TAKSISTI POLITIKAN! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

TAKSISTI POLITIKAN! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ditë e enjte, policia kudo nëpër rrugë dhe lëvizje e shtuar në qendër. Është kjo tashmë një e enjte e zakonshme e trazuar për kryeqytetin sepse protestat kanë rrethuar parlamentin, në union me seancën e radhës.

Për të shkuar në punë mora një taksi e duke qenë se ju desh të ndërronte mënyrë udhëtimi për shkak të bllokimit të disa rrugëve, biseda ra tek protesta e opozitës.

Me thinja në kokë e me dialekt tirons, edhe me pak humor, shoferi u ankua se kishte pritshmëri të ulëta nga turizmi i kësaj pranvere e vere. Sipas tij, e sipas bombardimit mediatik e fjalimeve kryeministrore, këtë vit kishte shumë gjasa që turistët të trembeshin nga protestat opozitare e se kjo do të sillte më pak punë për të e kolegët e tij. Pse mendon kështu?-e pyeta. “Sepse ata shikojnë në lajme tym e polici dhe nuk do të vijnë dhe ne do të kemi më pak punë, se puna e përditshme ka rënë shumë e ne jemi me shpresën e turistëve që të bëjmë ndonjë lek më shumë këtë verë!”-m’u përgjigj.

Mora një minutë kohë dhe e pyeta se a i ishte rritur pagesa e dritave, sigurisht që m’u përgjigj se po, ishte shumë më e lartë. E pyeta kështu edhe për ujin, e pyeta për ushqimet, e pyeta për ilaçet, veshjet e disa zëra të tjerë të jetës së përditshme. Edhe për to m’u përgjigj menjëherë se jetesa e tij, pra ajo pjesë e saj që mbulohej nga të ardhurat e tija, ishte bërë më e vështirë, më e shtrenjtë, e papërballueshme thuajse. Pushime as që i dilte llogaria të bënte dhe djalin e kishte futur në punë që 16 vjeçar. Pasi mora përgjigje e pyeta sërish nëse i mbulonin këto vakuume fitimet e pritshme të verës. Nuk foli. Në heshtje më dha një pohim se e vërteta e hidhur është se këto protesta opozitare po vijnë pas 6 vitesh shtrenjtim jetese, për pjesën më të madhe të atyre që jetojnë me punë e rroga.

Gropën që këto vite kanë lënë në xhepat e cilitdo, nuk e mbushin dot as edhe një lumë me turistë që priteshin të vinin e na qenkan trembur nga një grupim sado i madh njerëzish që kërkojnë disa të drejta themelore. Por propaganda, hija e zezë që lëshohet sa herë kërkohen të drejtat në sheshe, zymtësia që predikohet sa herë merret një iniciativë, bëjnë punën e vet. E në një vend si yni që ushqehet me bukë lyer me politikë, kjo funksionon.

Taksisti politikan, shitësi politikan, pastruesja politikane, pensionisti politikan, mësuesja politikane, rrobaqepësja politikane etj etj me sytë nga ekrani ose gazeta, thithin panikun qeveritar por harrojnë të shikojnë xhepat e tyre, ku ishin e ku janë. Sepse në fund të ditës është fare e thjeshtë, një qeveri ose një drejtim politik është po aq i mirë në sasi me vlerën e mirëqenies dhe sigurisë që të ka dhënë, ty dhe familjes tënde.

Pikë!

Nëse ke xhepat bosh por mendja të rri tek turistët i ke bërë keq llogaritë e ndërkohë faturat do të vazhdojnë të shtohen për lart.