DEPRESIONI SOCIAL! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

DEPRESIONI SOCIAL! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Kriza ekonomike dhe varfëria i ka ulur në gjunjë shqiptarët. Dukshëm ka dy realitete. I pari është  realiteti me shifra në ngritje që i duhet bankave dhe ministrisë, një realitet ky i bukur proqeveritar që përkrahet në shumë raste edhe nga ekspertë të huaj, një makroekonomi librash e burokratësh por që nuk mbush barkun e pjesës më të madhe të shoqërisë. Realiteti tjetër është ai që shikojmë e ndeshim ne njerëzit që jetojmë në tokë e jo në hënë, realitet që e shikon edhe në lagje që dikur presupozoheshin për të kamur, e që sot bëjnë pazar me lista në minimarketet e lagjeve, Pazar ky për të mira parësore materiale, pra bazën ushqimore e të higjienës. Por ajo që është edhe më shqetësuese është se, me shumë gjasa, shoqëria shqiptare është në depresion social. Varfëria dhe konjukturat ekonomike jo të favorshme, si një minë me sahat, kanë bërë të shpërthejnë spiralet mendore të ankthit e panikut, duke e futur tërësisht shoqërinë tonë në pasiguri për të nesërmen.

Mendoni pak, një familje që ndodhet në kushtet e detyrueshme të ndryshimit të një stili jetese normale për shkak të vështirësive ekonomike, për shkak të humbjes së punës, rritjes së çmimeve, rritjes së kërkesës nga fëmijët që rriten, kjo familje e ka edhe më të vështirë që të ruajë unitetin e saj. Dy qendrat e familjes, bashkëshorti e bashkëshortja do të përhumben secili i mbyllur brenda shqetësimeve të veta mbi të ardhmen dhe pamundësinë për të rritur si duhet fëmijët e kjo sigurisht që sjell frikë, ankth, gjendje shpirtërore negative. Por është e pritshme që të dëshpërohen edhe fëmijët e të rinjtë, të cilëve askush nuk u ka mësuar dot se si të përballojnë kriza të tilla depresioni social, se si t’i kapërcejnë ato. Po të shikojmë edhe më thellë, po edukojmë një brez fëmijësh e të rinjsh që janë mësuar që të kenë çdo gjë menjëherë, pa i përgatitur se mund edhe të mos jetë kështu e se duhet luftuar për të kapërcyer kriza të tilla.

Sipas “American Journal of Physical Anthropology” varfëria lë gjurmë deri në ADN-në tonë dhe ndikon 10 % të saj. Por ky është vetëm studimi më i fundit mbi një lidhje direkte mes varfërisë dhe depresionit e tashmë kjo lidhje është e pamohueshme.

Kush jeton në varfëri rezulton të ketë një rrezik më të madh sëmundjesh mendore kundrejt moshatarëve të të njëjtës gjini por që janë të kamur. Kur kjo ndodh në botën e madhe e të pasur, sa mendoni se ndodh në një vend si yni, ku individi shkundet e lëkundet mes krizave politike e atyre ekonomike gjithmonë  e më shpesh. Pra një masë e gjerë mes kequshqyerjes që do ndryshojë ADN-në  e saj dhe pasigurisë për të nesërmen që do të ndryshojë shëndetin e saj mendor. Depresion social si rrjedhojë e një represioni social. Por nëse krizën ekonomike pushtetet e paguajnë shtrenjtë përmes zgjedhjeve dhe humbjeve e ndërrimit të pushteteve, kush paguan për këtë depresion social që po shkatërron familjet, që po prish ekuilibrin mendor tek të rinjtë, që po huton ose drejton keq të vegjlit, që po u heq dinjitetin të moshuarve? Në Shqipëri nuk do të paguajë askush e kjo do të jetë nesër më e rëndë se sa dëmtimi i ADN-së.