Besimtarët katolikë në mbarë botën kremtojnë Pashkët

Besimtarët katolikë në mbarë botën kremtojnë Pashkët
 

Sot, miliona besimtarë katolikë në mbarë botën festojnë Pashkët. Edhe besimtarët katolikë në Shqipëri qysh në orët e para të ëmngjesit u mblodhën në Katedralen e “Shën Palit” për t’u bërë pjesë e Meshës së Shenjtë, e cila ka zgjatur deri në orët e vona pas mesnatës.

Ndërkohë, ditën e djeshme kanë uruar besimtarët katolikë krerët e politikës. Arqipeshkvi Metropolit Shkodër-Pult Angelo Massafra ka zgjedhur Ungjillin sipas Gjonit për të uruar besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve Katolike.

Ndër të tjera, Massafra uron besimtarët që të mikpresin kumtimin e emrit të Jezusit të Ngjallur, të cilit i kërkon të shpëtojë e lirojë Shqipërinë prej padrejtësive, mendjemadhësisë e etjes për pushtet.

“Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mikprisni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje”, thotë Masafra.