SHKUPI DHE ATHINA TREGUAN SHKALLË TË LARTË EMANCIPIMI

SHKUPI DHE ATHINA TREGUAN SHKALLË TË LARTË EMANCIPIMI
Nga GRAMOZ RUÇI

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Një anëtar i ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, është pranuar si anëtari i 30-të në gjirin e aleancës më të madhe mbrojtëse të kohës. Për t’ia arritur kësaj dite, vendi mik, fqinj dhe partner i yni, ka kaluar sprova të mëdha. Njërën prej tyre, atë më të vështirën, sapo e kapërceu, nëpërmjet një kurajoje, guximi, vullneti e dëshire për progres, zhvillim, partneritet, stabilitet dhe paqe.

Dhe ja ku jemi sot, në ditën e shumëpritur nga të gjithë.

Protokolli mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO u nënshkrua më 6 shkurt 2019 nga përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare në NATO.

Ratifikimi i Protokollit nga parlamentet e vendeve anëtare ka nisur. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është ndër parlamentet e para  që po ratifikon këtë Protokoll, duke nisur kështu  hapin ligjor përfundimtar që do të mundësojë pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Traktatin e Atlantikut të Veriut, duke e bërë kështu Maqedoninë e Veriut anëtare të NATO-s.

Ky hap i madh u bë i mundur në saj të Marrëveshjes së Prespës, midis dy fqinjëve tanë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Parlamentet dhe qeveritë e të dy vendeve dëshmuan një shkallë të lartë emancipimi dhe përgjegjësie politike, kombëtare e rajonale, duke këputur nyjën që mbante pezull, natyrisht pa e merituar, miqësinë dhe partneritetin midis të dy vendeve si edhe rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Të dy shtetet meritojnë më së pari dhe kredencialet më të mëdha për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ne kemi të qartë se kjo nuk do të ishte bërë e mundur, pa vullnetin, guximin politik dhe emancipimin e  shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe forcave politike që i përfaqësojnë ata. Partitë politike shqiptare, pa dallim orientimi politik, qofshin në qeverisje apo në opozitë, kapërcyen polarizimin politik e dallimet ideologjike dhe votuan me vetëdije të plotë ndryshimet kushtetuese që i hapën Republikës së tyre dritën jeshile për në NATO. Me këtë qëndrim ata u treguan europianistë dhe auroatlantikas të vërtetë.

***

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një vlerë e shtuar në progresin euroatlantik të të gjithë rajonit, për zhvillimin, paqen e stabilitetin rajonal e global.

Por është më shumë se kaq. Anëtarësimi në NATO nuk është thjesht bashkimi në një organizatë politike, por në një familje vlerash. NATO nuk është thjesht një aleancë mbrojtëse ushtarake, por një koalicion e bashkim vullnetesh për progres, zhvillim, mirëqenie.

Në këtë organizatë, kontributi i Shqipërisë dhe i rajonit tonë po bëhet gjithnjë e më rëndësishëm.