Biznesi gjerman: Situata ekonomike në Shqipëri, sot më keq se një vit më parë

Biznesi gjerman: Situata ekonomike në Shqipëri, sot më keq se një vit më parë
Situata ekonomike aktuale në Shqipëri paraqitet më keq se sa një vit më parë. Të paktën, sipas biznesit gjerman që ushtron aktivitetin e tij në vendin tonë.

Në një përfundim të tillë ka arritur një anketim i kryer prej Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë me përfaqësues të tij, të cilët kanë pohuar se klima e biznesit dhe e investimeve në Shqipëri duhet të përmirësohet.

“Optimizmi i tyre që lexohej në përgjigjet e vitit të shkuar është zbehur”, thuhet në përfundimet e këtij anketimi. Duke shtuar se gjysma e bizneseve gjermane, ose 51% e tyre e kanë vlerësuar si “më keq”, situatën aktuale ekonomike në Shqipëri. Ndërsa vetëm 13 % e tyre e vlerësojnë atë pozitivisht. Madje, shkohet edhe më tej, në parashikime negative që sipërmarrësit gjermanë i bëjnë ecurisë së aktivitetit të tyre në Shqipëri.

“Përsa i përket projektimit të situatës së vendit në të ardhmen, 43% e të pyeturve mendojnë se trendi do të jetë negativ. Ky tregues paraqet një rënie me 26% krahasuar me rezultatet e vitit 2018”, thotë më tej anketimi. Nga ana tjetër, një tregues negativ është edhe ai se biznesi gjerman vlerëson me nota më të ulëta, ato që deri dje për të ishin pozitive në Shqipëri.

Ndërsa mbeten në vend të parë ende faktorët që kanë të bëjnë kryesisht me forcën e punës në Shqipëri, të tilla si kostoja e punës, produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i tyre, arsimimi dhe disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar.

“Duket se disponueshmëria e forcave të punës të kualifikuara, me një kosto që vazhdon të jetë konkurruese, vazhdon të tërheqë dhe të mbajë investitorët e huaj në Shqipëri”, vlerësojnë ekspertët gjermanë lidhur me këtë situatë. Ndërsa shtojnë se ashtu si edhe vitet e kaluara,

trend negativ kanë shënuar faktorë të tillë që ndikojnë drejtpërdrejt në të bërit biznes, të tillë si siguria ligjore, administrata publike, politikat ekonomike, transparenca e tenderat publikë dhe lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.

“Këta mbeten prej vitesh faktorët më problematikë për kompanitë gjermane të biznesit në vend”, cilëson gjithashtu anketa.

 

51%

E bizneseve gjermane që ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në Shqipëri e kanë vlerësuar si “më keq”, situatën aktuale ekonomike të saj, krahasuar me një vit më parë

 

13%

E bizneseve gjermane që ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në Shqipëri e kanë vlerësuar “pozitivisht” situatën aktuale ekonomike të saj, krahasuar me një vit më parë

 

 

Parashikimi: 45% mendojnë se situata do stabilizohet, kurse 45% të tjerë që jo

“45 % mendojnë se situata do të stabilizohet me kalimin e kohës dhe po 45% mendojnë se situata do të vazhdojë të përkeqësohet”. Ky është një tjetër përfundim i anketës së biznesit gjerman në Shqipëri, lidhur me pasojat e dukurisë së emigracionit, që sipas tyre e ka prekur dukshëm atë.

“Të pyetur mbi pritshmëritë e tyre mbi ecurinë e kësaj dukurie në vitet e ardhshme, vetëm 11% janë optimistë dhe presin që pjesa më e madhe e atyre që janë larguar do të kthehen sërish pas 2-3 disa vitesh, të pajisur me mentalitet perëndimor pune”, vlerëson gjithashtu anketa në fjalë.

 

Dukuria: “Emigracioni jashtë vendit po na merr forcë të kualifikuar pune”

Biznesi gjerman është ankuar edhe mbi situatën aktuale të emigracionit në Shqipëri, e cila sipas tij i ka shkaktuar humbje lidhur me fuqinë punëtore. “Ndikuar nga fluksi i emigracionit,  gjysma e të anketuarve mendojnë se forca e punës në Shqipëri është shumë e prekur nga emigracioni dhe gati 40% e tyre e shohin si mesatarisht të prekur”, thuhet në anketë. Duke shtuar se “bazuar në përvojën e tyre të mëparshme në biznes, 43% e kompanive mendojnë se situata aktuale e emigrimit ka veçanti, duke qenë se po largohet në masë forca e punës e mirëkualifikuar, por gjithsesi mbetet problem i përkohshëm”. “Ndërkohë që 43% e biznesit gjerman mendojnë se situata është kritike/alarmante për të”, shton më tej anketa. Ndërsa përsa u përket arsyeve se pse po ndodh ky emigracion ne masë, rreth 70% e të anketuarve mendojnë se janë situata e keqe ekonomike, apo dhe probleme të tjera, të tilla si sistemi shëndetësor apo arsimor.