Takimi i radhës Trump- Kim Jong Un, do mbahet në Vietnam

Takimi i radhës Trump- Kim Jong Un, do mbahet në Vietnam
Të premten Presidenti Donald Trump tha se, diplomatët amerikanë kishin pasur një “takim shumë produktiv” me zyrtarët e Koresë së Veriut, ndërsa njoftoi se Samiti i tij i radhës me udhëheqësin e Penianit, Kim Jong Un, do të mbahet në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi.

Në Twitter Trump shkroi: “Përfaqësuesit e mi sapo kanë dalë nga Koreja e Veriut, pas një takimi shumë produktiv dhe është caktuar një datë për Samitin e dytë me Kim Jong Un. Takimi do të zhvillohet në Hanoi, kryeqyteti i Vietnamit, më 27 dhe 28 shkurt”,

“Unë pres që të shoh Kryetarin Kim & avancimet e bëra në drejtim të paqes në rajon”, tha ai. Më parë këtë javë, Trump njoftoi datat për samitin e dytë me Kim dhe tha se do të mbahet në Vietnam, por qyteti nuk ishte zbuluar.

Stephen Biegun, përfaqësuesi special i SHBA-ve për Korenë e Veriut, mbajti tri ditë bisedime në Penian, për t’u përgatitur për samitin, tha të premten Departamenti i Shtetit. Ai tha se Biegun kishte rënë dakord me homologun e tij Kim Hyok Chol të takoheshin përsëri përpara samitit.