Akuza e Ramës: Vendimi i Holandës, kontribut dhe i PD

Akuza e Ramës: Vendimi i Holandës, kontribut dhe i PD
Kryeministri tha se Holanda mori vendim politik për vizat ndaj shqiptarëve, duke shtuar se opozita po na fyen duke festuar. Rama hodhi dyshime se vendimi i parlamentit holandez mund të jetë kontribut edhe i PD

Kryeministri Edi Rama ka vendosur në fokusin e fjalimit të tij në parlament rezolutën e parlamentit holandez ku kërkohet fillimi i procedurës së frenimit emergjent të lëvizjes pa viza për Shqipërinë.

Sipas tij ai është “një vendim thjesht dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda ku nuk është sekret, ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, kundër emigrantëve, intensivisht kundër shqiptarëve”.

“Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolacioniste në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës, në Bashkimin Europian dhe agresive kundër politikës europiane të zgjerimit”, - tha z.Rama.

Për kryeministrin socialist vendimi i parlamentit holandez solli “një festë absurde që u zhvillua në oborrin e opozitës në Tiranë si rezultat i atij vendimi”.

Rama tha se kjo ishte “një festë fyese dhe pa e ekzagjeruar aspak përbuzëse për njerëz zakonshëm të këtij vendi në kushte kur ai vendim u përcoll nëpër kanalet televizive dhe nëpër ato digjitale si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve”.

Për kreun socialist, PD u përpoq “të transformojë në një politikë të dëshpëruar që do të katandiset keq e më keq në formën e një reagimi deputetësh që refuzuan të përfaqësojnë popullin dhe përpiqen t’i vënë zjarrin perspektivës së vendit”.

Ai shtoi: “Kjo është e pafalshme. Është vendim kundër dinjitetit të çdo shqiptari”, - tha ndër të tjera z. Rama.

Kryeministri hodhi dyshime se vendimi i parlamentit holandez mund të jetë kontribut edhe i PD dhe tha: “Si mund të bjerë dinjiteti i disa forcave politike shqiptare, në pikën që të mos ekzistojë më dhe që të përdorin antishqiptarët, ata që janë haptazi kundër shqiptarëve, ata që i stigmatizojnë shqiptarët si një vend kriminelësh, si një komb kriminelësh, si një popull kriminel dhe që flasin për krim etnik, ndërkohë që krimi nuk ka ngjyrë, krimi është krim, kriminelët janë kriminelë kudo ku janë. Kjo është realisht e neveritshme. Si mundet që lufta e verbër për pushtet ta çojë një parti politike, deri në këtë pikë?! Të çojë disa parti politike deri në këtë pikë?! Si mundet që dëshpërimi i humbësit të arrijë deri në pikën ku humbësi të presë rrënjët dhe të sillet me vendin e vet si të ishte armik i vendit të vet?!”, - u shpreh z.Rama.