Arsen Stojku dhe Milsim Rama mohojnë akuzat

Arsen Stojku dhe Milsim Rama mohojnë akuzat
 

Sipas burimeve dy të arrestuarit si bashkëpunëtor për vrasjen e vëllezërve Bilali, kanë mohuar që të kenë lidhje me ekzekutimin mafioz të ndodhur në Shkodër. Arsen Stojku dhe Milsim Rama, 29 dhe 23 vjeç, kanë thënë përpara grupit hetimor gjatë marrjes në pyetje se janë kushërinj të Ibrahim Licit, por nuk kanë lidhje me atentatin e dyfishtë. Ata sqarojnë se  vetëm kanë lyer makinën e përdorur në atentat prandaj dhe gjurmët e gishtërinjve gjenden në të. “Makinën e kemi lyer ne, pasi me këtë punë merremi. Ibrhimin e kemi kushëri ai ka sjellë makinën dhe ne e kemi lyer. Shenjat e gishtërinjve janë gjetur në makinë pasi ne e kemi punuar në të”, janë shprehur përpara hetuesve dy të rinjtë. Por pavarësisht mohimit të dy të rinjve që kanë qenë të implikuar në ngjarjen e rëndë, grupi hetimor pretendon se ka përgjime dhe prova të tjera ndaj tyre. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë siguruar biseda telefonike, por edhe ambientale midis Ramës, Stojkut dhe Ibrahim Licit, i cili kërkohet si autori kryesor i atentatit të 30 Marsit në Kiras të Shkodrës.