Viron Noti: Pa radion, duket sikur e gjithë bota do ishte pa zë

Viron Noti: Pa radion, duket sikur e  gjithë bota do ishte pa zë
INTERVISTA/ Flet veterani i Radio-Tiranës, Viron Noti:

“Sado hapësirë të marrë televizioni radioja mbetet unike, pasi është më praktike, më e lehtë në përdorim, më e thjeshtë në manovrim, më komode dhe mund të përdoret në çdo situatë dhe terren”

 ***

Plot 35 vjet në radio. Thuajse një jetë e tërë. Kështu e konsideron eksperiencën e tij të gjatë ndër vite në Radio Tirana, një nga veteranët e saj, Viron Noti, gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”. “Radio-Tirana ka ngelur ne memorien e çdo shqiptari si sinjalizuesja e parë e çdo eventi, ngjarjeje, sihariqi dhe informacioni të cilin ishte e pamundur ta gjeje në vend tjetër”, vlerëson ai. Ndërsa shton se në radon, “zëri është puna jonë, mjeti, arma, pajisja, mekanizmi i profesionit, mekanzimi që të nxjerr fitimtar”...

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Keni punuar plot 35-vjet në Radio Tirana. Të mungon radioja sot?

Më mungon? Kur ma bëjnë këtë pyetje ndihem në siklet. U rrita me radion dhe dola në pension aty. Radioja mbetet dashuria ime më e madhe. Radioja është një simbol i veçantë në jetën time, që më sjell gjithmonë sadisfaksion krejt ndryshe në çdo rrethanë kur e dëgjoj. Edhe sot që ka shumë mjete informimi, radioja për mua është e pazëvendësueshme. Nuk janë pak 35 vjet. Janë një e treta e shekullit, pra tre dekada e gjysmë që zgjoheshe dhe flije me mendje e zemër tek Radio-Tirana  Jam rritur me atë radio, kam formuar familje, kam zgjeruar miqësinë, kam njohur më mirë botën, kam parë me realizëm jetën, jam njohur me befasi, por edhe me të vërteta të mëdha. Radioja u bë pjesë e jetës sime në çdo qelizë të trupit, me të mirat dhe të metat e saj, ose më mirë, vështirësitë e saj. E di ç’do të thotë të thyesh rregullat e 35 viteve? Do të thotë sikur të nesërmen shkon në një planet të ri të panjohur, që të sjell një boshllëk të madh të pazëvendësueshëm, edhe sikur të jetë i mbushur me ar.

 

Sot ka shumë radio, a do doje të punoje tek ato?

Sërish tek Radio Tirana, edhe pse e di që sot ka radio me teknologji më të mirë, por ajo mbetet nëna e të gjitha radiove shqiptare. Them tek ajo radio, se ka një histori të madhe. Ka një vlerë të jashtëzakonshme në historinë e radiofonisë shqiptare. Por edhe sepse aty kanë dalë një gjeneratë gazetarësh që i kanë dhënë emër gazetarisë shqiptare. Radio-Tirana ka ngelur ne memorien e çdo shqiptari si sinjalizuesja e parë e çdo eventi, ngjarjeje, sihariqi dhe informacioni të cilin ishte e pamundur ta gjeje në vend tjetër.

Sot radioja duket sikur është lënë në dorë të dytë, pasi televizioni po merr shumë hapësirë...

Për mendimin tim, sado hapësirë të marrë televizioni radioja mbetet unike, pasi është më praktike, më e lehtë në përdorim, më e thjeshtë në manovrim, më komode dhe mund të përdoret në çdo situatë dhe terren. Radion e merr me vete në plazh, në mal, në lumë, e dëgjon në makinë, kur do të flesh nën tinguj, kur je në ecje, etj. Pra është shumë më praktike dhe më relaksuese. Radioja nuk do shumë komoditet në veshje, në zbukurime, studio të madhërishme. Radioja është e pranishme në çdo vend në 24 orë jo vetëm për lajmet, por sidomos për muzikën që të përcjell emocione të forta në situate të veçanta. Pa radion, duket sikur gjithë bota do të ishte pa zë.

 

Po folësit e radios, a kanë dallim me ata të televizionit?

Pothuajse kërkesat janë të njëjta dhe specifikat të njëjta. Por folësi i radios është më i shpenguar, më komod, pasi nuk i shihet veshja, makiazhi, studioja, lëvizjet e tepërta, gabimet në lëvizje. Por përqendrimi është më i madh, pasi çdo gabim në interpretim bie në sy më shumë se tek folësit e televizionit, pasi këta folës nëpërmjet pamjeve filmike e përcjellin sadopak në sfumim gabimin në përcjellje gjatë të folurit.

 

Si u lidhe me radion, kush ishte nxitësi?

Kur unë u lidha me radion dhe nuk ndahesha prej saj isha i vogël dhe kur zëri i saj përhapej në dhomë, lija çdo gjë dhe dëgjoja me vëmendje. Më dukej si diçka hyjnore zëri që dilte prej saj. Mahnitesha me atë kuti, nga ku dilnin tinguj dhe zëra të mrekullueshëm. Të parët që ruaj në kujtesën time kanë qenë gazetarët Agim Bejleri dhe Vera Zheji, të dy shumë të aftë profesionalisht, me një zë tepër specifik, që kur i dëgjoja mendoja se do të ishin njerëz ndryshe nga ne (qesh). Nuk e mendoja se më vonë do t’i kisha kolegë e do më ndihmonin në rrugën time të gjatë të gazetarisë fonike. Madje, ata ishin të thjeshtë, korrektë dhe shumë të predispozuar për të të ndihmuar. Mësimet e tyre ishin të vlefshme dhe shumë koherente.

 

Si arrite të bëheshe kolegë me këta gazetarë që i kishe idhuj?

Ah, po. Rritesha me dëshirën për t’u bërë gazetar, për të qenë pjesë e gazetarisë folëse dhe asaj vizive. Dhe rasti fatlum erdhi. Konkretisht në vitin 1973, kur Drejtoria  e Përgjithshme e Radio-Televizionit hapi një konkurs për folës në radio dhe në televizion pa dhënë kritere specifike për shkollën apo profesionin. Flitet për atë kohë kur televizioni sapo kishte mbushur 4 vjeç dhe radioja po përhapej gjerësisht në Shqipëri. Pra, kishte shumë kërkesa për folësa ose si i thonë sot, spikerë. Ishte një juri shumë profesionale, me kryetare mos gaboj Vera Zhejin. Paraprakisht, na ishin dhënë materiale të ndryshme për t’i përcjellë si lajme, ku ne punuam disa ditë për interpretimin. Në konkurs nuk kërkohej thjesht lexim rrjedhshëm, por kërkohej dhe interpretim i lajmit, dhënia e theksit, tonit, sipas logjikës dhe rëndësisë, aftësitë komunikuese, zëri, logjika dhe teknika e të folurit, por jo e perfeksionuar për momentin. Pjekuria ka vendin e vet. Qysh në fillim na orientuan se duhet të punoje me tekstin. Kjo m’u ngulit qysh atë kohë dhe çdo ditë në radio unë punoja me çdo fjalë të tekstit dhe kjo më ka dhënë suksesin. Për mua është më e vështirë puna paraprake  (që  është puna me tekstin), se sa direkt dita e inçizimit. Kur hyra në konkurrim kisha shumë emocione, madje kisha një stepje në fillim. Dilja para disa personaliteteve, që i kisha idhuj e që vetëm t’i shihja, e kisha ëndërr më parë.

Të të pyes paksa jo në mënyrë shumë elegante, a hynte në punë miku, tarafi në atë konkurrim?

Aspak, fare. Vetëm aftësia. E ku kisha unë miq? Babai më kishte lënë 2 vjeç dhe unë nuk kisha asnjë të njohur, asnjë. Aty ishin qindra vetë që vinin nga të katër anët e Shqipërisë. Kishte shumë njerëz para RTSH, kur do zhvillohej konkursi. Aty vlerësohej vetëm përgatitja. Kushdo që hynte, ishte i barabartë dhe vlerësohej vetëm nga përgjigjet. Miku mund të ishte vetëm në emërime n.q.se mund ta quaj kështu. Konkurrimi dhe vlerësimi ishte real dhe konkret. E ndjeva veten shumë të kënaqur që u vlerësova . Por dua ta theksoj se unë fitova për televizion, por për fat të keq unë nuk punova në televizion, por në radio dhe jo si folës, por punova si gazetar.

 

Si ishin fillimet e punës suaj?

Çdo fillim është i vështirë, qoftë kjo dhe në punën më të lehtë. Ishte vitit 1973, kur kapa për herë të parë mikrofonin e radios. Emisioni i parë ishte për bashkëatdhetarët, një emision që më ka lënë mbresa. Atëherë ai emisioni ishte më i ndjekuri. Vinin letra nga e gjithë bota. Të flisje nga Radio Tirana në atë kohë ishte madhështore. Dukej se kishte pushtuar gjithë botën, pasi shqiptarët kudo në botë valët e Radio Tiranës i kishin të shenjta. Por siç e thashë, unë gjeta në radio një ambient të ngrohtë. Fillimisht, punova si redaktor rreth një vit. Fitova një eksperiencë. Ajo që dua të veçoj është se fillimet e mia përkasin me emisione në redaksinë e fëmijëve dhe kam pasur shef redaksie “Artistin e Popullit”, Reshat Arbana. Puna me të ishte e lehtë, pasi komunikonte me mirësi. Më orientoi në disa drejtime dhe më vonë pasi kisha eksperiencën e duhur kalova në redaksinë e programacionit në radio, si folës profesionist. Kjo detyrë kishte shumë përgjegjësi, po aq sa kishte bukuri. Si folës mora një përgjegjësi, por njëkohësisht unë aktivizohesha në emisione të ndryshme, anketa muzikore komente, konkurse poetike nga më të ndryshmet.

 

Pak më lart thatë u njohe shumë personalitete të gazetarisë radiofonike, mund të na citosh disa prej tyre?

Kur shkova unë në RTSH, ajo tashmë ishte ristrukturuar, kishte marrë një formë dhe kishte fituar një popullaritet të madh. Folësit, drejtuesit e emisioneve të radios gëzonin simpati të madhe në popull. Ata ishin kthyer në legjenda, për vetë faktin se kishte vetëm një radio, kishte pak aparate dhe dëshira për t’i njohur këta personalitete ishte e madhe. E them se radio u kthye për mua në një universitet të dytë, pasi aty punova dhe ndjeva eksperiencën e Vera Zhejit, Liljana Meçanit, Elsa Xhajit, Kiço Fotjadhit, Agim Bejlerit dhe të tjerëve që ishin të jashtëm, por që kishin të njëjtin reputacion. Të punoje me njerëz të tillë të punës, të heshtur, plot vizion, ndieje komoditet, por edhe përgjegjësi. Ata e kishin vënë emrin me punë dhe ende punonin dhe më shumë se më parë. Radio kërkon punë, shumë punë e pastaj vjen talenti. Pa punë, çdo gjë venitet. Talenti pa punë vyshket shpejt.

 

Po kurse prefeksionimi a keni zhvilluar më pas?

Në atë sistem me të mirat dhe të këqijat e veta, ana profesionale kishte shumë përparësi. Ishte thuajse në qendër të vëmendjes. Atëherë zhvilloheshin takime mes profesionistëve, mbledhje, analiza, konkurse. Në analizat diskutoheshin gabimet e bëra, masat që duheshin marrë, mënyra si të perfeksionoheshim. Zhvillonim herë pas here seminare për mënyrën e komunikimit dhe bashkëbisedimit. Por dua të veçoj një fakt: Në vitin 1978, bëra  një kurs, që ishte kursi më i plotë që u bë për të përgatitur folës për në radio-televizion, ku morën pjesë 25 folës. Ishte një kurs special që bëhej për të gjithë folësit e radiove dhe televizionit. Radio Tirana atëherë kishte degët e saj në Gjirokastër, Korçë dhe Kukës. Pra, ishte e shtrirë gjeografikisht për të mbuluar gjithë hapësirat shqipfolëse edhe jashtë vendit. Në këtë kurs special do të thosha u ftuan shumë regjisorë si Albert Minga, Mevlan Shanaj, Vera Zheji, por aty kishte pedagogë nga Instituti i Arteve, pedagogë nga Instituti i Folklorit, nga Histori- Filologjia. Ky kurs ka mbetur në memorien e të gjithë gazetarëve të kohës, pasi jo vetëm ishte kursi më i forte, por ne shkëmbyem eksperiencat dhe morëm mësime shtesë shumë të vyera të domosdoshme  për të gjithë gazetarët që ishin në hapat e para në radio dhe në televizion. Aty mësuam shumë dhe dolëm më të formuar në të gjitha planet që meriton të edukohet një folës. Nuk mund të lë pa përmendur për eksperiencën e tij dhe shkrimtarin dhe gazetarin Nasi Lera, tepër i përgatitur që kishe çfarë të mësoje prej tij dhe ai të jepte çdo gjë pa përtesë.

Jeni pjesë me zërin tuaj edhe në shumë filma dokumentarë, artistikë, në shumë emisione televizive dhe radiofonike. Në sa filma dhe emisione është zëri juaj si dublues dhe cili ka qenë emisioni apo dokumentari më i mirë që keni realizuar?

Unë me zërin tim kam qenë pjesë e rreth 2.000 dokumentarëve. Këta dokumentarë ndodhen në të gjitha televizionet shqiptare private, por edhe në RTSH. Secili prej tyre ka të veçantat, specifikat, meritat dhe vlerësimet sipas këndvështrimeve, por personalisht do të veçoja emisionin “Takim me Shekspirin”, një emision me 12 seri ku përfshihen të gjitha veprat e Shekspirit. Ky emision u realizua nga Televizioni Shqiptar. Realisht këto vepra janë vënë në gojën e një pedagogu të aktrimit në Angli, të cilat  përçojnë një filozofi të tërë jetësore të grumbulluar në shekuj.

 

Gazetari, folësi dhe këngëtari

Një trio interesante. Secili ka të bukurën dhe të veçantën e tij. Kanë të përbashkëta, po aq dhe të veçanta. Gazetari duhet të  jetë një njohës i mirë i historisë, gjeografisë dhe i artit. Pra është një fushë shumë dimensionale. Në përditshmërinë e tij gazetari përballet me njerëz nga më të ndryshmit, madje dhe me personalitete që kanë një botë akademike tepër të veçantë dhe përballja është e vështirë, duhen njohuri, ndryshe nuk mund të presësh nga intervistat, atë që kërkon si ide para tyre. Sa më i ngritur të jetë profesionalisht, sa më shumë ta njohë jetën, aq më shumë i suksesshëm do të jetë në gazetari. Një cilësi tjetër e gazetarit duhet të jetë paanshmëria. Kjo sot si zor të arrihet pasi si në televizione, si në radio si në gazeta, të ashtuquajturit gazetarë-analistë sa hapin gojën menjëherë merr vesh se nga anon, djathtas, majtas, apo në qendër. Sot nuk ke një shtyp, i cili është  me plot kuptimin e fjalës i pavarur.

Lidhja mes gazetarit dhe folësit është e madhe, pasi një gazetar i mirë me zë të bukur, bëhet një folës akoma më i shkëlqyer pasi do të dijë ku ta vërë theksin e fjalës, kur duhet dhe ulur toni, si duhet interpretuar lajmi. Një folës i mirë dhe një gazetar i mirë do të ishte më perfektja në ekranet dhe fonitë e sotme shqiptare. Besoj se ka dhe që e kanë arritur. Ndërsa lidhja mes folësit dhe këngëtarit është se të dy jemi vokalista, si folësi edhe këngëtari, ku zëri është elementi i parë i yni. Pa një zë të bukur nuk mund të bëhesh kurrë një folës dhe këngëtar i mirë dhe po ashtu nëse nuk mund të ruash zërin koha do të skualifikojë. Ruajtja e zërit për folësin dhe këngëtarin është detyrë e përhershme. Një folës-këngëtar i mirë kurrë nuk duhet të abuzojë me duhanin, pijet alkoolike, me pijet shumë të ftohta, nuk duhet të hash gjëra që të vrasin dhe të shkatërrojnë kordat. Nga ana tjetër, ka këshilla mjekësore për çka duhet të pihen, ose të përdoren gjëra të tilla që shërbejnë për  daljen e pastër të zërit. Zëri është dhuratë e Zotit dhe ti duhet të kujdesesh për të që ta ruash ashtu si ai ka dhuruar. Duhet të ketë një regjim, madje shumë strikt. Zëri është puna jonë, mjeti, arma, pajisja, mekanizmi i profesionit, mekanzimi që të nxjerr fitimtar. Në gjithë jetëgjatësinë time si folës jam munduar të jem korrekt me veten, por për fat të keq në një periudhë të caktuar të jetës edhe unë nga kordat për dy javë nuk kam qenë në gjendje të flas. U ndjeva keq. Ishte një dhimbje e madhe. Po sikur...? Ato ditë i ruaj si sot në kujtesë. Kur dëgjoja radion dhe vetë nuk isha aty vetiu më rridhnin lot nga sytë.. Kështu është edhe për folësin, këngëtarin, aktorin duhet të ruajë vokalin e  tij. Gazetari është syri i botës, folësi përcjellësi i vëzhgimit realist, kurse këngëtari artisti i qetësimit shpirtëror që bashkon tre profesione në një qëllim: informim- art ndërlidhje-relaksim.

 

KUJTIME

 

“Ditët më të vështira në

radio, në vitin e errët ‘97”

 

“Ngjarjet e vitit 1997 nuk harrohen kurrë. Mbeten në kujtesë si një periudhë shumë e vështirë. Lëviznim mes plumbave, mes terrorit për të përcjellë lajmet. Nuk e braktisëm punën kurrë, edhe pse jeta jonë ishte në rrezik. Populli donte informacion, por më shumë emigrantët. Ato ditë luhej me jetën, por detyra jonë e shenjtë mbetej informimi i popullit. Nuk e di si i kemi përballuar ato muaj. Shumë herë strukeshim në qoshe e korridoreve mbasi qielli mbushej me rrathë zjarri nga breshëritë e automatikëve. Askush nuk na detyronte për punë, por neve na thërriste profesioni, misioni që ka brenda ky profesion. Por dua të them se edhe në vitet e para, kur nuk ishte kjo teknikë ne shpesh e gdhinim në montim. Kishim ndërgjegje të lartë profesionale”.