Shqiptarët konsumojnë më shumë energji se të tjerët

Shqiptarët konsumojnë më shumë energji se të tjerët
Shqiptarët po konsumojnë nga viti në vit më shumë energji elektrike se të tjerët në rajon. Kjo të paktën sipas shifrave më të fundit të Institutit Evropian të Statistikave, Eurostat, sipas të cilave rezulton se Shqipëria ka normën e rritjes së konsumit të  energjisë, më të lartën krahasuar me vendet fqinje. Konkretisht, vendi ynë e ka patur këtë normë prej +8.1% gjatë vitit 2017, kundrejt asaj prej +4.9% në Malin e Zi, apo +1.3% në Maqedoninë e Veriut dhe +2.5% në Serbi. Teksa ajo ua ka kaluar gjithashtu në këtë aspekt edhe vendeve të tjera të saj fqinje, që janë anëtare të Bashkimit Evropian, si Greqia apo Italia, ku kjo e fundit madje ka shënuar rënie të konsumit të energjisë elektrike. Mesa duket, kjo dukuri në Shqipëri konfirmohet me faktit se energjia elektrike vazhdon që të jetë produkti bazë që popullata e saj zgjedh për të përmbushur nevojat e saj kryesore, të tilla si ngrohja apo gatimi. Ndryshe nga vendet e BE-së, por edhe të rajonit, të cilat tashmë i kanë dhënë gazit si i tillë, një vend të gjerë të përdorimit të tyre për të tilla nevoja. Këtë fakt e kanë pranuar edhe vetë autoritetet shqiptare në masterplanin e tyre të gazit, ndërsa kanë dhënë brenda tij si afat final të futjes së përdorimit masiv të gazit nga popullata shqiptare vitin 2040. Kujtojmë sakaq, se vetëm para pak ditësh, gjatë një diskutimi në komisionet parlamentare, përfaqësues të bordit të Entit Rregullator të Energjisë, pohuan se tashmë jemi të vonuar në këtë drejtim, duke kërkuar vendosjen e kushteve për ndërtuesit. Sipas tyre, qeveria shqiptare nuk duhet të lejojë më ndërtime të reja pa instalimet e gazit, që do të mundësojnë shfrytëzimin e rrjetit të gazit Trans Adriatik nga konsumatorët familjarë.