Digjet katedralja Notre-Dame në Paris

Digjet katedralja Notre-Dame në Paris
Një zjarr i madh përfshiu dje katedralen e famshme Notre-Dame në Paris. Ndodhet në një ndërtesë gotike, 850-vjeçare

Katedralja e famshme Notre Dame e Parisit është përfshirë nga flakët. Nuk është ende e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin që nisi në orën 18.50 të së hënës dhe vijoi gjatë mbrëmjes, megjithatë dyshimet janë se flakët mund të kenë lidhje me punimet e rinovimit që po i bëhen ndërtesës.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo e cilësoi një zjarr të tmerrshëm atë që ka përfshirë katedralen Notre Dame në Paris.

Ajo tha se zjarrfikësit janë duke u përpjekur të kontrollojnë zjarrin dhe shtoi: “Ne jemi mobilizuar në nivel lokal në lidhje të ngushtë me autoritetet e kishës. U kërkoj të gjithëve që të respektojnë perimetrin e sigurisë”.

Operacioni i zjarrfikësve është në vazhdim e sipër, por kulmi i ndërtesës gotike 850-vjeçare u shemb.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e anuloi fjalimin drejtuar kombit ku do të jepte përgjigje për protestat e “jelekëve të verdhë” dhe doli me një deklaratë: “Jam i pikëlluar sonte që shoh këtë pjesë tonën të digjet”.

Katedralja mesjetare përfundoi së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe sot, konsiderohet po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar.

E vendosur në Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, katedralja është një nga objektet më të njohura turistike të Parisit dhe tërheq 30 milionë vizitorë në vit.

Ky zjarr ndodhi në ditën e parë të festimeve të Javës së Shenjtë para Pashkëve, festa kryesore e katolikëve.

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar katedralen. Atë e vizitojnë çdo vit mbi 30 milionë njerëz.

Zyra e Prokurorit të Parisit tha se ka hapur një hetim mbi incidentin.

Reagime të shumta pati dhe nga liderë botërorë. “Londra ndan pikëllimin me Parisin”, - tha kryetari i kryeqytetit britanik, Sadiq Khan. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se populli i saj ndjen me miqtë francezë, ndërsa e përshkroi katedralen si "simbol të Francës dhe të kulturës sonë evropiane”. “Është aq e tmerrshme të shihet zjarri masiv në katedralen Notre-Dame”, - tha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

 

Presidenti i Francës, Macron

“Zonja e Parisit në flakë. Emocion i një kombi të tërë. Trishtim për të gjithë katolikët dhe për të gjithë francezët. Ashtu si të gjithë bashkatdhetarët tanë, unë jam sonte shumë i trishtuar duke parë të digjet kjo pjesë e jona”.