Bizneset bëhen të kujdesshëm, kërkojnë më pak kredi

Bizneset bëhen të kujdesshëm, kërkojnë më pak kredi
Sa më të vogla bizneset, aq më pak kanë trokitur pranë bankave këtë fillimviti për të marrë kredi

Ky fillimviti i ka gjetur bizneset më të kujdesshëm në nismën e të kërkuarit një kredi pranë bankave. Kjo dukuri konfirmohet nga Banka e Shqipërisë në vrojtimin e saj më të fundit për kredidhënien si të tillë.

“Kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua më e ulët në  tremujorin e parë të vitit 2019”, pohon ajo. Duke shtuar se kjo kërkesë u raportua më e ulët, si në kreditë për qëllim investimi, ashtu edhe në atë për likuiditete. Që do të thotë në terma më të thjeshtë se sipërmarrësit nuk kanë trokitur në bankë për të marrë një kredi as për ta rivonuar biznesin e tyre dhe as për të patur pará shtesë nëpër duar, me qëllim kryerje pagesash. Një gjë të tillë, ata mesa duket kanë preferuar ta bëjnë në mënyra të tjera, në vend që të rrezikojnë duke shtuar borxhin e tyre tek bankat.

Nga ana tjetër, një dukuri që kanë vënë re ekspertët bankarë gjatë këtij fillimviti ka qenë ajo se ata që janë “përmbajtur” për të marrë një kredi kanë qenë kryesisht bizneset e vegjël dhe të mesëm, ndërsa ata të mëdhenj kanë rrezikuar më shumë.

“Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e  kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të vogla dhe të mesme”, thuhet lidhur me një dukuri të tillë në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

Por ama, ekspertët presin që kjo situatë të ndryshojë gjatë kësaj periudhe që jemi duke kaluar. “Në tremujorin e dytë të vitit 2019, bankat presin një kërkesë të shtuar të bizneseve për kredi. Kërkesa vlerësohet të jetë më e lartë si nga bizneset e mëdha, ashtu edhe nga ato të vogla e të mesme”, sqarojnë ekspertët. Duke shtuar madhe edhe faktin se “bazuar në opinionet e bankave, kërkesa e bizneseve pritet të jetë më e lartë si në kreditë për qëllime likuiditeti, ashtu edhe ato për investime”.

E duke dhënë kështu një nuancë të shtuar optimizmi në tregun aktual të kreditimit, i cili mesa duket gjatë këtij viti ka qenë më i zbehtë, krahasuar me vitet e mëparshme.

 

“Faktorët që ndikuan në një kërkesë më të ulët për kredi të bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2019, ishin: rënia e nevojës për financimin e likuiditeteve; përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit nga ana e bizneseve; situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj; besimi i biznesit; si dhe nevojat më të ulëta për financim nga ana e  tyre si pasojë e ristrukturimit të kompanive”, pohon Banka e Shqipërisë.