Basha: Gati të futemi në dialog me PS, por duhet të ikë Rama

Basha: Gati të futemi në dialog me PS, por duhet të ikë Rama
Kryetari demokrat: PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. PD angazhohet të pamundësojë një tjetër skenar kriminal zgjedhor, si ai i zgjedhjeve 2017

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli dje me mediat pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të forcës politike që drejton, duke shpalosur planin për zgjedhjet lokale. “Vendimi është i qartë. PD do të futet në zgjedhje, vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, - tha z.Basha.

E jo vetëm kaq, por PD angazhohet “të pamundësojë çdo krim tjetër elektoral mbi shqiptarët, si zgjedhjet e vitit 2017, tashmë të dokumentuara edhe nga prokuroria shqiptare, si të dhunuara nga bashkëpunimi kriminal i Edi Ramës me kupolën mafioze, të pamundësojë, pra, një tjetër skenar kriminal zgjedhor, duke bërë, kështu, të mundur që, jo vetëm të rikthejmë legjitimitetin e parlamentit dhe të qeverisë, por, duke pamundësuar pastaj edhe krimet e tjera që pasojnë krimin elektoral”.

Por kush është formula për zgjedhje të lira, sipas Bashës dhe si do ta pengojë PD procesin e votimit?

Basha jep këtë përgjigje: “Largimi i Ramës është kushti i parë dhe i panegocueshëm për nisjen e dialogut politik me Partinë Socialiste, dialog i cili duhet të çojë drejt një qeveria tranzitore me mandat për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në bashkëpunim jo vetëm me aleatët tanë politikë, por me të gjithë shoqërinë dhe gjithë përfaqësuesit e grupeve të interesit, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, ne do të shpalosim propozimet tona për mandatin e qeverisë tranzitore dhe, natyrisht, propozimet tona do t’i nënshtrohen një diskutimi publik, në mënyrë që mandati dhe detyrat e qeverisë tranzitore të mos jenë thjesht dhe vetëm kalkulim politik i opozitës së bashkuar, por të përfaqësojnë konsensusin më të gjerë shoqëror, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë”.

E ndërkohë, kryeministri thotë se nuk tërhiqet, kurse Basha se do pamundësojë zgjedhjet. Por si do të pamundësohen zgjedhjet? Mos vallë do të shkohet drejt përplasjes civile më 30 qershor?

Basha thotë se këto detaje do të tregohen në ditët në vazhdim, duke shtuar: “Pa largimin e Edi Ramës, do të vazhdojë përballja në të gjitha format dhe mënyrat, mes qytetarëve të dhunuar dhe një grushti dhunuesish, një organizate kriminale që ka zaptuar sot kupolën e shtetit, drejtësinë, parlamentin dhe një nga partitë kryesore në vend, Partinë Socialiste të Shqipërisë”.

Sakaq protestat nuk po zhvillohen më sa herë ka seanca plenare, sikurse ka ndodhur deri tani. Basha u pyet dje nëse pati një vendim të Kryesisë për të vazhduar protestat sa herë ka seanca parlamentare dhe tha se ato “do të vazhdojnë sipas taktikës që do të përcaktohet nga shtabi i protestave”.