Vendimi për Dajtin, Gjonaj: Apeli, i zhytur në aferë korruptive

Vendimi për Dajtin, Gjonaj: Apeli, i zhytur në aferë korruptive
Vendimi gjyqësor për të përjashtuar të akuzuarin Dritan Dajti nga burgimi i përjetshëm ka ngjallur reagime të ashpra nga qeveria shqiptare. Vetëm dje, dy ministra dolën para medias duke paralajmëruar masa që të çojnë në vënien e drejtësisë siç u shprehën ata. Njëkohësisht, edhe Prokuroria njoftoi rekurs për vendimin e gjykatës.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, doli dje para medieve dhe e cilësoi vendimin për Dajtin si një rast të paprecedent dhe shokues.

“Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e procedurës penale”, - vlerësoi zonja Gjonaj.

Ajo e cilësoi vendimin edhe si “një skandal të papranueshëm të përmasave të tilla të patolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin tërësisht në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve”.

“Duke ndarë me publikun revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente të drejtësisë ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, dua t’i siguroj të gjithëve që jo vetëm nuk mund të pajtohemi kurrë me faktin e kryer në këtë rast por do të ndjekim të gjitha hapat me mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit të mungesës totale të integritetit dhe profesionalizmit të disa gjyqtarëve të cilët nuk meritojnë asgjë tjetër përveçse përbuzjes të çdo qytetari të ndershëm”, - premtoi ministra e Drejtësisë.

Për Gjonajn, vendimi është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, në dhënien e lirisë së elementëve kriminalë.

Ministrja siguroi se “Qeveria dhe kjo shumicë qeverisëse as nuk ka dhe as nuk e synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë por në raste të tilla papërgjegjshmërie të drejtësisë së një vendi që aspiron për të hyrë në Bashkimin Evropian nuk mund të rri pa reaguar me të gjitha format ligjore”.

Kurse vijoi: “Fatkeqësisht kjo drejtësi në reformim e sipër, që hera herës shfaq fytyrën e saj të vjetër të përbuzjes të vetë drejtësisë, na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë por të gjithë duhet të kuptojnë se vetëm përfundimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, pastrimi nga radhët e drejtësisë të gjyqtarëve, si ata që ulën dënimin e vrasësit të 4 policëve, është rruga për të ndaluar përgjithmonë këto vendime të paligjshme”.

Ministria e Drejtësisë ka vendosur t’i drejtohet KLGJ-së “për të marrë masat e menjëhershme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve lidhur me këtë rast të paprecedent të shkeljeve në kundërshtim me çdo standard të gjykimit të shkurtuar dhe procesit penal”.

“Pasuria është një element i rëndësishëm për t’u vlerësuar nga institucionet e vettingut por mbi të gjitha i kërkoj Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ONM-së që në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të fokusohen në elementë të tillë që çdo gjyqtar ose prokuror me vendimmarrjen e tyre kanë mundësuar që grupet kriminale t’i shpëtojnë forcës së ligjit”, - tha Gjonaj.

Duke mbështetur prokurorinë në ankimimin në Gjykatën e Lartë “me qëllim që parregullsitë e procesit në apel të rivendosin drejtësinë në vend”, ministrja apeloi: “Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie ku gjyqtarët dhe prokurorët me kurajo, përgjegjshmëri dhe në zbatim të ligjit të marrin vendime të drejta të pandikuara nga asnjë lloj rrethane tjetër dhe të japin drejtësi”.

Masa të reja për sigurinë në burgje

Duke folur për çështjen “Dajti”, zonja Gjonaj njoftoi dje masa të reja për sigurinë në burgje. “Paralelisht me Reformën në Drejtësi ne do të përshpejtojmë reformën në rritjen e sigurisë në burgje si masa imediate në luftën kundër krimit të organizuar ku pas instalimit të monitorimin 24 orë të seksioneve të sigurisë së lartë në burgje, instalimit të regjimit 41 bis dhe paketës ligjore me ndryshimet të kësaj natyre si pjesë e paketës antikrim do të miratohet së shpejti për forcimin e mëtejshëm të nivelit të sigurisë në institucionet penitenciare”, - tha zonja Gjonaj.

Dajti u dënua me burgim të përjetshëm, 5 vjet më pas vendimi ndryshoi

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ai u gjet fajtor për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të 2009.

Vendimi u apelua dhe më 8 shkurt 2019, gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar dhe vendosi që të ndryshohet dënimi në 25 vjet heqje lirie.

Kjo ishte hera e dytë që dosja e Dritan Dajtit shqyrtohej në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv policie.

Pesëshja e gjyqtarëve që i hoqi burgimin e përjetshëm Dajtit ishte e deleguar, tre nga Gjykata e Apelit e Shkodrës dhe dy nga Apeli i Vlorës. Nga Apeli i Shkodrës ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen, gjyqtarët Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, kurse nga Vlora, Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla.

Dritan Dajti ndodhet në burg që nga gushti i vitit 2009, kur u akuzua se vrau forcat policore gjatë një aksioni për kapjen e tij, pasi atëherë ishte në kërkim.

Prokuroria, rekurs Apelit për Dajtin

Prokuroria thotë se do të bëjë rekurs vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda e cila i hoqi dënimin me burg për jetë Dritan Dajtit pasi pranoi gjykimin e shkurtuar dhe e dënoi me 25 vite burg.

Burime nga Prokuroria bënë me dije se janë duke pritur zbardhjen e vendimit për të dorëzuar rekursin.

Çfarë ndodhi në plazh më 2009

Ishte mesdita e 7 gushtit 2009, kur disa forca speciale policore, u përpoqën të rrethojnë një godinë në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranë pistës “Iliria”, në kuadrin e një plan-arrestimi pasi ishte në kërkim për vepra penale. Gjatë aksionit, u hap zjarr dhe mbetën të vrarë katër punonjësit e policisë, qytetari Ledion Mara, si dhe u plagosën Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku.

Dajti tha në gjykatë se nuk i kishte njohur viktimat pasi nuk ishin veshur me uniformë policie. Kjo u kundërshtua nga efektivët e thirrur në gjykatë.