Qeveria, indeksim jashtë radhe të pensioneve me +2.8%. Masa e përfitimit sipas kategorive

Qeveria, indeksim jashtë radhe të pensioneve me +2.8%. Masa e përfitimit sipas kategorive
Ndryshe nga vitet e tjera kur i ka rritur pensionet duke nisur nga 1 korriku, qeveria dje ka dalë me vendimin për një rritje të re të tyre duke nisur nga 1 prilli. Masa e është e njëjtë edhe si vjet, prej 2.8%. Por ajo që ndryshon duket se është situata e ndryshme politike, teksa sivjet gjendemi para një procesi zgjedhor

Një vendim i beftë ka mbërritur dje nga qeveria për rritjen e re të masës së pensionit, për pensionistët në rang vendi. Një vendim ky që duhet thënë se mbërrin në një kohë, kur vendi është përfshirë nga protestat e opozitës. Por edhe kur në mjaft institucione të sferës ekonomike po ndërmerren shkarkime të disa zyrtarëve të lartë. Sikundër po i nxit vazhdimisht qytetarët që të shprehin të gjitha shqetësimet e tyre te “Shqipëria që duam”. Të gjitha këto, nisma të qeverisë që duket se janë në kuadrin e intensifikimeve të saj për zgjedhjet e afërta lokale. Por cilat kategori do të preken nga rritja e fundit e pensioneve, për të cilat vendosi dje qeveria?

Nga rritja e re e pensioneve prej qeverisë, në masën prej 2.8%, do të përfitojnë rreth 665 mijë persona në rang vendi, të cilët i përkasin statusit të pensionistit. Sipas vendimit të djeshëm, i bie që të gjithë pensionistët, kur të marrin këstin e tyre mujor duke nisur nga data 1 prill 2019, do ta kenë atë, së bashku me indeksimin e ri në masën prej 2.8%. Më tej, ai përcakton edhe kufijtë e rinj që do të njohin pensionet.

Konkretisht, parashikohet që pensionet e plota të pleqërisë, ato të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, por edhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, , pas datës 1.4.2019 nuk do të jenë më pak se 13.753 lekë në muaj dhe më shumë se 27.506 lekë në muaj.

Më tej, thuhet se këto kategori me datë fillimi të pensionit deri më 31.12.2014, pas datës 1.4.2019 nuk do të jenë më pak se 9.418 lekë në muaj, por jo më shumë se 13.753 lekë në muaj. “Kurse pensionet e parakohshme, që nisin nga 1 prilli dhe në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 13.753 lekë në muaj”, përcaktohet gjithashtu në vendimin në fjalë të qeverisë.

Nga ana tjetër, qeveria përcakton se ata që e kanë datën e fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përveç tij, do të përfitojnë edhe kompensime për të ardhura mujore minimale. Por kjo me kushtin që shuma e pensionit mujor plus këtë kompensim, të jetë: a) deri në 15.403 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë; b) deri në 14.903 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare; c) deri në 10. 108 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, sipas ligjit të ndryshuar.

 

2.8%

Është masa e rritjes së re të pensioneve që u përcaktua dje me vendim qeverie, po aq sa ka qenë edhe një vit më parë

 

 

SHIFRAT

Sa do jetë efekti financiar i rritjes së re të pensioneve?

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën e 2.4 miliardë lekëve. Sipas qeverisë, ato do të përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar ky në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të këtij viti. “Ky fond do të ndahet në 2.3 miliardë lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve dhe në 14 milionë lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga posta

 

PRECEDENTI

Edhe një vit më parë, qeveria i rriti po në masën 2.8% pensionet

Edhe një vit më parë, qeveria i rriti pensionet po në masën prej 2.8%. Por ndryshimi me vendimin e sivjetshëm është se aplikimi i këtij të fundit nis më parë, që nga data 1 prill 2019, vitin e kaluar rritja e pensioneve me këtë masë nisi të aplikohet për të gjithë pensionistët në rang vendi duke nisur nga data 1 korrik 2019. Me vendimin e vjetshëm, i binte që pensioni minimal nga 13.014 lekë, të shkojë në 13.378 lekë; pensioni maksimal nga 26.027 lekë në 26.756 lekë dhe pensioni i fshatit nga 8.911 lekë në 9.161 lekë. Ndërsa fondi

që u vu në dispozicion ishte në masën prej 1.55 miliardë lekë.

 

LËVIZJET

Pensioni ishte                         Shtohet me                            

 9.161 lekë                                256 lekë

9.847 lekë                                275 lekë

12.706 lekë                              355 lekë

14.823 lekë                              415 lekë

15.882 lekë                              444 lekë

16.941 lekë                              474 lekë

18.000 lekë                              504 lekë

19.059 lekë                              533 lekë

20.117 lekë                              563 lekë

21.176 lekë                              592 lekë

23.234 lekë                              650 lekë

25.412 lekë                              711 lekë

26.756 lekë                              749 lekë