NDËRKOHË QË NDËRKOMBËTARËT! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

NDËRKOHË QË NDËRKOMBËTARËT! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Siç pritej ja behën edhe ata, ndërkombëtarët. Erdhën në grup për të pajtuar shqiptarët që edhe këtë herë nuk e gjetën brenda shtëpisë paqen. Egoizmi personal e politik, arroganca, vendimet për interesa partiake ose personale, mospërfillja e pakënaqësisë së përgjithshme, lojërat e vjetra e të reja, na sollën përsëri në një situatë të vështirë. Ende në këtë vend vendoset në emër të popullit por pa marrë parasysh asnjëherë se deri kur mund të durojë ai dhe pa parë nëse mirëqenia e tij ka rënë ose është rritur. Ndërkohë që takimet bëhen, fotografët fotografojnë, duart shtrëngohen, konferencat e shtypi bëjnë lajm, njerëzit e shumicës, pjesa dërrmuese e atyre që jetojnë me punë e nder, janë sigurisht sot më të varfër. A kërkoi dikush prej kollareve të politikës të dijë se sa merr për frymë një shqiptar? A e dinë ata vallë se faturat e dritave të muajit janar ishin dyfish në vlerë me muajin paraardhës të vitit që shkoi? A e dinë ndërkombëtarët që një kg lakër në një vend që duhet të ishte edhe agrar, kushton aq sa një kg mish?

Nuk janë të informuar ata se edhe në Tiranën e Re, zonën e luksit dhe të pasurve, dyqanet punojnë më lista që kanë deri në 6 muaj pa u shlyer? Mos vallë duhet edhe të dinë se karburantet shtrenjtohen çdo herë që u teket grosistëve dhe shtetit e ndërkohë cilësia e tyre është beterr dhe makinat po shkatërrohen dhe jeta e njerëzve është në rrezik? Sa e dinë ata vallë që në urgjencën e spitaleve tona, në rastin më të mirë, përfundon në korridor dhe për të çuar një të sëmurë rëndë duhet të paguash lekë për të hyrë?

E dinë vallë ndërkombëtarët që ndërkohë që ata takohen, krimi është bërë kryefjalë, se ai lulëzon më shumë aty ku nuk ka të ardhura, ku nuk ka shkollim, ku nuk ka shpresë e ku rinia nuk shikon të ardhme? Sa informacione kanë që punëtorët e ndërmarrjeve fasone trajtohen shpesh si argatë e skllevër e se të rinjtë në callcenter-a janë me shkollim ndërkombëtar, si fëmijët e tyre, por ndërkohë shkatërrojnë sytë dhe veshët, nervat dhe zërin për të fituar bukën e gojës, sepse ky vend hap qendra pune por punë nuk ofron?

Në fjalitë e tyre ka keqardhje që politika shqiptare nuk arrin marrëveshje, ata kanë keqardhje që po duket se tranzicioni ynë qenka më i gjatë se çdo vend tjetër ish komunist. Por edhe ata janë të zgjedhur nga vota e vendeve të tyre, nga ato vende ku edhe një e drejtë minimale që ne e shohim si absurd, mbrohet me protesta, me megafona, me vrull e shpesh me gjak. Dukshëm sindroma e “shqiptarit të dhunshëm” të ’91 dhe ’97 nuk qenka larguar nga mentaliteti ndërkombëtar. Protestat ngjallin panik më shumë matanë kufirit se këtej nga fshati ynë i madh pseudo-demokratik. Por ndërkohë që ky popull varfërohet çdo ditë, skllavërohet çdo ditë, ndërkohë konferencat për shtyp vazhdojnë, pa thënë një fjali të vetme për ta.

Ndërkohë në anglisht niseni nga dritat që paguajmë si në Gjermani e na ikin, ujin që paguajmë sa në Zvicër e vjen me orar, karburantin që e paguajmë sa në Itali e na helmon mushkrit e xhepat, shkollat që i kemi pa ngrohje në acar, spitalet që janë si në Kandahar. Ndoshta vetëm atëherë ky vend me të vërtetë mund të reflektojë.