INTERVISTA/ Mira Janji: S’i druhem konkurrencës, jam e veçantë

INTERVISTA/ Mira Janji: S’i druhem konkurrencës, jam e veçantë
Flet këngëtarja Mira Janji: “Nuk imitoj askënd, ndaj nuk i druhem konkurrencës. Sekreti është të jesh vetvetja dhe të bësh atë që di më mirë.”

Karriera e saj është e bazuar në një punë të lodhshme, për të arritur aty ku është sot. Një këngëtare e pëlqyer nga publiku dhe që vazhdimisht i dhuron surpriza. Kjo është Mira Janji, e cila vjen sot për lexuesit e “Albanian Free Press”, përmes kësaj interviste të posaçme. “Janë disa këngëtare që i kam adhuruar që në fëmijërinë time e deri më sot si, Mariah Carey, Madonna...”, është një nga preferencat e saj...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Albert Zholi

Si ishte ky sezon për ju?

E ngarkuar si gjithnjë me profesionin dhe duke gjetur pak kohë për pushime.

 

Çfarë ka në planet e mëtejshme të Mirës?

Këngë të tjera në vazhdimësi për publikun tim të dashur, që gjej rastin t’i falënderoj nga zemra për vlerësimet e panumërta që më bëjnë për vokalin tim.

 

Emri juaj është lakuar gjithnjë si një prej femrave më të bukura në vend, çfarë mendimi keni mbi të bukurën si e tillë?

Bukurinë e kam në gen nga prindërit e mi dhe nuk kam bërë asnjë ndërhyrje estetike. Fatmirësisht nuk kam pasur nevojë. Marr pa fund komplimente edhe për bukurinë time dhe më gëzon fakti që më quajnë nga femrat më të bukura në vend.

 

A i druheni konkurrencës?

E quaj veten të veçantë, artiste të kompletuar nga të gjitha drejtimet. Nuk imitoj askënd, ndaj nuk i druhem konkurrencës.

 

Si është e ndërtuar një ditë e juaja e zakonshme?

Me shumë ngarkesë sa i përket punës sime dhe më pas, impenjime të ndryshme sipas programit ditor.

 

Në hapësirat mbarëshqiptare, ku gjendet më mirë shpirti i këngës suaj?

Në të gjitha vendet ku kam kënduar, deri në Australinë e largët, publiku më ka pritur shumë mirë.

 

Çfarë komponentësh i duhet një kënge për të qenë kryevepër?

Mjafton të përshtatet zëri me ritmin, e mua fatmirësisht më përshtaten dhe i këndoj shumë mirë të gjitha rrymat muzikore.

 

Ka ndonjë idhull Mira?

Janë disa këngëtare që i kam adhuruar që në fëmijërinë time e deri më sot si, Mariah Carey, Madonna...

 

Cili është sekreti i të qëndruarit e suksesshme dhe kaq e dashur për publikun?

Sekreti është të jesh vetvetja dhe të bësh atë që di më mirë.

 

Jeta private e Mirës? Enigmë?

E drejtë. Me jetën private nuk bëj komente. E kam sekret. Është pjesa ime që më takon vetëm mua ta di.

 

Me kë të pëlqen më shumë të shoqërohesh, me meshkuj apo femra?

Shoqërohem me ata njerëz që ndihem mirë, nuk marrin njerëz nëpër gojë dhe kanë vizion për jetën. Pra, kushdo qoftë mashkull apo femër dhe ka këto cilësi, unë shoqërohem.

 

Një femër kaq në formë por si i shikon plazhet nudo? Do të guxoje deri aty?

Jo, nuk është pjesë e jetës sime. Nuk ndihem mirë edhe kur e mendoj dhe jo ta provoj.

 

Çfarë bën Mira kur mërzitet apo nevrikoset?

Lexoj ndonjë libër, apo shikoj ndonjë film.

 

Si i ruan linjat Mira?

Me ushqim të kujdesshëm, jo duke ngrënë pa karar. Ha normal dhe ushqim cilësor, kryesisht frutat e detit.

 

Marrëdhënia me alkoolin dhe cigaren?

Pi rrallë me shoqëri, por cigarja nuk është në menunë time.

 

Kujt i jeni mirënjohëse për çdo gjë që keni arritur në jetë?

Mirënjohja e parë është ndaj Zotit dhe sigurisht, familjes sime.