Nertila Vreto: Me këngën e re përjetuam emocionet e dasmës që s’kemi bërë

Nertila Vreto: Me këngën e re përjetuam emocionet e dasmës që s’kemi bërë
Flet këngëtarja e muzikës qytetare, Nertila Vreto: “Jemi fanatikë të tabanit popullor dhe mundohemi t’i sjellim këngët e vjetra pa deformime. Dhe këtu ishim në një mendje me kompozitorin Edi Balili, pasi edhe ai donte të  bëhej çdo gjë me vegla live, që nga lahuta, dajre dhe klarinetë, fyelli e violinë, çdo detaj erdhi i kopsitur siç dëshironim.”

***

Nertila Vreto dhe bashkëshorti i saj Daniel Mustafa, prej disa javësh, kanë fituar vëmendjen e publikut me një duet në një këngë të re të tabanit popullor të folklorit të Jugut shqiptar. Një kolazh me këngë dasme por që pavarësisht se është e ambientuar në një profil modern kripi, të kthen pas në kohë dhe të sjell në mendje dasmat e dikurshme ku vajza përcillej nga nëna e saj. Janë rite kaq të bukura të traditës tonë, të cilat me shumë hijeshi dhe mjeshtëri, Nertila, këngëtarja e njohur e muzikës popullore, vendosi që t’i sjellë këtë vit. Bisedova me të virtualisht për Albanian Free Press, duke u nisur edhe nga reagimi që pashë nga shumë kompozitorë të njohur dhe kolegë të tyre, të cilët u shprehën entuziastë për këtë këngë të re.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Kanë kaluar pak javë nga dalja në treg e këngës tuaj më të re “Ika Nënë Ika”. Një baladë popullore shumë e ndjerë. Si erdhi ky duet i ri? A mund të më rrëfeni  ndonjë mbresë ose detaj rreth përgatitjes?

Përshëndetje e dashur Juela, të falenderoj që je e vetmja që interesohesh për prurjet e reja në tregun muzikor, kryesisht atë popullor. U bënë thuajse tri javë që kemi publikuar videoklipin më të  ri, një kolazh dasme, me orkestrim të mjeshtrit Edi Balili. Siç e thatë edhe ju shumë i ndjerë, sidomos për mua sepse çdo vajzë, besoj, kur vjen momenti i martesës dhe ndahet nga prindërit ka një përjetim që është tejet i vështirë. Që kur filluam ta përgatisnim në shtëpi me kitarë, unë gjithmonë përlotesha. Kjo edhe ngaqë unë jam mjaft e lidhur me prindërit.

Ajo që menjëherë më ra në sy ishte ambientimi i videoklipit, në natyrë, me ju të veshur si nuse e dhëndër. A e përjetuat edhe një herë dashurinë tuaj gjatë kësaj kënge?

Në momentin që mbaruam demon e këngës, ideja kjo ishte, që ne do ta interpretonim në këtë mënyrë këngën, pra duke u veshur vetë ne si nuse e si dhëndër. Po ju tregoj një detaj, vetë ne nuk kemi bërë akoma dasmë  dhe donim të përjetonim disa emocione që nuk i kishim përjetuar. Mund të them se ishte shumë bukur.

Sipas bisedave me kolegët dhe reagimit të publikut, si është pritur kënga e re?

Deri tani jemi tepër të kënaqur nga pritja e këngës, si nga klikimet ashtu edhe nga komentet pafund dhe mesazhet. Kjo sigurisht na gëzon shumë të dyve.

Jeni të dy prindër të një vajze dhe janë normale emocionet e dy prindërve kur vajza largohet nga shtëpia e bërë nuse. Si ju bën të ndiheni ky emocion?

Siç e thashë edhe më lart, emocionet në këtë këngë ishin të shumta dhe kur e mendojmë ndonjëherë me Danielin, është shumë e vështirë. Vajza është bekim, ti ke një vajzë dhe e di edhe vetë këtë.

Ka kaluar mbi një vit e gjysmë nga takimi ynë i fundit. Si ka qenë kjo kohë për ju?

Për këtë këngë kemi punuar gati pesë muaj ndaj jemi të kënaqur me rezultatin. Por shtojmë këtu edhe koncertet dhe performancat tona në gëzimet familjare. Kemi qenë mjaft të angazhuar. Në rastin tonë si artistë duhet të falënderojmë Zotin dhe dashamirësit e muzikës tonë që kemi kaq shumë punë.

Përmes rrjeteve sociale shikoj se pavarësisht ngarkesës së madhe me evente, ju gjithmonë gjeni kohën për të shijuar familjen. Si arrini të koordinoni agjendën tuaj?

Gjithmonë, sa mbarojmë punët, sado të lodhur të jemi, ne të dy do të dalim të shëtisim patjetër me çupën. Ajo është qetësia  jonë më e madhe, kjo është prehja dhe qetësia për ne.

Vajza juaj bukuroshe po tregon talent për muzikën sepse mësova se po fillon të mësojë pianon...

Daila e ka ndjeshmërinë absolute për muzikën sidomos këngën “Xhamadani vija-vija” nuk ka ditë mos ta këndojë ha ha ha, por është herët akoma por ne. Ajo që mund të të them është se nuk do ta  pengojmë kurrsesi në pasionet e saja.

Një këngë kjo e fundit shumë në taban, me një orkestrim të pastër të trevës dhe me motive që tingëllonin si sazet e dikurshme, sa keni punuar për këtë?

Të dy me Danielin jemi fanatikë të tabanit popullor dhe mundohemi t’i sjellim këngët e vjetra pa deformime. Dhe këtu ishim në një mendje me kompozitorin Edi Balili, pasi edhe ai donte të  bëhej çdo gjë me vegla live, që nga lahuta, dajre dhe klarinetë, fyelli e violinë, çdo detaj erdhi i kopsitur siç dëshironim.

Si parashikohet të jetë ky sezon pranveror për ju?

Falë Zotit na pret një sezon shumë i ngjeshur, me dasma e koncerte si dhe një turne në Australinë e largët në qershor.

Nertila, e ke menduar ndonjëherë veten me ndonjë këngë të lehtë?

Mua më pëlqejnë të gjitha zhanret e muzikës, pavarësisht se veten e gjej tek ajo popullore. Po pse jo, nëse do kem një material të bukur, do ta pranoja me kënaqësi.

Më tregon sekretin se si mbetesh kaq e freskët?

Nuk kam asnjë sekret për këtë gjë, thjesht ujë e sapun dhe sa më larg produkteve me kimikate, pro atyre bimore. Plus edhe geni ka rol të rëndësishëm.

Nga interpretimet tuaja del jashtë ekranit lidhja e fortë që ju keni. Keni ndonjë “mjet” apo “mënyrë” se i e mbani të ndezur prushin e dashurisë?

Besoj çdo gjë është tek respekti reciprok dhe mirëkuptimi. Nëse këto të dyja ecin paralel, jeta në çift është më e lehtë e më e bukur.