvizje operacionale të Forcave të Armatosura, u përzgjodh selia qendrore e SHIK-ut. Po  ku qëndronte roli i drejtorisë operative!? Ndodhi kësisoj që kjo drejtori në Shtabin e Përgjithshëm, të mënjanohej nga misioni i saj, duke u vendosur totalisht nën urdhrat e SHIU-t. Në ligjin mbi Forcat e Armatosura, miratuar në vitin 1991, futeshin forcat e ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë Brendshme dhe SHIK-u. Koncept i papranueshëm nga ushtritë moderne perëndimore.  Ndoshta këtej zë fill edhe përbërja enigmë e shtabit të operacionit të kryesuar nga një “gjeneral” i padekretuar i SHIK-ut. Shtabi i SHIK-ut u krijua, sepse drejtuesit politikë të vendit dhe Komandanti e kishin humbur plotësisht besimin tek ushtria dhe tek Shtabi i Përgjithshëm i saj. Ndërsa për operacionin lipseshin të përdoreshin forca besnike të SHIK-ut, të ministrisë së Rendit, ose të sapomobilizuara.

Kështu, pra vendosja e Forcave të Armatosura bashkë me ato të ministrisë së Rendit dhe SHIK-ut nën komandën e “gjeneralit” me katër yje, ngelet një absurditet jo i zakonshëm. Urdhrat-rrufe për veprime, nuk mund të mos sillnin reagime nga segmente të Shtabit të Përgjithshëm dhe sidomos nga efektivat nëpër njësitë dhe repartet e saj.

Megjithëse u tentua që krijimi i një shtabi të tillë të bazohej në një ligj të ri, kjo nuk përjashtoi absurditetin e veprimeve. Sipas ligjit, vetëm Shtabi i Përgjithshëm e ka të drejtën të paraqesë për miratim idetë e Forcave të Armatosura në këto operacione, duke kuptuar këtu si Forca të Armatosura edhe vetë forcat e ministrisë së Rendit, apo të SHIK-ut. Por ishte më se e kuptueshme që ky, në rastin konkret, nuk do ta kryente kurrë një detyrë të tillë.

Edhe ligji i gjendjes së jashtëzakonshme, nga mënyra e shpejtësisë së miratimit dhe interpretimit të ngjarjeve krijoi mjaft mangësi. Në parlamentin shqiptar, për këtë problem madhor që i kërkohej ushtrisë nuk u thirr aspak komisioni parlamentar i Mbrojtjes dhe i SHIK-ut. Ky ligj prishi linjën e komandim-drejtimit, sepse nuk kaloi nga Komandanti i Përgjithshëm, Kryetari i Këshillit të Ministrave, Ministri i Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm e pastaj tek komandantët e njësive dhe reparteve. Prishja e kësaj linje solli që të gjitha urdhrat që përgatiste Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhej të firmoseshin nga Komandanti i Përgjithshëm dhe jo nga kryetari i SHIK-ut, Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen, si dhe nga të tjerë.

Si komplikoheshin ligjet

Partia që qe në komandë, nuk kishte besim te ushtria, tek ushtaraku. Ky mosbesim arriti deri sa i çarmatosi fare ata. Ligjet komplikoheshin dhe pengoheshin me dashje. Kur u sulmuan depot e ushtrisë, më datat 7 dhe 8 mars 1997 u dha një urdhër  ë t’u kthehen pistoletat oficerëve në ushtri. Ky urdhër përsëri nuk u zbatua plotësisht. Komandantët e reparteve ndanë disa pistoleta me lista preferencash vetëm për një kontingjent të besueshëm oficerësh. Ishte një absurditet i jashtëzakonshëm që ushtria armatoste me armë dhe municione SHIK-un edhe militantët e tjerë, duke lënë pa armë pjesëtarët e efektivave të saj. Ushtria “akuzohet” në këto momente, kur lidershipi i saj e urdhëronte, që armët nga depot t’ua jepte atyre që nuk u takonte. Por gjithashtu, edhe ligjet për përdorimin e armës vetjake u formuluan si tejet ekuivokë,  duke  e bërë të vështirë marrjen e një vendimi për të qëlluar. Ligji për përdorimin e armës ndalonte të qëllonte mbi turmat që kanë gra dhe fëmijë. Ushtarit i kërkohej të gjente organizatorin. Mirëpo depot e ushtrisë, përgjithësisht u sulmuan natën. Roja as që mund të shikonte se kush i organizonte. Vështirë se mund të bëhej dallimi midis atyre që organizonin dhe atyre të tjerëve që vepronin, apo shikonin. Ligji thoshte të dallohej kryetari i turmës, në mënyrë që mbi të të hapej zjarr. Por organizatori mund të rrinte edhe në fund të turmës, larg saj, mbi një kodër. Sigurisht, që politikës i ka pëlqyer edhe ky ligj, duke përforcuar mosbesimin që ata kanë patur tek ushtarët që përdornin armën. Kjo e futi ushtarakun në dilemën që cilën të zbatonte: ligjin apo rregulloren ushtarake. Ushtari, si hallka e fundit në ushtri, nuk qëlloi. Ai shikonte se me urdhrat që jepeshin, nga depot e armatimit që ai ruante, kompletoheshin rezervistë dhe njerëz të dyshimtë, jashtë formacioneve kompletuese të këtyre reparteve. Një urdhër i tillë u dha për tërë divizionet e Forcave të Armatosura më datë 2 mars 1997. Nuk mund të akuzohen ata për këto momente, kur Komandanti u thotë atyre që nuk u takojnë të marrin armët nga depot. Po të ishte ruajtur normaliteti i zbatimit të ligjit, nuk afrohej njeri pranë depove të ushtrisë. Ky qe një fakt i goditjes që mori ushtria.

Ligji i gjendjes së jashtëzakonshme vijoi me një ligj tjetër, ku thuhej se ushtarakët aktivë dhe rezervistë që nuk zbatojnë detyrat e ngarkuara, dënohen sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal ushtarak. Kjo u shoqërua me dhënien e urdhrave për kalimin e reparteve ushtarake në vartësi të Shtabit Operacional të SHIK-ut. Reagimet u shoqëruan rrufeshëm edhe me shkarkime të shumë kuadrove ushtarakë me urdhër me shkrim, duke u zëvendësuar me persona të panjohur si komandues në ushtri. Pjesa tjetër që kundërshtoi, u veprua me arrestime. Në rrafshin praktik u shpalosën situatat e mosfunksionimit në bazë të ligjshmërisë, por të vënies në plan të parë të militantizmit partiak. Kjo shërbeu si kriter kryesor gjatë atyre ditëve.

 

 

MOBILIZIMI

Si u mashtruan për t’u rekrutuar në aksionin ushtarak kundër Jugut?

Të mashtruar duke ju premtuar punë pas “fitores”. Apo edhe me detyrim, si edhe “fletë-thirrje” në formën e “Kushtrimit

luftarak”, para të cilëve u lexohej i shkruar një nen: “Ligji i gjendjes së luftës për dënim me vdekje në rast mosparaqitje”.

Po organizimi i tyre, si u realizua nga policia, për të bërë mobilizimin? Me furgona civilë dhe me automjetet e ushtrisë

që dërgoheshin në Tiranë, te godinat e SHIK-ut, te Akedemia e Mbrojtjes, për të marrë armatime, (një kallashnikov, 200 fishekë dhe rroba ushtarake). Pasi armatoseshin caktoheshin drejt e në zonat e përcaktuara nga shtabi i operacionit sipas nevojave. “Më shumë kërkoheshin tankistë dhe zbulues. Për personat që mobilizoheshin jepte miratimin shefi i policisë  kriminale të rrethit. Kështu, deri më 2 mars 1997 flitej se ishin dislokuar në Fier rreth 2000 forca të tilla, ­­­­­­­­SHIK-as të ndryshëm dhe civilë të mobilizuar. Kishte nga të gjitha moshat 17, 18-vjeçarë, madje dhe 60-vjeçarë që mezi lëviznin. Një grup tropojanësh, rreth 5-6 veta, kishin ikur nga “fronti” në Gjirokastër. I sollën më datë 2 mars për të dorëzuar armët. Ata po i luteshin një SHIK-asi që të mos i çarmatoste. Ai u tha: “Mirë se do të flasim bashkë sapo të dorëzoni armët tek dhoma jonë”. Ishte fjala për keqtrajtime që u bëheshin dezertorëve.

Mbas formimit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, filluan edhe kthimet e para të “luftëtarëve”. Në godinën e SHIK-ut nuk kishte fare magazinierë për të marrë armët. Duhej shkuar në Komandën e Gardës së Republikës. Atje jepej urdhër që armët të mbaheshin me vete në shtëpi, së bashku me municionin. Këtë urdhër e jepte një civil i shkurtër, por me “gradë” të lartë partiake. Shumica e të armatosurve nuk u paraqitën fare për dorëzimin e armëve, sepse ashtu u ishte komunikuar, që me largimin nga fronti. Që nga aty, u nisën me mundësitë e veta, secili për të shkuar në shtëpitë e tyre, pa asnjë lloj organizimi. Kjo u bë me qëllim. Këta konsideroheshin njerëzit më të besuar të Presidentit dhe që duheshin armatosur, për shkak se Jugu qe i vetëarmatosur.

 

 

KONKLUZION

Arsyet e tragjedisë që ndodhi në ushtri

Ndër arsyet e tragjedisë që ndodhi në ushtri, ishin mosnjohja dhe moszbatimi i ligjeve ekzistuese, por nga ana tjetër, edhe mangësitë që ekzistojnë në vetë ligjet e legjislaturës shqiptare. Të lidhura strukturalisht, këto mungesa sollën ndërprerjen e piramidës legjislative që në fillimin e saj, duke lënë hapësira të pakontrolluara dhe të padrejtuara, ku shumë sektorë devijuan në veprimtarinë e tyre. Shkatërrimi i ushtrisë, i kësaj force me vlera kombëtare, mbetet tradhtia më e madhe ndaj Shqipërisë. Kjo tronditje, për nga vlerat dhe parametrat që duhet të plotësojë, paraqet më shumë vështirësi dhe kërkon më shumë kohë.