EKSKLUZIVE/ Irma Libohova: Kurrë s’do të them u lodha, publiku na mban gjallë

EKSKLUZIVE/ Irma Libohova: Kurrë s’do të them u lodha, publiku na mban gjallë
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press, këngëtarja e mirënjohur Irma Libohova: “Çmimet janë subjektive, objektive është vetëm mbijetesa e këngës. Nëse kënga ka jetuar gjatë, ky është çmimi më i mirë. Nuk jam mërzitur asnjëherë nga vlerësimi i jurive. Çmimin më të lartë ta japin njerëzit, nëse ata e kanë dashur këngën, e kanë kënduar dhe kënga ime është bërë hit, nuk më janë nevojitur e nuk më duhen çmimet e jurive.”

***

Ajo që adhuroj nga Irma Libohova e disa këngëtare me eksperiencë të gjatë e suksese të shumta si ajo, është që pavarësisht famës, këngëve që këndohen nga të gjithë, shfaqjeve në ekrane ose koncerteve e festivaleve, janë zonja me një thjeshtësi dhe finesë habitëse. Për një gazetare është vërtetë si oksigjen i pastër kur ka të bëjë me to, ndjehet e nderuar por edhe komode. Irma sigurisht është një nga këngëtaret më “big” që ka ky vend por edhe nga të paktat e brezit të saj që është ende kaq aktive dhe që nuk rresht së performuari. Kur e shikon të duket sikur një vullkan brenda saj i jep gjithmonë energji e kjo është vazhdimisht befasuese. Në një rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, Irma Libohova na tregon pak nga jeta e saj mes familjes dhe këngës, them pak sepse jeta e një artisteje të "kalibrit" të saj është një det i gjerë e i thellë.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ka pasur një moment të vegjëlisë tënde kur ke thënë ‘po, unë do të bëhem këngëtare’?

Unë kam nisur të këndoj në një moshë fare të vogël, kam qenë katër vjeçare ndaj mua më duket sikur kam lindur këngëtare, pra ha ha ha nuk kam pasur pikë dyshimi që do të bëhesha një e tillë. Parametrat dhe cilësitë m’i kanë vënë të tjerët në dukje dhe më kanë drejtuar ata drejt rrugës së duhur, kuptohet, sepse isha fëmijë. E kam ndjekur “yllin” time që nga vegjëlia, duke ndjekur të gjitha shkallët e hierarkisë muzikore, që nga koncertet në kopsht, më pas në 8-vjeçare me angazhimin në Pallatin e Pionierëve e më pas me aktivitetet e rinisë në shkollën e mesme, në Liceun Artistik.

Je kaq e lidhur me mëhallën tënde. Ka disa mbresa të veçanta nga koha e fëmijërisë? Ke qenë një vajzë çapkëne?

E vërtetë, me mëhallën time jam shumë e lidhur. Unë këtu kam lindur dhe as nuse nuk kam qëndruar gjatë në shtëpinë e bashkëshortit tim të ndjerë. Në një kohë shumë të shpejtë e kam kthyer jetesën time bashkëshortore në shtëpinë e mamit. Rrugica jonë ka pasur një karakteristikë, të gjithë dhëndurët pothuajse, ishin “dhëndër brenda” si thuhej në atë kohë, pra erdhën ata këtu. Nuk e di nëse kam qenë unë ajo që e hapa apo isha unë që ndoqa shembullin e shoqeve, por e sigurt është që kemi qenë shumë të lidhura me rrugicën tonë. Sot kësaj dite nuk e kam lëshuar mëhallën time e nuk kam ndërmend ta bëj këtë. Unë këtu dua të vdes.

E ke pasur mbështetjen e familjes kur nisi karriera jote?

Njeriu që ka luftuar fort e më ka mbështetur shumë ka qenë babai im pasi ai ishte intelektual dhe  dalloi talentin tek unë. Ai është njeriu që ka luftuar më fort e duke më ndjekur që nga fëmijëria, ai ngulmoi të më regjistronte në shkollën e muzikës “Kongresi i Përmetit” pasi ishte ngjitur me zyrën e babit tim. Bënte sakrificë duke më marrë e më çuar në shkollë me biçikletë çdo ditë, unë deri në klasë të tretë studiova violinën. Pas kësaj ai luftoi fort edhe që unë të vazhdoja violinën por për arsye të ndryshme unë nuk e vazhdova. Më ndoqi gjatë në aktivitetin tim në Pallatin e Pionierëve, kam qenë pika e tij e dobët. Mbështetja e tij qe e pandërprerë derisa un vura këmbët vetë në jetë. Më veçonte disi nga fëmijët, duke qenë unë edhe e vogël në fizik, si ai prindi që i njeh mirë fëmijët e tij, i kuptonte shumë mirë aftësitë dhe komplekset e mia. Por nuk mund të lë mënjanë sakrificat madhore e të tmerrshme të mamit tim që me pesë fëmijë bëhej copash që të na plotësonte një herë njërit diçka e një herë tjetrit.

*Foto arkive, djathtas e dyta nga vogëlushet, Irma Libohova në grupin e Pallatit të Pionierëve

Fillimet e tua në skenë ishin vite me një numër këngëtaresh njëra më e mirë se tjetra. Si u ndje Irma e re mes tyre?

Në atë sistem të shkuar ka pasur disa filtra që nuk lejonin çdo këngëtar të ngjitej në skenë. Pra për këtë arsye unë përballesha që e re me kolegë të mirë. Pra derisa isha në radhë me ata kolegë aq të mira, unë kisha një besim ose të vetëndjerë që unë isha dikush që kisha arritur deri aty. Kjo nuk më ka penguar fare që të përballem me kolegët sepse në fund të fundit mendoj, çdo yll ka rrugën e tij. Jo vetëm që nuk më ka penguar por gjithsecilin prej tyre e kam pasur shkollë, në karakteristikat e vetë gjithsecili shkëlqente në atë çfarë ishte. Kam qenë shumë e sigurt në aftësitë e mia, kemi qëndruar në të njëjtin nivel.

Kaq dinamike sa je në skenë, në vitet e qëndrimit statik, ja ke arritur që të rrije pa lëvizur apo e gjete gjuhën me drejtuesit dhe tek ti toleruan ca....

Brenda vetes jam munduar shumë që të mos e shkel rregullin, megjithatë kur ka pasur njerëz me dashakeqësi, ndonjë dëm të vogël edhe ma kanë bërë. Më ka ndodhur njëherë që kanë filmuar një plan nga pas e më çuan në Komitetin e Partisë të zonës se përse unë kisha lëvizur shumë. Më bënë një konstatim qesharak atje, duke më thënë se më kishin thirrur sepse unë lëvizja shumë. Por thjesht më dhanë paralajmërim, duke qenë se u shprehën se unë isha këngëtare e mirë e me emër. Pra më tërhoqën vëmendjen që të kisha kujdes. Një rast tjetër ka qenë në festivalin e RTSH-së kur ishte tregimi i këngës, unë i dija direktivat se si duhej të qëndroja dhe hyra pa lëvizur as qerpikun. Aq sa dikush tha: “Po kjo, po tallet?”. Ata e dinin fare mirë që unë isha me shumë temperament e nuk mund të rrija pa lëvizur. Unë me kast e bëra që të shpëtoja këngën. Por fatmirësisht këto janë gjëra që kanë kaluar, kanë qenë reale por nuk është se më kanë penalizuar shumë sepse e dinin se unë atë temperament kisha.

Jam kurioze, me veshjet skenike të festivaleve të përpara viteve ’90 si ja bënit? Merrje ti fustane nga shoqet si shumë këngëtare të tjera apo “faleshe” tek rrobaqepësja...

RTSH ka pasur sigurisht lidhje me të tjera institucione të shtetit, që në atë kohë ka qenë NPV-ja dhe ato bënin rroba për eksport, një pjesë prej tyre kalonin për festivalin. Kjo do të thotë që ne na çonin atje, i zgjidhnim veshjet, i provonim ato, sigurisht me mbikëqyrjen e personave kompetentë. Në fakt, në festivalin e parë ku unë kam dalë, mua nuk më bënte asnjë fustan dhe kur më ngjitën në pasarelë për të provuar fustanin, i ndjeri drejtori i RTSH-së, Çajup Rusmaili, pa e ditur që më vonë unë do të bëhesha edhe nuse në fisin e tyre, u shpreh: “Po kjo është shumë e vogël, ç’i keni veshur këtë fustan sikur e keni futur në thes!”. Si përfundim fustanin e parë që kam veshur në këngën “Ore ore lulebore” e kam marrë nga shoqja ime e dashur Majlinda Frashëri. Me fustanin e saj jam ngjitur në skenë e kështu e fillova këtë mënyrë të të kërkuarit të fustaneve borxh, ndaloja në rrugë vajza që i shihja me fustane që më pëlqenin, ua kërkoja borxh për në festival. Isha njeri korrekt e ua ktheja në kohë, në përgjithësi nuk m’i refuzonin. Nuk është se unë kam vuajtur për veshje por kisha dëshirën që të mos isha njësoj me të tjerët, pra të mos bëja pjesë e rreshtit e të isha standard. Madje kam ndihmuar shoqe të mia kur kisha më shumë se një fustan. E bëja me dëshirë këtë dhe vazhdoj e bëj e do ta bëj. Kemi vuajtur ca për veshje por kishim edhe zgjidhje, me aq alternativa sa na ofronte koha.

Një këngëtare si ty me aq shumë çmime e nderim, ka ndonjë peng për ndonjë këngë që do kishe dashur që të vlerësohej më lart?

Çmimet janë subjektive, objektive është vetëm mbijetesa e këngës. Nëse kënga ka jetuar gjatë, ky është çmimi më i mirë. Nuk jam mërzitur asnjëherë nga vlerësimi i jurive. Çmimin më të lartë ta japin njerëzit, nëse ata e kanë dashur këngën, e kanë kënduar dhe kënga ime është bërë hit, nuk më janë nevojitur e nuk më duhen çmimet e jurive.

Ndërrimi i sistemeve dhe ardhja e demokracisë, si e përjetove, flas artistikisht?

Besoj që nuk kam kaluar ndonjë shokim nga ndërrimi i sistemeve. Fati im i mirë është se ajo ndodhi kur unë isha shumë e re, pra kisha moshën e duhur për të vazhduar jetën dhe karrierën edhe në demokraci. Madje mora një vendim drastik, lashë menjëherë punën e shtetit dhe kam vazhduar të punoj privatisht. Ka qenë gjëja më e mirë që kam bërë. Estrada dhe ansambli ku kam punuar më kanë dhënë suport, u jam mirënjohëse këtyre institucioneve por kur kam kënduar privatisht kam kuptuar se nuk jemi të barabartë, të aftit duhet t’i hapet rruga e tij dhe duhet të ketë diferencë i talentuari me atë që është më pak i talentuar ose nuk asnjë talent. Pra ndërrimi i sistemeve më dha mua vlerën e duhur. Më dha vetëdijen që aftësitë e mia do më rregullonin mirëqenien dhe cilësinë e jetës time.

Shumë vite ke performuar edhe jashtë kufijve,ose me motrën Erandën ose vetëm. Çfarë ju dha më shumë puna me diasporën dhe ku dallon ai publik me publikun këtej kufijve?

Të performuarit jashtë Shqipërisë përveç eksperiencës dhe repertorit të pafund, të cilin unë e kam pasuri, bëri edhe gjënë e mirë që ne njohëm më mirë shqiptarët kudo ku jetojnë, të njohim dialektet tona, gjuhën tonë të pasur, të njohim shumë vende në botë, ka sjellë një ingranim me mënyrën se si funksionin bota që ne nuk njihnim. Besoj që vetëm mirë kam pasur prej këtij aktiviteti, shpirtërisht dhe materialisht.

Pavarësisht impenjimeve të shumta, nuk të kam hasur asnjëherë me një flok jashtë vendit. Ku e gjen këtë grinte që të dukesh kaq bukur?

Unë mendoj se duke qenë se ne jemi një model, duke qenë gjithmonë përpara syve të publikut, mendoj se ne duhet të jemi një pasqyrë e mirë por kjo nuk është arsyeja kryesore. Arsyeja tjetër është se kujdesi për veten është dhe i brendshëm, Duke qenë unë artiste unë vetë e kam me merak që të jem e kujdesshme, të jem e rregullt e mos e teproj, duke dhënë kështu një pasqyrë të mirë të vetes, kudo ku jam. Ndaj mendoj se nuk më ka çeduar pamja e jashtme.

Stili yt, veshja jote, janë unike. Aq sa shpesh them me vete se ku e gjen garderobën. Më tregon ndonjë detaj mbi këtë?

Mënyra se si vishem vjen nga brenda meje, mendoj se ka ndryshuar që nga koha kur unë jam bërë e vetëdijshme se cili stil më përket. Sigurisht kam mbetur brenda natyrës time por kam abstraguar për më të bukurën e më të mirën. Më përpara veshjet i vishja edhe me kokën time dhe kështu edhe kam gabuar. Ka disa kohë që unë e drejtoj shijen time një herë nga porta e stilistes, sidomos kur është në pyetje dalja skenike. Ndërsa për jetën e përditshme nuk është aq problem. Unë blej, blej online tashmë, nuk blej shtrenjtë shpesh, blej edhe lirë kur është brenda stilit tim, qep veshje gjithashtu. Por nuk kam profilin e një fashionisteje, pavarësisht se edhe nga instagrami, veshja është bërë me rëndësi. Veshjen e kam dashuri dhe përpiqem që gjithmonë ta kem prioritet. Në këtë aspekt i kam ngjarë babait tim.

Sa rëndësi ka miqësia për ty dhe si i ruani miqësitë me artiste të skenës?

Mendoj se rrethi shoqëror është lubrifikimi më i mirë i shpirtit të një artisti.. kam një rreth shumë të mirë shoqëror me artistë, gazetarë, stilistë, njerëz të fushës së artit. Sinqerisht ndihem mirë me ta dhe i dua me të vërtetë. Edhe ata që janë më të rinj si kolegë më pranojnë në këtë botëkuptimin tim.

Si të thërret mbesa jote bukuroshe Lule?

Mbesa ime më thërret Ima, fëmijët në përgjithësi më thërrasin në emër, sepse e dua shumë konfidencialitetin. Më pëlqejnë komunikimet e drejtpërdrejta.

Ke diçka që e ke dobësi?

Nuk kam ndonjë gjë që më ka mbetur merak. E vetmja gjë që s’duhet të më mbesë merak është që sa jam në formë unë duhet të prodhoj, pra unë duhet të vazhdoj të punoj. Derisa audio dhe video janë në rregull, unë duhet të vazhdoj të këndoj.

Pak javë më parë pa dritën “Kavash Kavash”, një këngë e bukur dasme me ritme të forta. Si janë reagimet e publikut me këtë këngë të re?

Kjo këngë ka si titull bashkimin e fjalëve ‘avash’ me ‘kadalë’, një këngë e fortë sepse zëri im është i fortë e ka ende fuqi, përballon faktin e këngës veri e jug, teknika vokale ma lejon që të përballoj edhe “kavash” edhe “Selam Musain”, edhe “Tate du fuston”. Është pritur mirë mendoj, por ende nuk ka nisur sezoni i gëzimeve familjare ku kjo këngë do të këndohet shumë.

Ke punuar fort për të qenë kjo që je. Por a ke thënë ndonjëherë që ‘u lodha, nuk do të këndoj më’?

Kam punuar fort dhe kurrë nuk do të them u lodha. Publiku na mban gjallë e sa me fat jam që i kam.

Më tregon sekretin e ndonjë projekti të ri që po gatuan?

Kam kënaqësinë që kam punuar një këngë me një djalë të ri ndaj të cilit më shumë jam një suport sepse është një djalë shumë i talentuar dhe i mirëformuar. Ka dhe një pasion të madh për këngën, quhet Rei Bezhani. Është një këngë e kompozuar nga Enis Mullai me tekst nga Eriona Rushiti. Videoklipi është nga Edlira Baholli dhe pikërisht këtë të premte është edhe premiera e kësaj kënge për publikun. Kam fatin të kem gjetur një staf shumë të mirë që më përfaqësojnë në nivelin më të kënaqshëm, ashtu si e dua. Sigurisht që do të dalë shumë shpejt kjo këngë.