DOSJA ’97/  Sa shpërthyen protestat, VEFA nga frika u çoi vlonjatëve pará me helikopter nga Përmeti e Gjirokastra

DOSJA ’97/  Sa shpërthyen protestat, VEFA nga frika u çoi vlonjatëve pará me helikopter nga Përmeti e Gjirokastra
“Albanian Free Press” vijon publikimin e kujtimeve të shkruara në letër nga njeriu që drejtoi  kompaninë rentiere VEFA, gjatë nisjes së vitit të mbrapshtë, 1997... Si nisën protestat në Vlorë...

Pará të nisura me helikopter nga Përmeti e Gjirokastra, menjëherë sapo në Vlorë shpërthyen protestat kundër “Gjallicës”. Kjo ishte masa që mori menjëherë kreu i firmës tjetër rentiere, VEFA, Vehbi Alimuçaj, për të parandaluar një zemëratë të kreditorëve vlonjate edhe ndaj tij. Detaj i ri ky që mbërrin nga kujtimet e radhës së ish-drejtorit të përgjithshëm të VEFA-s, Memush Habilaj, të cilat vijnë edhe sot të zbardhura posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. Pasuar edhe me mjaft elementë interesantë, por edhe të trishtë në të njëjtën kohë, të trazirave të atij fillimviti të mbrapshtë për Shqipërinë...

***

Janar 1997

E enjte, 23 janar 1997

Ka pasur shqetësime në disa objekte, janë provokuar rojet nga banorë dhe njerëz të panjohur, por pa ndonjë rëndësi të veçantë. Tension tek arka e kreditit. Dëgjohen fjalë, thirrje dhe ndonjë parullë kundër VEFA-s, në rrugë, nëpër kafene, bile edhe në ambientet e punës. Por edhe këto janë sporadike dhe nga persona të veçantë. Mos vallë janë shenjat e para për goditje? Vehbiu jep çdo ditë intervista në shtyp dhe pardje deklaroi: “Shteti t’i vërë gishtin kokës”. Cili shtet? VEFA publikon komunikatë për ndërprerjen e huamarrjes dhe dhënien e përqindjeve. Kapitalet bllokohen për 3-4 muaj, lëvrimi i tyre do të bëhet në muajin prill. Vehbi Alimuçaj mendon se për 3-4 muaj gjendja do të stabilizohet dhe këtë ide ia ngulën në kokë qeveritarët, që nuk donin të kuptonin situatën. FMN-ja publikon një deklaratë kategorike për mbylljen e firmave huamarrëse e piramidale, shtetit tonë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bindet pa bërë fjalë, ndonëse me vonesë. Parlamenti shpall mbylljen zyrtare të fajdeve, sipas urdhrit të FMN-së. Dje dhe sot nga Kavaja e deri në Fier ka pasur trazira, saqë shokët që do vinin nga Tirana u detyruan të ktheheshin mbrapa. Në Tiranë e në Vlorë vazhdon të tërhiqet sasi e madhe dollari nga tregu i valutës, leku po zhvlerësohet çdo ditë, ndihet panik midis personave që merren me kambizëm.

E hënë, 27.01.1997

Në darkë pata takim me Vehbi Alimuçën. Rruga nga Lushnja ishte e bllokuar nga turli njerëzish, që digjnin goma e kashtë dhe u detyruam të vërdalloseshim nga Divjaka për në Rrogozhinë. Dje u nisëm nga Tirana për në Vlorë, por u bllokuam në Rrogozhinë, në rrugë ishin shkarkuar gurë, zhavorr etj. Marrim rrugën nga Belshi për të dalë në Lushnjë. Kur mbërritëm në Belsh ishte qetësi, por në të dalë të tij qëndrojmë në një kafe dhe para nesh hapej një panoramë e gjerë. Shohim tym në horizont nga ana e Lushnjës, nga rruga po vijnë grumbuj njerëzish drejt Belshit. Makinat tona fuoristrada të shtrenjta bëjnë përshtypje dhe na marrin për të SHIK-ut, mezi ua mbushim mendjen që jemi punonjës të VEFA-s. Na thanë se Lushnja po digjej, se ishin djegur edhe Bashkia dhe ndërtesa të tjera shtetërore dhe ishte e pamundur të kaloje. Vendosëm të nisemi nëpër rrugët e këqija, që çonin nga Belshi në rrugën nacionale Lushnjë-Berat dhe të dilnim nga Roskoveci në Fier. Sapo ne largohemi nga kafja, në Belsh filluan trazirat.

Më hynë në punë njohuritë nga eksperienca ushtarake për t’u orientuar dhe gjeta drejtimin në këto rrugë fshati gjithë baltë. Në një vend të vështirë na ndihmoi një person me “zetor”. Mezi zbritëm në rrugën Lushnjë-Berat. Takojmë njerëz që ktheheshin nga Lushnja dhe që na treguan se ç’po ndodhte atje. Çdo gjë ishte jashtë kontrollit, Tritan Shehu qe marrë peng, etj, etj. Lëvizim me shpejtësi drejt Beratit, kthehemi pastaj drejt Fierit, aty kishte lëvizje, por jo problem, rruga Fier-Vlorë ishte qetësi, tek-tuk kishte zjarre në rrugë me kashtë e goma makinash. Vonë në mbrëmje mbërritëm në zyrë. Marr informacion për çka ndodhur dje e sot, të shtunë e të diel. Nuk ka probleme nëpër objekte, por njerëzit tanë janë të tronditur, mbi ta vepron situata e nderë në Vlorë.

Më përshkruan edhe se ç’ndodhi të dielën në Vlorë: rreth orës 900 një turmë e madhe mblidhet në Sheshin e Flamurit, pastaj udhëhiqet drejt Bashkisë. Grumbullohen në sheshin para Bashkisë. Nga turma shkëputen një grup 20-30 vetë, kryesisht të rinj, disa 15-16-vjeçarë, ata hyjnë në ndërtesë, kur në moment shpërthen tymi nga disa dritare. U dogjën zyra e kryetarit, e financës dhe kontrollit e kadastrës. Për çudi ishin hapur të gjitha kasafortat në këto zyra dhe ishin zhdukur regjistrat e financës dhe pasurive e pronave. Ka mundësi që djegia të ishte e organizuar nga njerëz brenda bashkisë për të mbuluar vjedhjet dhe abuzimet, shishet me benzinë që u ndezën ishin për të mbuluar gjurmët, qarkullojnë fjalë se grupi që hyri i pari në Bashki dhe që mund të ketë vënë zjarrin, përbëhej nga kontingjenti i SHIK-ut, llumi i Vlorës.

Fjalët për djegien e Bashkisë ishin përhapur shumë ditë më përpara. Sido që të jetë puna më vjen keq për këtë veprim vandalësh që dogjën këtë objekt të rëndësishëm.

Sot para arkës së VEFA-s pati grumbullime kreditorësh si asnjëherë tjetër, ishin të qetë, por kërkonin paratë. Na tregonin gazetat dhe kërkonin shpjegime. U munduam ta mbanim gjendjen nën kontroll deri sa u larguan pjesë-pjesë. Mbasdite pata takim me drejtorët e objekteve dhe më vonë me shefat e ruajtjes.

E premte, 31.01.1997

Shkoj tek arka e kreditit, turmë e madhe, por e qetë. Rojet dhe arkëtarët janë nën presion. Mundohemi të qetësojmë situatën. Nga persona të veçantë u bëhen kërcënime punonjësve dhe hidhen parulla nxitëse kundër VEFA-s. Organizojmë me një rregull të përsosur hyrjen e kreditorëve në arkë, në mënyrë që të mos ketë rrëmujë. Shpërndajmë vlera të vogla kapitalesh 1-2 mijë dollarë për person, ndërsa paralelisht, sportelet punojnë me hapjen e kartelave sipas listave të menaxherëve, një punë e lodhshme kjo. Kthehem në zyrë, shoh edhe disa gazeta, ku ato kryesoret, si zakonisht, kanë reklamat e VEFA-s. Flas me Vehbiun dhe lë takim me të në Tiranë nesër. Janë arrestuar shumë persona për djegien e Bashkisë së Vlorës, kryesisht të udhëheqjes së PS-së, por asnjë person zjarrvënës. Midis të arrestuarve është dhe një punonjës i yni, i kapur në turmë, e kishim si vrojtues, mezi arritëm ta lironim. Këto arrestime po e ndezin më keq situatën. Në darkë dëgjohen krisma armësh në periferi të Vlorës.

Shkurt 1997 - FUNDI I SHTETIT

E diel, 2.02.1997

U takova sot paradite me Vehbiun dhe diskutuam problemet tona në Vlorë. I kërkova dërgim parash nga Tirana. Më tha se e kemi rregulluar që të tërheqim nga banka deri në 1 milion dollarë në ditë, të cilat do të jenë kryesisht për Vlorën dhe do të transportohen me helikopter. Më tha edhe se përfunduan bisedimet me firmat e tjera dhe do krijohet Unioni Financiar VEFA-SILVA-KAMBERI-CENAJ. “Kemi edhe përkrahjen e qeverisë, nesër do të firmoset dhe do të publikohet deklarata e përbashkët e “4 Dragonjve të Shqipërisë”. Qeveria ka interes që ne të qëndrojmë fortë”, tha ai. Diskutuam të dhënat nga shtypi që po bëhet çdo ditë më alarmant, përgatitje për mitingje në çdo rreth, duke filluar me Shkodrën, u publikua edhe vdekja e ortakut të “Gjallicës” në Turqi (Selaudin Disha) që do t’i sillte 60 milionë dollarë Shemsies. Kjo i bëri përshtypje atij, se e kisha informuar kohë më parë për këtë. Në shtyp po vihen re dy degëzime: SHBA kundër qeverisë, Evropa pro, edhe një budalla e kupton këtë menjëherë.

Ndërkaq, PD-ja në Vlorë zhvillon aktiv për gjendjen dhe “Gjallicën”. Udhëheqja e saj aty është shumë e ingranuar me çështjen e “Gjallicës”, e shikon si varkë shpëtimi. Por “Gjallica” është e mbytur. I thashë Vehbiut se ka shenja për banda të armatosura në Vlorë që shtijnë natën, ka mundësi të organizuara nga SHIK-u, kemi blerë një sasi armësh për mbrojtje, por po i mbajmë në ruajtje dhe do na duhet të blejmë edhe nja 10.000 fishekë për kallashnikov e pistoleta, këto do t’i blejmë nga baza ushtarake e Tiranës dhe do t’i çojmë në Vlorë me helikopter. Pasnesër Vehbiu do të shkojë në Përmet, ndërsa unë do të rikthehem në Tiranë për të mbyllur ato që ramë dakord.

E hënë, 3.02.1997

Po vijnë makineritë e fabrikës së tullave dhe gjashtë inxhinierë për montim. Marr masa për sistemimin e hungarezëve, lëvizjen dhe shoqërimin e tyre nga Rinasi në Vlorë. Megjithë situatën e tensionuar, e kemi llogaritur që brenda muajit shkurt të mbarojë montimi dhe prova e fabrikës së rinovuar. Punohet me orar të zgjatur, në mënyrë që t’u paraprijmë situatave. Punëtorët punojnë të qetë dhe paguhen mirë. Tek arka punohet sipas marrëveshjes së re: huatë me 3% duke filluar që sot, do të fillojmë të japim kapitalet e vogla 1-5.000 dollarë gradualisht, po reklamojmë librezat, do të ngrijmë kapitalet e mëdha për 3-4 muaj, ndoshta deri në maj.

Vijnë shokët e mi nga Tirana P.P. dhe F.P. në përforcim të ruajtjes së filialit. Flas me Vehbiun, i cili më thotë se përfundoi marrëveshja me firmat e tjera dhe nesër bëhet publike. Të gjithë ranë dakord sipas skemës tonë (3% kapitalet e vogla etj.). Më tha edhe që kompania italiane , e cila vazhdon tratativat është dakord për një kredi për VEFA-n 50-60 milionë dollarë me kusht që të blejë një pjesë të aksioneve.

E mërkurë, 5.02.1997

Në mëngjes në selinë qendrore, Tiranë, vendosim me shokët e qendrës mbi lëvizjen e parave nga Tirana për Vlorë me helikopter, sasitë, ndërlidhjen, ruajtjen. Çdo lëvizje me 0.5-1 milionë dollarë. Do të marrim edhe nga Përmeti, Gjirokastra etj, çfarë është grumbulluar me helikopter. Pasi rakorduam gjithçka dal një shëtitje të shkurtër nëpër Tiranë, kudo qetësi, ndryshe nga Vlora. Nga disa biseda marr vesh se edhe në Tiranë do të ketë protesta. Kthehem në shtëpi, takoj familjen dhe nisem për në Vlorë. Bëjmë rrugën e zakonshme, në Lushnjë pengesa, por ia dalim. Në Fier marrim vesh se për në Vlorë është nisur një kolonë e madhe me ushtri e forca speciale, se nesër pritet të ketë revoltë për shkak të “Gjallicës”. Na thanë një shifër prej 5.000 trupash.

Nisemi, sa kalojmë urën e Mifolit shohim zjarre, rruga e bllokuar, një makinë IFA e ushtrisë po digjej në kanal me rrota përpjetë. Pra, paska filluar që këtu përplasja. Një grumbull njerëzish na presin rrugën duke na marrë për të SHIK-ut, por shpejt u njohëm dhe kaluam. Kur hymë në Vlorë ishte errësuar, tek rruga në hyrje të qytetit, tek fabrika e tullave, një tjetër IFA, përmbys, e djegur. Ndaloj tek fabrika e tullave, flas me rojet dhe më shpjegojnë situatën. Para gati një ore autokolona po hynte në Vlorë, një turmë e madhe e revoltuar u përball me ushtrinë, pati përleshje, pas një copë herë turma u tërhoq, forcat speciale hynë në qytet dhe u vendosën në pika të caktuara. Shkoj në zyrë, takoj shefat e ruajtjes dhe të informacionit dhe marr një pamje të qartë të situatës. Nesër do të ketë revoltë tek “Gjallica” prandaj kanë ardhur forcat speciale e të ushtrisë. Kjo do ta acarojë më keq gjendjen  Nëpër objekte gjendje qe e qetë. Bëmë planet për nesër. Shkoj në hotel në Plazhin e Ri, takoj hungarezët të cilët i gjeta të qetë. U shpjegova se nesër do të ketë revolta në qytet, atyre nuk u bëri përshtypje.  Pasdite rreth orës 1700 një turmë rrugaçësh djegin kioskën e futbollistit Koto Zile. Qarkullojnë fjalë se Shemsije Kadria është arratisur në Turqi, deri në Rinas e shoqëroi policia. Besoj se do të dalë në media në qoftë se lajmi është i vërtetë.

E enjte, 6.02.1997

Në orën 900 pati grumbullime tek sportelet e “Gjallicës”, pastaj turma shtohet, mblidhen më vonë tek Sheshi i Flamurit, fjalime, parulla. Rreth orës 1230 turma shpërndahet, incidente nuk pati. Pasdite turma mblidhet në orën 1700 në qendër pastaj lëviz drejt Skelës, protesta e qetë, shpërndahen pas një ore. Njerëzit tanë në protestë nuk vrojtojnë ndonjë rritim ndaj VEFA-s. Tek arka nuk pati grumbullime se ishin në protestë në qendër. Punuam relativisht qetë. Nesër pritet përsëri protestë. Pasdite në zyrë, takim me shefat e ruajtjes, kontrolloj me radio ruajtjen nëpër objekte. Lexoj disa gazeta, më bie në sy një artikull i “Reuter” për firmat piramidale, asnjëherë kjo agjenci nuk ka folur pë Shqipërinë. Kurse UNIONI-financiar boton një deklaratë bombastike për marrëveshjen e arritur dhe që për 5-6 vjet do të kalojmë Amerikën. Në krahun tjetër, Vehbi Alimuçaj deklaron se kreditorët do të jenë gradualisht aksionarë të VEFA-s, thjesht zhurmë për të qetësuar njerëzit.

Shoh lajmet në TV. Të gjithë kanalet e huaja e kanë përqendruar vëmendjen në Shqipëri. Interes i veçantë, diçka po përgatitet. Natën nga kodrat e Vlorës dëgjohen krisma armësh. Publikohet arratisja e Shemsije Kadries, kjo e ndezi fitilin e bombës së “Gjallicës”.

E shtunë, 8.02.1997

Vazhdojnë protestat në Vlorë, paradite dhe pasdite të qeta. Dalin në skenë politikanët e opozitës. Nuk priten mirë.

Shkoj në Tiranë në selinë qendrore, takoj Vehbun dhe i thashë se protestat në Vlorë janë të qeta, porse dolën në skenë opozitarët dhe mund të acarohet situata. Më tha se “po ndjek lajmet në TV e huaja dhe nuk më pëlqejnë, por nuk po e çaj kokën. UNIONI-n-financiar e kam në dorë, ata janë të trembur, unë jo, do ta kalojmë këtë situatë”. Në darkë vonë kthehem në Vlorë, nga Përmeti e Gjirokastra kishin ardhur pará me helikopter. Qarkullojnë fjalë se është larguar Sokol Mulosmani dhe është zëvendësuar me një person tjetër.

E diel, 9.02.1997

Shkojmë herët tek fabrika e tullave, atje punohet edhe sot, arka është e mbyllur. Gjendja duket e tensionuar shumë. Rreth komisariatit forca të shumta ushtri e policë, po ashtu nëpër rrugica. Nga Tirana vijnë forca të tjera ushtarake. Ngjitem në tarracën e arkës së kreditit dhe shoh protestuesit që përplasen me policinë. Një turmë e madhe merr drejtimin për nga Pusi i Mezine, me parullat “Do shkojmë në Tiranë”, mes tyre dhe policë që i shoqërojnë, nuk ka konfrontime. Pasi vajtën afër Pusit Mezine, turma kthehet mbrapa për në Vlorë së bashku me policët vlonjatë, deri këtu nuk ka acarime. Aty nga dreka fillojnë të shpërndahen, tek-tuk grupe të vogla vazhdojnë të grinden me policinë duke gjuajtur me gurë, por pa ndonjë pasojë. Në drekë e ndërpresim punën. Pasdite vijon protesta me acarime me policinë. Hungarezët janë të qetë. Në TV jepen lajmet për Fitim Gërxhalliun në burg dhe Shemsije Kadria që ka ikur jashtë Shqipërisë. Nga Vlora është larguar Sokol Mulosmani dhe zëvendësohet nga Etem Kurti. Kurse nga Tirana ka ardhur Agim Shehu, si dorë e fortë për të vendosur rregullin dhe rendin në Vlorë. Është shprehur ashpër në stafin e oficerëve të policisë se do ta shtypë Vlorën dhe do t’i mësojë vlonjatët si të sillen me shtetin. Ky polic mesa duket nuk e ka haberin se Vlorën nuk e kanë mposhtur dot perandoritë dhe jo më një grumbull mercenarësh të mbledhur nga fshatrat pa bukë. Këto fjalë po qarkullojnë në qytet dhe po mbjellin një urrejtje të paparë. Nesër pritet revoltë e ashpër, çdo gjë duket sheshit, policia dhe forcat e ardhura nga Tirana etj, po fortifikohen rreth e rrotull komisariatit për t’i bërë ballë revoltës së mundshme. Nëpër klubet e kafenetë e qytetit qarkullon një lumë thashethemesh, pështjellimi është i madh, situata po rëndohet çdo moment, shteti po matet të tregojë muskujt kundrejt qytetarëve të vet, të shohim a do t’ia dalë dot. Forca po zëvendëson logjikën e shtetit.

E hënë, 10.02.1997

Revolta nisi rreth orës 900, turma grumbullohej vazhdimisht sidomos rreth komisariatit. Me disa shokë ngjitem në tarracën e arkës së kreditit për të vrojtuar. Rreth orës 1000 filloi përleshja midis turmës dhe forcave policore, me gurë, drunj, tulla etj. Gjuanin nga tarracat e godinave, pas nja një ore forcat policore u shpërndanë, por godina e komisariatit nuk u mor. Drejt fabrikës së tullave vjen një turmë gjysmë ushtarësh, “larushët”, të ndjekur nga turma. U them rojeve të hapin dyert dhe të futen brenda ushtarët. Ashtu bënë, “larushët” u futën brenda në oborrin e fabrikës, mund të ishin rreth 100 vetë të çorganizuar komplet. Turma ngeli jashtë.

Në qendër vazhdon përleshja, zhurmë e rrëmujë gjithandej, tek ne qetësi. Në mesditë shoh një helikopter të ulet në tarracën e policisë dhe largohet pas pak. Hapen fjalë se helikopteri mori disa policë të plagosur dhe tërhoqi Agim Shehun se mos e kapte turma. Nga qendra dëgjohen breshëri armësh. Nga njerëzit tanë marrim njoftime se janë vrarë tre vetë dhe plagosur shumë të tjerë, ndoshta rreth 100 të plagosur. Zbres nga tarraca dhe shkoj të shoh “larushët”, ishin katandisur në pikë të hallit. Të parruar e të paqethur, gjysmë civilë e me nga një xhaketë ushtari zbulues, të lodhur e të uritur, po pinin ujë e po freskoheshin tek çezmat e fabrikës, ata që kishin armë e kishin hedhur pa kujdes në tokë. Fola me njërin, një burrë me mustaqe të holla e fytyrë të dobët, rreth 40 vjeç, ishte nga fshatrat e Librazhdit. Kishte ardhur vullnetar për 40.000 lekë, u kishin dhënë gjysmat, u kishin thënë se do të rrinin në Fier në ndihmë të policisë. Pastaj mish për top në Vlorë. Punëtorët tanë u dhanë për të ngrënë, u dhanë edhe kafe te klubi ynë, pastaj një pjesë doli të kërkonte ndonjë mjet për t’u kthyer në shtëpi, për çudi furgonat e linjave punonin. Disa që ishin larg u morën në shtëpi nga punëtorët dhe u larguan të nesërmen. Armët i lanë në vend, asnjë nuk begenisi t’i merrte me vete. Pas 2-3 orëve gjendja qetësohet disi. Por në qendër vazhdon rrëmuja.

Rruga për në zyrë u lirua, shkoj në këmbë i shoqëruar. Rruga e mbushur me gurë, tulla, drunj etj. mbetje kaskash të policisë. Në zyrë marr vesh se ka tre të vrarë, një i quajtur Artur Rustemi, një ka vdekur nga infarkti dhe shumë të plagosur.

Shoh në TV transmetimet nga Vlora, pamje të pashlyeshme nga kujtesa. Kur qetësohet gjendja nisem për në hotel. Rruga Vlorë-Skelë dukej si pas një beteje. Në restorant rastësisht takoj një shokun tim në ministrinë e Brendshme që kishte ardhur me stafin e Agim Shehut. Më tregoi ngjarjet në polici, Shehu donte të përdoreshin armët kimike kundër demonstruesve, kurse shoku më tha se mezi ia mbushëm mendjen të mos bënte një gafë të tillë, duke i treguar se shashkat me LHL nuk punonin se ishin të vjetra. Nga ky mora vesh se Agim Shehu ishte për masa të dhunshme, por kur pa shpartallimin e policisë, ia mbathi me helikopter duke i lënë vartësit në Vlorë në mëshirë të fatit. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishin parullat e reja: “VEFA mbron qeverinë, mban qeverinë me paratë tona, që të rrëzojmë qeverinë duhet të rrëzojmë VEFA-n” etj. Për herë të parë shënoheshin thirrje të tilla dhe ishin për t’u alarmuar...”.