Biznesi: “Jo” ndryshimeve të reja në Kodin Rrugor, u rëndojnë financiarisht të gjithëve

Biznesi: “Jo” ndryshimeve të reja në Kodin Rrugor, u rëndojnë financiarisht të gjithëve
“Është e papranueshme dhe antikushtetuese, që qytetarët dhe bizneset të penalizohen në mënyrë automatike deri në 50 mijë lekë gjobë, kur kalojnë 15 ditë pa paguar siguracionin vjetor të detyrueshëm. Kjo edhe pse mund të jenë në kushtet e mospërdorimit të mjeteve në pronësi. Një praktikë e tillë e pashembullt, që prek zotëruesit e mbi 600 mijë automjeteve në Shqipëri, është e panjohur në vendet e rajonit, Bashkimit Evropian dhe më gjerë”

Ndryshimet e reja që pritet t’i bëhen Kodit Rrugor rëndojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë financiarisht mbi kostot e biznesit dhe jetesës së qytetarëve shqiptarë. Prandaj, Kuvendi nuk duhet që t’i miratojë aspak ato.

Një apel i tillë publik i është drejtuar dje këtij të fundit nga organizata e njohur e biznesit, Konfindustria, sipas së cilës, ai vlen edhe për Presidentin, që ai të mos i dekretojë më pas ato.

“Disa nga ndryshimet e propozuara në projektligj cënojnë interesin publik dhe janë me tipare të qarta klienteliste të tipit “kapje e shtetit”, pohon ajo. Duke shtuar se këto ndryshime janë kaluar për miratim në Kuvend pa u debatuar më parë me grupet interesit dhe duke shfrytëzuar gjendjen e trazuar politike në vend, apo edhe funksionimin jo normal të organit legjislativ.

Madje, sipas Konfindustria-s, gjendja bëhet edhe më e rëndë në kushtet kur Gjykata Kushtetuese prej kohësh është praktikisht jofunksionale.

“Penalitetet për zotëruesit e mjeteve mund të shkojnë në vlera prej shumë miliona euro/vit, që do të shkojnë në përfitim të dyfishtë të kompanive të sigurimit. Së pari, rrisin në mënyrë të padrejtë të ardhurat e operatorëve nga primet e sigurimit të detyrueshëm pavarësisht, nëse mjetet përdoren ose jo nga qytetarët dhe bizneset. Së dyti, shkojnë për të plotësuar detyrimet ligjore financiare në miliona euro, që kompanive e sigurimit nuk kanë derdhur prej vitesh në Byronë e Sigurimeve”, sqaron më tej Konfindustria.

Duke përfunduar se “problematika të tilla janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së konkurrencës dhe gjendjes së organizimeve të tipit “kartelit” në tregun e sigurimeve, të vërejtur edhe nga Autoriteti i Konkurrencës”.