Pirro Lutaj: Shqiptarët do shkojnë në zgjedhje lokale, vetëm pak prej tyre do jenë në protesta

Pirro Lutaj: Shqiptarët do shkojnë në zgjedhje lokale, vetëm pak prej tyre do jenë në protesta
Intervistë për gazetën “Albanian Free Press” me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Pirro Lutaj

Intervistoi për Albanian free Press, Albert Zholi

Diplomacia evropiane, ndryshe nga ajo e SHBA-ve u tregua aktive ditët e fundit duke dalë me qëndrime mbi krizën politike në Shqipëri. Ajo po kërkon fuqishëm që opozita të veprojë brenda Parlamentit, duke dënuar djegien e mandateve të deputetëve.

Lideri opozitar shqiptar, Lulzim Basha i është përgjigjur evropianëve duke thënë se rrugën drejt Europës nuk po e pengon opozita, por qeveria e kapur nga krimi. Në Europë, tha Basha, nuk shkohet me gënjeshtra, ndërsa i pyeti ndërkombëtarët nëse do të pranonin një qeveri të lidhur me krimin që ka nënshtruar qytetarët. Rreth këtyre zhvillimeve politike në vend, për gazetën “Albanian Free Press” flet ish-deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj

Si do ta komentonit djegien e mandateve nga opozita? A është rruga më e drejtë e zgjedhur prej tyre?

Ky është një veprim “Alla-Berisha” që do të jetë me kosto për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Një kosto e madhe me pasoja. Në kohën kur shqiptarët presin tjetër gjë, presin hapjen e negociatave. Dhe është për të ardhur çudi se në çdo moment kur për Shqipërinë dhe shqiptarët pritet diçka e mirë, diçka premtuese, Saliu bën thagmat e veta të padëshirueshme për asnjë shqiptar. Djegia e mandateve është një veprim i paprecedentë, i paimagjinueshëm dhe i paperceptueshëm për ata që janë marrë sadopak me politikë. Nuk mund të mendohet djegia e mandateve në asnjë situatë. Kjo është e papranueshme për një shoqëri demokratike, e papranueshme në një vend ku ka synime ët qarta për në BE. Askush nuk e priste një veprim të tillë, pasi në demokraci, vendi ku përcillen mesazhet apo vërejtjet për qeverinë apo pozitën është vetëm Parlamenti.

Fleckenstein pas takimeve me Bashën dhe Kryemadhin u shpreh: “Jam zhgënjyer shumë veçanërisht nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila na tha që opozita e ka marrë vendimin dhe nuk ka kthim pas. Presim që deputetët të bëjnë punën e tyre dhe të kthehen në Parlament. Edhe sikur opozita të ketë të drejtë për akuzat, bojkotimi nuk zgjidh asgjë’. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë?

Nuk është hera e parë që ndërkombëtarët të gjithë në bllok kanë mbajtur një qëndrim kritik dhe real ndaj opozitës. Pra ata vijnë nga vende me demokraci qindravjeçare dhe e shohin qartë qashtu si po e shohim dhe vetë ne shqiptarët që është një veprim ekstrem, një veprim i nxituar, një veprim i papranueshëm. Kjo aq më tepër kur Shqipëria është në prag të evenimentit më të rëndësishëm historik të saj, çeljes së negociatave në qershor. Hapja e negociatave është ëndrra më e madhe e çdo shqiptari dhe ne kemi vite që e presim këtë ëndërr që si duket po kalon një ngërç. Pra edhe mendimi i ndërkombëtarëve, ka atë ide që nuk përputhet me djegien e mandatave. Përgjigja e Fleckenstein ishte shumë korrekte, shumë e saktë dhe pa asnjë ekuivok. Qëndrimi tij se bojkotimi nuk zgjidh asgjë tregon seriozitetin dhe korrektësinë që kanë ndërkombëtarët në lidhje me parlamentin dhe rolin e tij në një shoqëri demokratike.

Po ashtu nga Parlamenti Evropian shprehen kundër një qeverie transitore, por bëhet thirrje për bashkëpunim mes faktorëve politikë. Ju a pajtoheni me idenë që mos ketë qeveri të përkohshme? Po për zgjedhje të parakohshme si mendoni?

Kjo kërkesë, kjo dëshirë, nuk lidhet askund me realitetin dhe me atë që ndërkombëtarët ua bënë të qartë se nuk ka zgjedhje të parakohshme. A mund të kërkohen zgjedhje të parakohshme me një parlament legjitim, të konsoliduar, që punon seriozisht dhe ka sjellë zhvillime të reja progresiste në jetën politike shqiptare?! Ky është parlamenti më korrekt i të gjithë viteve të demokracisë së brishtë shqiptare. Parlamenti më i legjitimuar. Pra kërkesa e opozitës është absurde. Kërkohen zgjedhje të parakohshme kur ka një qeveri, një parlament të legjitimuar që bashkëpunon me institucionet ndërkombëtare, parlament i konsoliduar, pa asnjë kontestim nga ndërkombëtarët, pa asnjë kontestim nga vëzhguesit e zgjedhjeve të vitit 2017... Pra çdo gjë është e legjitimuar kur ata i pranuan dhe vetë zgjedhjet e 2017 ndërsa sot duan ta legjitimojnë këtë parlament. Kjo nuk ka sens. Nuk ka bazë ligjore. Pra të tëra kërkesat e opozitës pas djegies së mandateve, janë kërkesa absurde, të paprecedent që vetëm dëmtojnë imazhin e Shqipërisë kudo në botë. Thënë më thjesht është shumë e vështirë të parashikosh hamendësime dhe kërkesat absurde të Saliut. Vetëm një mendje si e atij mund ti bëjë këto kërkesa anormale.

Disa thonë edhe se këto protesta dhe djegie mandatesh kanë ndikim rus? Mendimi juaj?

Për mendimin tim ne nuk kemi pse japim dhe marrim deduksione. Ne duhet të fokusohemi tek ato çka ndodhin në Shqipëri dhe mes shqiptarëve, pra të merremi me problematikën brenda vendit. Duhet të fokusohemi tek problemet e faktorit politik shqiptar në rastin konkret tek opozita që merr një nismë të tillë. Edhe ndikimet e huaja nuk duhen përjashtuar, por problemin ta shohim brenda si dhe pse ndodhin këto probleme 3 muaj para çeljes së negociatave.

Ndërkohë, Reforma në Drejtësi është drejt përfundimit. Së afërmi pritet formimi i SPAK dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Mazhoranca i lidh veprimet e opozitës me këto që përmenda. Ju si mendoni?

Sigurisht që Reforma në Drejtësi ka ndikimet e veta. Zhvillimet në gjyqësor nuk mund të veçohen nga zhvillimet e fundit politike në vend. Mund të them se disa prej atyre që marrin këto nisma të djegin mandatet diçka kanë që veprojnë në këtë mënyrë absurde, ndryshe nuk ka logjikë pse të ndodhin. Djegia mandateve, largimi nga parlamenti, kërkimi i një qeverie kalimtare, zgjedhje të parakohshme kur jemi në pikun e formimit të institucioneve të reja të drejtësisë ka një domethënie pasi ata janë shumë të paqartë pa një strategji se çfarë kërkojnë.

Jemi në prag të zgjedhjeve vendore. Mendoni se do shkojmë në mënyrë normale në këto zgjedhje, duke pasur parasysh këto zhvillime?

Qytetarët shqiptarë janë duke pritur procedurat nevojshme për zgjedhjet vendore. Tashmë po mbyllet mandati i drejtuesve të parë dhe mund të them se ishte një mandat që çdo komunitet e ka përjetuar se ka pasur ndryshime të mëdha në krahasim me mandatin e katër viteve të mëparshme. Pozita do të bëjë kolaudimin e kandidatëve për të përfaqësuar denjësisht komunitetet në zgjedhjet lokale. Besoj se me përgjegjësinë që ka qeveria ne do të shkojmë normalisht në zgjedhjet lokale. Qytetarët tashmë janë të ndërgjegjshëm për të votuar, do shkojnë në zgjedhje me përjashtim të një pjese shumë-shumë të vogël që vijnë rrotull sallës së Kuvendit dhe zyrës së Kryeministrisë dhe bëjnë veprime jo të hijshme. Pozita po punon për përzgjedhjen e kandidatëve dhe drejtuesve që të jenë të besueshëm dhe që të japin maksimumin për komunitetin për 4 vjetët e ardhshme.